MENU
klinika

Flet për hapësirën që Tirana nuk ia jepte dot

Rrëfimi i Benet Becit, nga familja, te marrëdhënia me Shkodrën

31.03.2023 - 10:04

Rrëfimi në vetën e parë. Kandidati për kryetar i Bashkisë Shkodër tregon për fëmijërinë e tij, familjen, vlerësimin për prindërit. Marrëdhënien me Shkodrën, si qyteti i dashurisë, hapësirës, vëmendjes e mirësjelljes, që Tirana nuk ia jepte dot. Shtëpia e gjyshërve tek Ura DervishBeg, gatimet e nana Nadias, rregulli e drejtpërdrejtësia e gjyshit Jonuz.

Pesha e të qenit pjesë e fisit Beci, kontributi ndër breza i personaliteteve të dala nga ky fis. Një përshkrim për nënën e tij Vlerën, mësuesen e çdo gjëje që di në jetë dhe babës Bahri, shkencëtarit të paepur që vijon të punojë edhe pse 87 vjeç. Ndikimi që ata kanë patur në çdo hap të jetës e se si, i përkëdhelur prej fatit, ai ende konsulton me ta, vendimet e rëndësishme në jetë.

E më pas Fitorja, historia e një dashurie që është në fakt historia e një jetë që kalohet bashkë, prej gati 40 vitesh. Edenja dhe Edoni, fëmijët që sot s’janë më të tillë, por gjithmonë janë pranë, si kritikues të guximshëm dhe mbështetës të sinqertë.

“Më kujtohet në një moshë kur kisha dëshirë të lexoja, ai kishte lënë në Shkodër shumë libra nga koha kur ishte i ri duke mos arritur t’i transportonte në Tiranë. Një nga qejfet e vajtjes në Shkodër ishte zbulimi i librave që ishin në ahër, të ruajtur dhe ne i merrnim në tren me çanta. Sa herë që shkonim merrnim 4-5 libra të mëdhenj, ca libra rus të përkthyer si të Gorkit por edhe libra të autorëve të kohës si të Cvajgut. Libra që deri diku ishin gjysmë të ndaluar asokohe, nuk i gjeje, por kur i gjeja në ahër ishte një nga eksperiencë krejt tjetër. Shtëpia e gjyshit dhe Shkodra për mua ka qenë edhe një dimension tjetër i botës fëmijërore dhe mezi prisja të shkoja.

Gjyshi, Jonuzi, ka qenë një njeri jashtëzakonisht i drejtë, njeri që e mbanin deri diku si të drejtpërdrejtë. Nadia, gjyshja, ka qenë një zonjë shtëpie e jashtëzakonshme, ushqimet dhe gatimi i saj nuk gjejnë as sot konkurrent për mua edhe pse gatimet e restoranteve në Shkodër janë shumë të mira, kuzhina e saj ka qenë e mrekullueshme. Ime më mësoi shumë nga kuzhina e gjyshes dhe bëjmë shaka me tim atë duke i thënë se nganjëherë ia arrin gjyshes por kurrë nuk mbetet ajo “gjella e shterrun”, ai gatimi tradicional i gjyshes e teshpixhja kurrë nuk i del si gjyshes. Gjithmonë ime më pyet tim atë: “Arrita ta bëj si Nadia apo jo?”.

Kështu që eksperienca e kuzhinës ishte gjë tjetër në shtëpi. Ishte një familje tejet e rregullt. Unë ende nuk kam parës si shtëpia në Shkodër; ka qenë një shtëpi ku nuk lëvizte asgjë. Me drita fikur mund të gjeje në vendin e duhur, në sirtarin e duhur gjënë e duhur. Ishin jashtëzakonisht të rregullt, sigurisht edhe familje e sistemuar falë gjyshit por edhe gjyshja ashtu ka qenë. Ne në shtëpinë tonë e kemi trashëgu këtë nga babi, krijimin e një familjeje të rregullt. Shkodra për mua ishte një zbulim, një dimension që nuk e kisha dot kurrë në Tiranë për sa i përket dashurisë, hapësirës, xhentilesës ku ti gjithmonë gjeje diçka që të donte më shumë se sa në Tiranë. E gjeje nëpër rrugë, dyqane, tek njerëzit e tu; është një dashuri që edhe tani e ndjej prapë, është një shoqëri që të do edhe është shumë e sjellshme dhe e gëzueshme.

