MENU
klinika

Analiza

Perëndimi ‘ka harruar’ të luftojë edhe spiunazhin rus…

03.03.2023 - 16:35

Pas një viti lufte në Ukrainë, ekspozimi dhe arrestimi i spiunëve rusë në Perëndim po ndikon ndjeshëm tek aftësinë e Kremlinit për të kryer operacione sekrete. Kjo fushatë e kundërzbulimit nga ana e vendeve perëndimore nuk duhet të ndalet, sepse dobësia ushtarake, ekonomike dhe politike e Rusisë ka të ngjarë të çojë në një rritje dhe jo rënie të aktiviteteve të saj të sigurisë dhe spiunazhit.

Pas dështimit të tyre të bujshëm në Ukrainë, shërbimet e sigurisë ruse janë të detyruara të tregojnë vlerën dhe dobinë e tyre, prandaj këto aktivitete do të mbeten një nga mjetet e pakta, përmes të cilave Rusia mund të përshkallëzojë konfliktin ndaj Perëndimit.

Që nga fillimi i luftës, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa dëbuan rreth 600 “diplomatë” rusë apo oficerë të dyshuar të shërbimeve sekrete ruse. Ajo lëvizje e dobësoi jo pak aftësinë e Moskës për të kryer spiunazhin tradicional por edhe mundësinë e saj për të ndërmarrë “masa aktive” dhe forma të tjera të “luftës hibride”.

Rritja e ndërgjegjësimit dhe e përpjekjeve për t’iu kundërvënë aktiviteteve ruse të inteligjencës, shënon gjithashtu një ndarje të dukshme nga përpjekjet para luftës në Ukrainë. Deri para 1 viti aktivitetet evropiane të kundërzbulimit ishin dukshëm më të dobëta dhe më pak të koordinuara.

Gjithsesi, Perëndimi duhet të shmangë ndjenjën e vetëkënaqësisë në këtë përpjekje, pasi ndërsa lufta vazhdon dhe po pakësohen rezervat materiale të Rusisë, Moska ka shumë gjasa të fokusohet gjithnjë e më shumë tek operacionet e fshehta. 

Sfida tjetër e Perëndimit/ Operacionet e spiunazhit rus përtej

Javët e fundit ka pasur një kërcënim të vazhdueshëm të operacioneve të inteligjencës ruse në të gjithë kontinentin. Presidentja e Moldavisë Maia Sandu, tha pak ditë më parë se Rusia po përpiqej që të përmbyste qeverinë e saj. Zyrtarët e shërbimeve sekrete në Holandë  paralajmëruan se Rusia mund të tentojë të sabotojë infrastrukturën energjetike të Detit të Veriut.

Një zyrtarët i lartë në shërbimin e inteligjencës së jashtme të Gjermanisë u arrestua me akuzën e spiunazhit për llogari të Rusinë pas një hetimi të gjatë. Një roje britanike që punonte në ambasadën ruse në Berlin u dënua me 13 vjet burg po për spiunazh në shërbim të Moskës.

Ndërkohë edhe Norvegjia po sheh shenja të rritjes së aktivitetit të të ashtuquajturve “ilegalë” apo spiunë pa ndonjë mbulesë diplomatike zyrtare. Rritja e ndërgjegjësimit dhe e përpjekjeve për t’iu kundërvënë aktiviteteve të inteligjencës ruse, kontraston dukshëm me qasjen e para luftës në Ukrainë.

Para luftës, aktivitetet evropiane të kundërzbulimit ishin dukshëm më të dobëta dhe më pak të koordinuara. Por Rusia do të joshet për disa arsye të shtojë operacionet e fshehta gjatë muajve dhe viteve në vijim. Së pari, shërbimet ruse të sigurisë dhe inteligjencës duhet të demonstrojnë vlerën e tyre në sytë e Putinit pas performancës së tyre të tmerrshme përpara pushtimit të Ukrainës.

Sipas raporteve të ndryshme, FSB – Shërbimi i Sigurisë Shtetërore – kishte për detyrë të siguronte eleminimin e udhëheqjes në Kiev, mision në të cilin dështoi. Po ashtu FBS bëri vlerësime të gabuara mbi dobësinë e Ukrainë dhe pozitat e lëkundura të regjimit të presidentit Volodimir Zelenski.

