Rreth 2.500 mjekët specialistë që shërbejnë në sistemin shëndetësor të vendit tonë do të marrin 50 mijë lekë më shumë në pagën e tyre duke filluar nga 30 prilli. Nga Kongresi i Shëndetësisë kryeministri Edi Rama tha se kjo masë merret për të konkuruar pagat në rajon.
“Dhe unë sot duhet t’ju them se në prill, në këtë prill, jo në prillin e vitit tjetër dhe jo në 1 prill, por në 30 prill, mjekët specialistë do fillojnë të marrin 50 mijë lek të reja plus në pagën e tyre. E përsëris, janë të reja, domethënë janë 500 dollarë në muaj plus, domethënë janë 6000 dollarë në vit nëse aritmetika ime është e saktë dhe domethënë janë nga muaji prill.”
Edhe për mjekët e përgjithshëm por dhe infermierët do të ketë një rritje të ngjashme të pagave.
“Ndërkohë që do të mbajmë zotimin për rritjen 7% të pagës për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët. Shpresoj që mjekët specialistë mos ta kërkojnë dhe 7%-in mbi 50 mijë lekëshin dhe në ndërkohë edhe mjekëve të përgjithshëm dhe infermierëve iu them se ne po përgatisim rritje proporcionale me këtë të mjekëve specialistë dhe besoj shumë që në hyrje të 2024 do kemi edhe për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët një rritje të ngjashme.”
Kreu I qeverisë deklaroi se nëpërmjet autonomisë spitalore paga më të mira do të ketë në sistemin shëndetësor por jo të barabarta për të gjithë.