Dasmat, festat kanë qenë të paharrueshme për ne. Kujtoj 70-vjetorin e gjysh Jonuzit, ka qenë një mrekulli në shtëpi por dhe dasmat e kushërinjve. Në thelb për mua mbetet ai kujtim i shtëpisë tonë, që është akoma tek ura Dervishbeg, një hapësirë e cila më ka mbush shumë gjatë kohës së fëmijërisë me dashuri, me dritë e me gëzim. Unë në fakt peshën e Becëve e kam ndjerë jashtëzakonisht shumë jashtë Shkodre, kur isha në Tiranë, dhe kur lëvizja me projekte në të gjithë Shqipërinë. I kam ndjerë emrat e Becëve të famshëm që kishin njohje deri në fshatërat e Beratit, në Vlorë, në Rrëshen duke lënë emër gjithandej. Kemi pasë shumë kushërinj me emër atë kohë, si Zyheri, Skënderi, Ymeri, Eqeremi, Abdullahi. Të gjithë këto emra që përmenda, pa harruar të tjerë, kanë qenë ikona në fushat e tyre, pa e ekzgjeruar, sa herë që i referohem atyre.

Kur erdha në Shkodër më shpesh, gjatë këtyre viteve të fundit, e kuptova që ata nuk ishin thjesht disa individë me emër të fisit tim por ishin në fakt një ndjesi e të gjithëve për mbiemrin Beci. Këtë vazhdoj ta ndjej çdo ditë. Në diskutimet e mia në takime me njerëzit, ata kanë hapë në fakt një rrugë të pazakontë për një fis. Kanë hapë një opinion, dashamirësi dhe besim që unë e shoh çdo ditë dhe është kthyer në një lloj pritshmërie të lartë që dikush me një mbiemër si i joni vjen tani në Shkodër dhe duhet të përmbushë çdo pritshmëri të një fisi që ka bërë një emër shumë të mirë. Më kujtohet një takim me Z. Zef Çoba ku po më shpjegonte pse kishin kaq respekt, sepse shumë prej tyre kanë qenë në atë sistem dikush me komitetin e partisë apo punë të ndryshme por të gjithë lanë pas një emër të mirë.

Për Skënder Becin më tha: “Ai përdori petkun e partisë për t’i shërbyer Shkodrës dhe për t’i bërë mirë shkodranëve”. Ishte shenjë e një filozofie e cila kishte përshkru të gjithë edukatën që bashkonte Becët. Në çdo rast kam pasur parasysh punën e tyre dhe aktivitetin e tyre që përveç profesionit që kryenin kanë qenë dhe shumë humanë, njerëz që kanë ndihmuar shumë të tjerët. Kjo besoj i bashkon të gjithë ata dhe të gjithë i kujtojmë për këtë gjë. Doktori është djali i Skënderit, një prej ikonave të fisit tonë. Duke qenë doktor i ka shërbyer të gjithëve dhe mbetet një njeri shumë i dashur, kudo që shkojmë me doktorin njerëzit e përshëndesin, e vlerësojnë dhe i ka shërbyer kujtdo me të njëjtat parime si babai i tij dhe si disa nga Becët e tjerë.

Unë rrjedh nga dy prindër të cilët janë… ime më ka qenë mësuese rusishteje prej shumë vitesh, e ka emrin Vlera, gjithmonë ka qenë emër i veçantë. Im atë, Bahriu, është tipik profesori i thelluar shkenctar, në konceptin tim se si është një shkenctar besoj se është im atë tipikisht. Në gjithë jetën e tij ai ka qenë një njeri shumë studioz, ka punuar shumë, ka shkruar shumë. Me ne është marrë pak, më shumë është marrë ime më me angazhimin e saj si në çdo familje por im atë ka qenë njeriu që ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në formimin tonë parimor dhe koncepteve të drejta për jetën, të përgjegjshmërisë, ndershmërisë edhe të punës. Nëse ka një gjë që i shkon për shtat tim eti është puna.

Ai është sot 87 vjeç dhe vazhdon punon, ka shkruar 60 libra, doktor i shkencave të Sorbonës dhe në Shqipëri, anëtar i Akademisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Im atë është njeri që s’ka rendur kurrë së punuari, më ka munguar gjithnjë sepse kalonte shumë kohë në dhomën e tij të punës. Duhet të trokisja për mos ta shqetësuar, ime më kujdesej gjithmonë të mos prishnim qetësinë e tij për të punuar edhe kjo ka qenë ndoshta pjesa kryesore dhe në darkë kur hanim bukë bisedonim për problemet që kishte. Gegnishtja ka qenë shpeshherë pjesë e bisedave tona e në parantezë duhet të them që drekat në shtëpinë tonë ishin një shkollë ku unë kam shkëmby e dëgju ide ku unë, im atë dhe ime më ishim të barabartë në tavolinë. Bisedonim se çfarë kishte ndodhur në punën e secilit.

