MENU
klinika

Analiza

Ofensiva pranverore e Ukrainës, është në dorën e Biden…

18.03.2023 - 14:18

Pranvera është shumë afër edhe në Ukrainë, ku po zhvillohet një luftë që vendos ushtrinë e Kievit të armatosur dhe të stërvitur nga Perëndimi i udhëhequr nga SHBA kundër trupave të pushtuesit rus. Ndërsa ukrainasit vazhdojnë të mbrojnë pozicionet e tyre në Bakhmutin e shndërruar në një shkretëtirë pas nëntë muajsh luftimesh shkatërruese, Shtetet e Bashkuara duket se nuk e kanë humbur vullnetin e dëshirën që të mbështesin Kievin. Pas një takimi të mbajtur të mërkurën e kaluar me disa vende që mbështesin Ukrainën, sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin shpjegoi se Kievi “nuk ka kohë për të humbur” dhe ka nevojë menjëherë për ndihmën e nevojshme për t’u përballur me rusët. Prandaj, raporton Politico, ushtria amerikane thuhet se po dërgon pajisje në fushën e betejës dhe po trajnon forcat ukrainase për ofensivës e planifikuar.

SHBA “udhëheq” ofensivën

“Ne duhet të mbajmë premtimet tona,” tha Austin. “Kjo përfshin dërgimin e pajisjeve tona të blinduara në fushën e betejës dhe sigurimin që ushtarët ukrainas të marrin trajnimin, pjesët rezervë dhe gjithçka që iu nevojitet për të operuar këto sisteme të reja, sa më shpejt të jetë e mundur.” Nga ana tjetër, siç shpjegoi vetë Zelensky, “e ardhmja e Ukrainës varet nga rezultati i betejës në Bakhmut dhe qytetet e tjera në lindje të vendit”. Zyrtarët amerikanë janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për situatën pasi furnizimet me municion po mbarojnë dhe nuk ka më as ushtarë me përvojë në fushën e betejës. Në fakt, njoftimi i Austin duket pothuajse si një përgjigje ndaj hetimit të publikuar ditët e fundit nga Washington Post. Cilësia e forcës ushtarake të Ukrainës, e konsideruar dikur si një avantazh kryesor ndaj Rusisë, pas një viti, duket se ka rënë ndjeshëm, duke bërë që disa zyrtarë ukrainas të vënë në dyshim gatishmërinë e Kievit për të organizuar ofensivën e shumëpritur pranverore.Zyrtarët amerikanë dhe evropianë kanë vlerësuar se rreth 120,000 ushtarë ukrainas janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i pushtimit të Rusisë në fillim të vitit të kaluar, krahasuar me rreth 200,000 nga ushtria ruse. Gjithashtu forcat ukrainase, gjithashtu vuajnë nga mungesa e municioneve bazë, duke përfshirë predhat e artilerisë.

Tanket amerikane në front

Hetimi i Washington Post paraqet dëmtim potencial të imazhit për administratën Biden dhe për Kongresin Amerikan, i cili vetëm në vitin 2022 ndau më shumë se 112 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, në një fazë në të cilën mbështetja e opinionit publik amerikan për politikën e Biden vazhdon të bjerë dhe republikanët – nga Trump te DeSantis – sulmojnë presidentin për luftën e kushtueshme kundër Moskës, pasi thonë se nuk është në interesin jetik të Uashingtonit. Politico raporton se “qindra tanke dhe automjete të blinduara perëndimore”, duke përfshirë tetë automjete të blinduara që do të lejojnë trupat të kalojnë lumenjtë, do të shkojnë së shpejti në Ukrainë. Partnerët amerikanë dhe evropianë po dërgojnë gjithashtu sasi të mëdha municionesh dhe predhash 155 mm. Sipas zyrtarëve të Pentagonit, pajisjet dhe trajnimet e ofruarado të lejojë Ukrainën të “fitojë luftën”. Çfarë saktësisht do të thotë kjo, është e vështirë të thuhet. Është po aq e vështirë të parashikohet nëse ky objektiv ambicioz, do të arrihet në muajt e ardhshëm.

Zgjerimi i konfliktit

Ekspertët dhe analistët mbeten skeptikë. Siç vëren Stephen Bryen nga Asia Times , një raport i fundit sugjeron se prodhimi i tankeve ruse, duke përfshirë T-90 dhe T-14, po vazhdon me ritme të shpejta. Prodhimi i armëve të tjera, veçanërisht municioneve të të gjitha llojeve, duket se është përshpejtuar. “Objektivi kryesor i ofensivës së pranverës ukrainase – shpjegon Bryen – është ndoshta një sulm ndaj Krimesë dhe ndaj forcave ruse në jug”. Ukraina do të varet tërësisht nga inteligjenca amerikane dhe, me shumë mundësi, nga fuqia e saj ajrore. “Nuk ka kohë të mjaftueshme për të trajnuar pilotët ukrainas për F-16,” thotë eksperti. Ekziston një rrezik: ofensiva ukrainase ka të ngjarë t’u duket rusëve si një rast që përfshin pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të NATO-s. Në atë rast, ndërkombëtarizimi i frikshëm i konfliktit do të ishte i pashmangshëm.