Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se ka pasur takime të vazhdueshme me kryeministrin Albin Kurti, sa i përket takimit në Ohër. Ajo tha se kreut tw qeverisw i janë propozuar dokumente të tmerrshme, që sipas saj Kosova ka bërë mirë që nuk i ka pranuar.
“Me kryeministrin jemi takuar siç takohemi gjithnjë, edhe para takimit të kryeministrit në Bruksel edhe pas kthimit jemi takuar dhe kemi diskutuar në detaje para se të shkoj në Ohër. Jemi konsultuar edhe gjatë takimeve në Ohër, dhe jemi takuar edhe pasi ka përfunduar dakordimi në Ohër ku jemi njoftuar në detaje jo vetëm për dokumentet dhe versionet e ndryshme që kanë qenë para kryeministrit dhe delegacionit të Kosovës… Më duhet të them se këto janë versione të tmerrshme të cilat Republika e Kosovës ka bërë mirë që nuk i ka pranuar pavarësisht presioneve jashtëzakonisht të padrejta që e kanë trajtuar Kosovën në mënyrë shumë të pabarabartë në raport me palën tjetër”, ka thënë Osmani.
Këto komente Osmani i bëri gjatë vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë. Presidentja shtoi se për të janë të papranueshme iniciativat e tilla nga faktori ndërkombëtar.
“Nganjëherë për mua si presidente është vështirë të besoj që dikush nga komuniteti ndërkombëtar e merr një iniciativë të tillë që të propozoj gjëra të tilla që e vendos vetëm njërën palë në një pozitë kaq të pabarabartë”, tha Osmani.
Takimi në Ohër
Kosova dhe Serbia mbyllën me dakordësim mbi aneksin e zbatimit të planit evropian në Ohër, i cili do të jetë i detyrueshëm për tu zbatuar nga të dy dy palët në momentin e publikimit. Përfaqësuesi i Lartë i unionit për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, tha se Kurti dhe Vuçiç nuk e kanë firmosur dokumentin. Pas 12 orëve negociata, ai doli në një deklaratë për media ku u shpreh se bisedimet u ndalën në hapa praktikë dhe më në fund mes dy vendeve pati bisedime konkrete dhe dy palët u pajtuan për aneksin e propozimit evropian. Për rreth 10 orë u diskutua vetëm mes Albin Kurtit, Borrel, Vuçiç dhe Lajçak, por në një moment u kërkua me urgjencë prania e Gabriel Escobar. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.