E shtuna dhe e diela ishin ditë kualitative dhe ne dinim gjëra mbi punën që duhet të bënte im atë, ime më, problemet në shkollë të tyre dhe tonat duke pasur gjithmonë diskutime. E vlerësoj shumë institucionin e tavolinës ku prindërit dhe fëmijët flasin, diskutojnë dhe shkëmbejnë eksperienca që duket se tashmë mungon. Gegnishtja ka qenë një nga studimet e thelluara që im atë ka bërë. Në shumë kohë me ekspeditat nuk ka lënë asnjë fshat dhe nuk besoj të ketë njeri të ketë njohur dhe të ketë hyrë në detaje gjeografike dhe të gjuhës si im atë për gegnishten. Për të folmet veriore dhe veriperëndimore të shqipes ka qenë tema e tij e doktoraturës në Sorbonë, ku mori një nga çmimet më të larta të jurisë atje duke marrë titullin doktor shkencash.

Kanë përdorë metoda eksperimentale shumë të avancuara në atë kohë ku incizimet e zërave dhe të folurës, të leksikut të Veriut studioheshin për të parë se si krijoheshin dhe çfarë ndryshimesh kishte gegnishtja me toskërishten dhe deri ku shkonte lashtësia e gjuhës dhe provat e lashësisë së gegnishtes në kuadër të formimit të shqipes. Si i tillë, ai ka pasë një njohuri të thelluar dhe të specializuar në këtë gjë, kështu që ka pasur një ndjeshmëri shumë më të lartë dhe vazhdon ta ketë. Sa herë kemi diskutu më ka bërë përshtypje se unë si i ri e merrja me nervozizëm faktin që gegnishtja ishte si e mohuar dhe e papranuar; shpeshherë i drejtohesha me një farë mllefi se pse ndodhte ashtu.

Ne jemi rritë që fëmijë me ndjesinë e të qenit shkodran tamam. Im atë kurrë nuk e ka heqë këtë ndjesi e ne si fëmijë e kemi trashëgu, duke fillu që nga ndeshjet e sportit kur shkonim shihnim Vllazninë bashkë. Në gjithë ndjesinë tonë gjithmonë ka qenë të qenit shkodranë, te gjyshi ishim krenarë për atë që kishim e atë që bënim, pasuritë që kishim. Gjyshja kishte qenë shumë e pasur por ia kishin marrë pasuritë, dikush e ka dorëzu vetë e dikujt tjetër ia kishin marrë me zor (dëgjoja fshehurazi biseda nëpër shtëpi).

Ndjesia e krenarisë për Shkodrën ka qenë në thelbin e traditës tonë familjare edhe bisedave në familje. Ne ndiheshim gjithmonë si shkodranë dhe kam mendu se të qenit nga Shkodra është një privilegj shumë i madh, si fëmijë kuptoja se ajo ishte gjëja më e rëndësishme. Nuk kishte diçka më të madhe se Shkodra. Shtëpia jonë tek ura Dervishbeg ka qenë një shtëpi e madhe tradicionale shkodrane me çardak; me ahër; oborr si para edhe nga mbrapa, pus e shumë lule; me dritare me hekurat që vareshim menjëherë; me tavane që i numëronim para se të flinim gjumë me format që kishte. Ishte një ambient që unë e shijoja shumë duke qenë se në Tiranë jetoja në një apartament. Kthimi në Shkodër tek shtëpia e gjyshit ishte një hapësirë që nuk e kisha diku tjetër, një hapësirë e madhe. Përveç kësaj, im atë kishte shumë libra

Më kujtohet një njeri që më pyeti para disa kohësh: “Pse duhet të ndihem unë qytetar i dorës së dytë se flas gegnisht?”. Ishte një perceptim atë kohë se kishte një ndarje në vitet e fillimit. E kam admiruar tim atë qetësinë dhe racionalitetin e tij për t’i parë vendimet e marra për gjuhën standarde shqipe në mënyrë racionale. Për herë të parë, me sa kujtoj, im atë bëri një kongres të gjuhës për të thyer tabunë e diskutimit të gjuhës standarde, jo për ta kthyer atë ka qenë gjithmonë i kujdesshëm për këtë, por për të parë dhe diskutuar realisht tabunë e mosdiskutimit për gjuhën.