Sfida tjetër e Perëndimit/ Operacionet e spiunazhit rus përtej

Të njëjtat vlerësime bëri edhe GRU – Shërbimi Sekret Ushtarak i Rusisë – prandaj ato janë padyshim përgjegjëse për performancën e dobët të ushtrisë ruse. Dhe ndërsa këto gabime reflektojnë dobësitë sistematike brenda Kremlinit dhe nën udhëheqjen e Putinit, shërbimet e sigurisë dhe të inteligjencës mund të duan të ripohojnë pozicionin e tyre të rëndësishëm. Në këtë kuadër, operacionet e suksesshme mund të ndihmojnë në përmirësimin e pozitës e tyre.

Së dyti, operacionet e fshehta janë relativisht më të efektshme në aspektin e burimeve që kërkojnë, sidomos në një kohë kur format e tjera të pushtetit të Rusisë janë shumë më të kufizuara se sa para luftës. Ndërprerja e lidhjeve ekonomike me Perëndimin, raundet e shumta të sanksioneve dhe embargove, si dhe përpjekjet për të izoluar politikisht Moskën, e kanë lënë vendin me më pak mjete për të konfirmuar ndikimin e tij apo për të mbrojtur interesat e tij.

Po ashtu, operacionet e fshehta janë një mjet i dobishëm për t’i treguar Perëndimit se Rusia mund të veprojë ende në shumë zona. Dhe shenjat e hershme të shtimit të tyre mund të jenë shfaqur tashmë. Në nëntor dhe dhjetor 2022, 6 letra-bombë u dërguan në selitë e huaja diplomatike në Madrid, Spanjë.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe evropiane besonin se ato ishin dërguar nga grupe supremaciste të të bardhëve, të drejtuara nga Moska. Djegia e Kuranit në Stokholm para ambasadës së Turqisë në Suedi, besohet se u financua nga një gazetar me lidhje me mediat e mbështetura nga Moska.

Megjithatë, Perëndimi do të bënte mirë të mos shohë spiunë rusë pas çdo shkurreje. Sepse ka pasur në fakt një tendencë për të parë dorën e Moskës pas çdo ngjarjeje keqdashëse në Evropë dhe SHBA. Një qasje e tillë u mirëprit nga Kremlini – duke i bërë oficerët e tyre të dukeshin shumë më efektivë dhe më efikasë se sa ishin në të vërtetë – dhe rrezikoi të largonte vëmendjen nga operacionet e kundërzbulimit.

Në muajt dhe vitet në vijim, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet që të dyfishojnë përpjekjet e tyre në fushën e kundërzbulimit. Ekspozimi i komploteve dhe spiunëve rusë, do të ndihmojë në minimin e një mjeti, të cilin Rusia do ta shohë si gjithnjë e më të dobishëm në kohën e një kapitali të kufizuar më dispozicion.

Po ashtu, Perëndimi duhet t’i përdorë këto operacione në avantazhin e tij, duke mësuar më shumë mbi operacionet dhe strukturën e shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës ruse, rrjetet e tyre (zyrtare dhe të tjera) dhe të rekrutojë potencialisht agjentë të mundshëm.

Sa më gjatë të vazhdojë lufta dhe sa më e dhimbshme të bëhet situata ekonomike dhe politike, aq më e madhe është mundësia për suksesin e shërbimeve sekrete perëndimore. Ruajtja e presionit mbi shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës ruse, është po aq e rëndësishme sa furnizimi me armë në Kiev, jo vetëm për luftën në Ukrainë, por për arkitekturën afatgjatë të sigurisë euroatlantike.

Joshua C.Huminski, drejtor i Qendrës Majk Roxhers për Inteligjencën dhe Çështjet Globale në Qendrën për Studimin e Presidencës dhe Kongresit, SHBA.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Paralajmërimi i Shërbimeve sekrete gjermane

“Putin do të hedhë armët bërthamore”