MENU
klinika

Nga Ylli Pata

Pse janë çmendur të gjithë që kërcënojnë me vdekje Alibeajn?

07.03.2023 - 21:12

Ka që prej të enjtes së shkuar e duket se ka një atmosferë mejhane lagjeje në panelet televizive. Njëri kërcënon gjyqtarët e Apelit se pas 14 majit do t’i zënë me dru, tjetri thotë që Enkelejd Alibeajn ta marrin e ta hedhin në ndonjë kanal, siç hodhën horrat e importuar në Bulqizë në zgjedhjet e 26 majit 1996, Muharrem Kolën, kryetarin e Partisë Socialiste të degës pasi e rrahën për vdekje. Ca të tjerë flasin për hunj, sëpata e shkopinj bejsbolli.

Ore çfarë kanë? Pse sillen si njëri që drejtonte shtetin e fliste si në over doze me të “bekuarën” ball kazani të Skraparit para zgjedhjeve të 25 prillit 2021? Vërtetë janë aq të mërzitur nga ai vendimi i Apelit?

Natyrisht që jo! E gjitha është një teatër, madje estradë nga ajo e Ballshit, me 10 këngë e asnjë skeç. Bërtasin me një komandë të qartë, por me një logjikë që nuk qëndron në këmbë dhe është krejt e çartur pa asnjë shpjegim. Megjithatë janë reagime që vijnë nga zori, nga rrugët e pakta që i kanë mbetur foltores dhe aleatit të tij të vetëm Ilir Metës për të vepruar, në një kohë jo të gjatë deri më 14 maj.

Po natyrshëm pyetja shtrohet? A s’kuptojnë këta që po e faktorizojnë aq shumë Enkelejd Alibeajn duke e sulmuar, që sikur ky i fundit të lëvizë pak këmbë e duar mund të arrijë të fuqizohet sa më shumë?

Situata duket pak më e komplikuar. E gjithë kjo klimë toksike, e vrazhdë e pakuptimtë sulmesh ndaj personit që ka drejtimin e Partisë Demokratike, ka natyrisht një prapaskenë që shpjegohet, e precedentin e ka më 6 mars të vitit të shkuar.

Të ndalojnë sa më shumë votues të opozitës që të dalin në zgjedhjet lokale të 14 majit, të cilat në të gjithë treguesit e tyre duken një katastrofë si për Sali Berishën, ashtu edhe për Ilir Metën. Duke nisur nga Shkodra, ku një vit më parë u përdor një skemë, e cila siç po duken bathët, nuk ishte gjë tjetër veç një grackë e ngritur nga mazhoranca për ta marrë Shkodrën në zgjedhjet e këtij viti.

Sot, foltorja nuk e ka të sigurtë skemën e Bardh Spahisë që në 2022 arriti të marrë Shkodrën falë mbështetjes së Agron Çelës, i cili sot ka kaluar me mazhorancën. Por gjithsesi, gara reale do të jetë si më 6 mars, ajo ndërmjet Partisë Demokratike dhe “Shtëpisë së Lirisë numër 2”. Garë që vjen e ridimenisionuar politikisht, e më e fortë psikologjikisht. Sidomos baza e PD-së, e cila u poshtërua në zgjedhjet e 6 marsit nga kryetari historik i cili doli kundër partisë që ka drejtuar për 30 vjet ka një motivacion për t’i treguar në terren foltores se kush i ka numrat në territor.

Çfarë nuk kanë thënë këto ditë: madje kanë akuzuar PD-në se ka qenë aleate me Edi Ramën në zgjedhje lokale, duke sjellë shembull edhe Durrësin apo Shkodrën. Por të gjithë e dinë se kanë qenë pikërisht kandidatët e Foltores që ishin miqësor me njerëzit e fortë të mazhorancës në territor. Duke nisur nga Durrësi dhe Shkodra, ku ambjentet e Vangjush Dakos e Tom Doshit nuk ishin fare antagonistë, përkundrazi me kandidatët e foltores.

Ndërkaq, nga ana tjetër nuk se pala e Alibeajt ka bërë ndonjë organizim apo strategji të qartë fushate. Megjithatë, ajo që duket është se më 14 maj do të duket sa është shtrirja në territor dy pjesëve të opozitës. Berisha, duket qartë se ka frikë se do të dalë bllof ndaj është strehuar në parti të tjera dhe mjedise ekstrapolitike.

Siç është strehimi tek Omonia në Himarë me Fred Belerin, ngaqë nuk ka takat Foltorja në territor. Siç ka kandiduar ish-drejtuesin e policisë në Kamëz, duke shmangur Xhelal Mziun, ngaqë nuk ka besim tek ai.

Gjasat janë realisht për një përplasje më të qartë politike mes alancës Berisha-Meta-Dule dhe pjesës tjetër të PD-së, ku realisht beteja do të bëhet nga njerëzit e territorit, e pikërisht kjo betejë ka rëndësi të madhe për vijimin apo jo të tranzicionit shqiptar.

Fitorja e “detyruar” e PS-së në shumicën e bashkive, nuk se do të ketë peshë politike për opozitën më shumë se për mazhorancën, pasi e rëndon peshën e saj në zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që një opozitë freskët mund të avancojë fuqishëm krahas një burokracie të lodhur.

Pikërish kjo betejë politike mes opozitës në kutitë e votimit, që nuk se është e pjesshme porn ë të gjithë territorin, është realisht zhvillimi më i rëndësishëm i 14 majit. E këtë e di mirë Berisha, ndaj do të rrisë egërsinë e njerëzve “të dehur” që do të thërrasin për hedhje në kanal apo edhe vrasje. Duan thjeshtë të trembin sa më shumë votues opozitarë…