Mendoj se ka qenë në të gjitha opionionet dhe gjykimet për këtë gjë, njeriu më i matur megjithëse njeriu më i ditshëm për gjuhën letrare dhe për efektet dhe ndikimin e gegnishtes në gjuhë, ndoshta dhe për mendimin tim edhe një mbrojtës i arritijes së gjuhës letrare por dhe konstatues i saktë i disa mungesave që ka pasë gjuha letrare me mospërfshirjen e gegnishtes në masën e duhur. Ky është opinioni im personal, ai është shumë i qartë në ato që ka deklaru për pjesen e gjuhës por unë di që gegnishtja ka qenë edhe shkencërisht, edhe shpirtërisht një gjë e shenjtë në familjen tonë edhe mjaft e rëndësishme.

Me Fitoren jam njohur në gjimnaz, kam qenë në vitin e katërt ndërsa ajo në vitin e parë. Një nxënëse që binte shumë në sy duke qenë mjaft sportive dhe unë kam qenë shumë sportist në atë kohë, luanim basketboll duke krijuar ambiente sportive në gjimnazin “Ismail Qemali”, ka qenë një shkolle shumë e mirë dhe me shumë aktivitete dhe me jetë shumë interesante gjimnazi. Jeta e gjimnazit është një nga kohët më të bukura për çdo njeri e atë kohë e kujtoj me shumë nostalgji. Jemi njohur ne gjimnaz e s’jemi ndarë më prej 40 vitesh. Në 1992 jemi martuar, djali Edoni është femija i parë dhe pastaj Edenja lindi në 1997, pra kemi dy femijë. Ata janë rritur tashmë.

Me fëmijet jemi munduar me pasë relacione pak më të afërta. Me fëmijët në fakt Fitorja është marrë më shumë me ta duke qenë më e disponueshme dhe njëkohësisht mësuese është u marrë gjithë kohën me ta, me detyrat duke qenë pak më shumë perfeksioniste, ishte gjithë kohën mbi kokë. Unë me fëmijet kam qenë babai liberël, më i qetë. Jam mundu shumë që të kishim kohë kualitative me to, sidomos në kohën kur rriteshin, në çdo lloj situate të ngarkesave që kemi pasë, pavarësisht çdo punë që kishim, në fundjavë të ishim bashkë dhe të shkonim diku të kalonim kohë me fëmijët. Atë kohë fëmijet e kujtojnë shumë mirë se bënim ekskursione, shkonim me makinë më vonë sepse kishim nevojë të dilnim dhe ishim gjithmonë bashkë, këndonim bashkë, shëtisnim bashkë Kemi qenë me fëmijët në një kohë mjaft të rëndësishme duke u ndodhur pranë tyre të paktën dy ditë në javë i kalonim kështu. Tani ata janë rritur, kanë filluar punët e tyre duke u bërë gjithnjë e më shumë të pavarur. Unë me Fitoren jemi më shumë bashkë në shtëpi.

Shpeshherë janë kritik dhe guxojnë të na komentojnë apo sugjerojnë, gjë që më pëlqen se tregon kurajo. Kur e shohin që kemi nevojë për mbështetje, kthehen në mbështetës. Në momentin që kemi situata që mendojnë se duhet të jemi bashkë, ata janë mbështetje e jashtëzakonshme. Kështu që i kanë të dyja, i gjejmë të dyja tek fëmijët, kanë dhe ndjeshmërinë e prindit kur kanë nevojë për mbështetje apo një fjalë të mirë, ashtu sikurse shpeshherë debatojmë, Edenja është pak më kritikuese do të thoja, bën më shumë vërejtje; Edoni është pak më i qetë dhe më i matur por them që janë në balancë. Në shtëpi janë të pranueshme, krijohet kjo atmosferë. Tani gjithmonë e më pak ata janë prezent sepse kane agjendat e tyre dhe ndonjëherë i them se duhet ftesë për t’i takuar, duhet t’i ftoj 2 ditë përpara për të ngrënë një drekë ose darkë. Sigurisht bëhemi shpesh dhe rrimë me kënaqësi.” //Shkodra pozitive

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"E përbashkëta me Kryeministrin është…"

Benet Beci tregon pse vendosi të garojë me PS në Shkodër

"Këtë vit investojmë vetëm 20 mln euro..."

Benet Beci: Skavica, investimi më madhor

"Mbështes kërkesën e drejtë për ndërtimin e rrugës"

Benet Beci ndan pamjet nga protesta në Shkodër


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin