Nëse 30 vjet më parë ishim dakord me Frensis Fukujamën, kur ai shpalli “fundin e historisë”, atëherë sot duhet të themi se historia ka filluar sërish. Sigurisht nuk është kështu, sepse historia nuk përfundoi ndonjëherë. Por ajo që ndodhi më 21 shkurt në trekëndëshin Kiev-Varshavë-Moskë, epiqendra e re e fateve europiane, i përket kategorisë që shkrimtari i famshëm Stefan Cvajg i quajti “momente fatale”.
Dy burra, dy fjalime, dy sisteme të papajtueshme. Për herë të parë që nga rënia e Murit të Berlinit, një diversitet kundërthënës dhe i hapur po konsolidohet fort midis dy kampeve: atij të vendeve demokratike të udhëhequra nga Amerika, që po luftojnë për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtën për vetëvendosje të çdo populli.
Dhe atë të një Rusie neoperandorake, të cilën autokrati i saj e ka futur në një konflikt të gjatë që është bërë ekzistencial për të, duke mbyllur çdo kanal të mbetur komunikimi, dhe atë pak dialog me botën e jashtme, si dhe po ngre mure kundër çdo lloj ndikimi të Perëndimit sipas tij armiqësor dhe të degjeneruar.
Ndoshta duhet të rikthehemi në kohën para vdekjes së Stalinit në vitin 1953, për të gjetur në Kremlin gjurmët e një paradigme kaq të dominuar nga vullneti për shkëputje përfundimtare nga pjesa tjetër e botës dhe një paranojë strategjike, si ajo e përshkruar nga Vladimir Putin në Gostiny Dvor, fjalimin e tij vjetor.
Në këtë rast e vërteta e përmbysur e luftës së shkaktuar sipas tij nga “Perëndimi kolektiv” dhe elitat e tij të vendosura për ta “likuiduar njëherë e mirë Rusinë duke përdorur Ukrainën si kukull”, është premisa për rikonfirmimin e një strategjie të vjetër.
“Në kauzën e mbrojtjes së Rusisë, ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të mbrojtur të drejtën tonë historike dhe më të lartë: të drejtën për të qenë të fortë”-deklaroi presidenti rus, duke cituar Pjotër Stolipin, kryeministrin e Car Nikollës II pas Revolucionit të vitit 1905.
Në këtë teoremë putiniane nuk ka hapësirë ??për dyshime apo sjellje apatike. Mbi të gjitha nuk ka “asnjë keqardhje”, përkundrazi ka një përbuzje për oligarkët, që kanë humbur kapitalin e tyre miliarda dollarësh në bankat ndërkombëtare, dhe që mund ta riparojnë imazhin e tyre vetëm duke u kthyer të investojnë në shtëpi.
Komploti i Perëndimit, pezullimi i pjesëmarrjes ruse në Traktatin NEW START, që kufizon armët bërthamorë të Moskës dhe Uashingtonit në deri në 1500 bomba secila, e mbyllën fjalimin 100-minutësh të Putinit. Në fakt statuskuoja nuk ndryshon, sepse inspektimet mbi armët bërthamore janë pezulluar prej më shumë se 2 vitesh, fillimisht për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe më pas si pasojë e akuzave të ndërsjella midis SHBA-së dhe Rusisë për mosrespektimin e angazhimeve të tyre të ndërsjella.
Gjithsesi deklarata e fortë e Putinit, është treguesi më i fortë deri më tani se epoka e kontrollit të armëve, e cila nisi në epokën e Leonid Brezhnevit, është ende në fillimet e saj. Në fakt, është gati e pamundur të mendosh mbi negociatat për një traktat të ri, NEW START, teksa i vjetri skadon në vitin 2026, në zbrazëtinë absolute aktuale të komunikimit dhe besimit midis të dyja vendeve.
Pak orë më vonë, para kështjellës mbretërore në Varshavë, Xho Bajden shpalosi një vizion tjetër të botës, të bazuar në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë. Duke u kthyer nga Kievi, ai citoi vetëm një herë Putinin, duke e mohuar me forcë akuzën e tij se Perëndimi po përpiqet të sulmojë ose shkatërrojë Rusinë.
Bajden theksoi se ishte kreu i Kremlinit, ai që e zgjodhi luftën. Këtë herë presidenti amerikan nuk e quajti kriminel lufte, por u shpreh qartë se “do të procedojmë penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për luftën”. Mbi të gjitha, Bajden donte të luante lojën e lidershipit, duke ofruar imazhin e një “shpirti të ri” për Perëndimin, si për të siguruar aleatët perëndimorë, të shqetësuar për qëndrueshmërinë me kalimin e kohës të mbështetjes ushtarake, ekonomike dhe politike për Ukrainën, siç u shfaq në prapaskenë edhe në Konferencën e Sigurisë në Mynih mbajtur pak ditë më parë.
Në déjà-vu-në e historisë europiane, e karakterizuar edhe një herë nga një përçarje e thellë dhe aktualisht e pashërueshme Lindje-Perëndim, udhëtimi i Xho Bajden në Kiev dhe fjalimi i tij në Varshavë, nënvizojnë krijimin e ekuilibrave të rinj gjeostrategjikë.
Tani fokusi i politikës europiane të Shteteve të Bashkuara është zhvendosur drejt Lindjes, dhe partnerët e NATO-s të Europës Qendrore dhe Nordike, kanë marrë një peshë më të madhe sesa kanë në botëkuptimin tradicional të vendeve të Europës Perëndimore.
Nuk është rastësi që gjatë qëndrimi në kryeqytetin polak, Bajden u takua edhe me liderët e të ashtuquajturës “Nëntëshja e Bukureshtit”, përkatësisht Bullgaria, Estonia, Rumania, Lituania, Letonia, Polonia, Sllovakia, Çekia dhe Hungaria. Këto janë tani shtetet e kufirit të ri të Perëndimit, ashtu siç ishte Gjermania gjatë Luftës së Ftohtë.
Ndërsa në Ukrainën që po lufton për lirinë dhe pavarësinë e saj, ndihet tani atmosfera që kishte Berlini Perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë. Megjithatë, edhe në zymtësinë e një peizazhi europian që ka rënë sërish pre e së kaluarës, përveç qëndrueshmërisë dhe kohezionit, Perëndimi nuk duhet të harrojë të hedhë vështrimin ndaj sfidave të së ardhmes, ku përballë nuk është Rusia e prapambetur dhe e blinduar e Vladimir Putinit por superfuqia e re, Kina. Dhe duhet të gjendet ekuilibri i duhur midis mbështetjes thelbësore për Kievin, dhe nevojës për ta parandaluar Pekinin që të identifikojë prioritetin e tij të ri strategjik në aleancën e tij me Moskën.