MENU
klinika

I jep autorizim Alibeajt dhe Bardhit për...

Një vit pasi ka dhënë dorëheqjen, Basha firmos ende si kryetar i PD

06.03.2023 - 13:10

Një vit pasi ka dhënë dorëheqjen publikisht si kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha rezulton të jetë ende ligjërisht në drejtim të kësaj force politike.

Grupi i Alibeajt ka depozituar sot një kërkesë në KQZ për të regjistruar PD-në zgjedhjet e 14 majit dhe pjesë të dosjes ka futur një letër të Lulzim Bashës që në cilësinë e kryetarit të PD-së autorizon nënkryetarin Enkelejd Alibeaj dhe sekretarin e përgjithshëm, Gazmend Bardhi të përfaqësojnë këtë forcë politike.

“Unë Lulzim Basha, me funksion kryetar i Partisë Demokratike, lidhur me zgjedhjet vendore të 2023, sipas datës së caktuar nga Dekreti i Presidentit të Republikës, në përmbushje të kompetencave të kryetarit të Partisë, autorizoj ushtrimin e tyre nga nënkryetari i Partisë Enkelejd Alibeaj dhe/ose Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi dhe/ose Sekretari për çështjet ligjore dhe zgjedhore Indrit Sefa…”, thuhet në letrën që është dërguar në KQZ.

Drejtimi ligjërisht i PD-së nga Lulzim Basha provohet edhe nga një Gjykata e Tiranës në 1 mars 2023 e cila ka vërtetuar që ai është kryetar i PD-së.

Grupi i Alibeajt depozitoi sot në KQZ një kërkesë për të regjistruar Partinë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Indrit Sefa, juristi i grupit të Alibeajt që ka mbrojtur këtë palë në gjykatë për çështjen e vulës tha para mediave se në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të PD-së protokolloi kërkesën për zgjedhjen lokale.

“Do e vlerësojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nuk e kuptoj gjithë këtë interes kaq të madh. Bëmë një veprim thjesht procedural. Është praktikë e ndjekur nga të gjitha partitë politike”, tha Sefa.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN