MENU
klinika

“Tigri 1” dhe “Tigri 2”

Termocentralet lundruese, shteti paguan 94 mijë USD qira në ditë pa i vënë në punë

10.03.2023 - 11:45

Një skandal i përmasave të papara me TEC-et lundruese të marra me qira për të prodhuar energji, ka përfshirë korporatën elektro-energjetike shqiptare dhe ministrinë e infrastrukturës dhe energjisë drejtuar nga Belinda Balluku.

Që nga dita e ankorimit të tyre në Vlorë vitin që shkoi e deri më sot, këto termocentrale nuk janë vënë asnjëherë në punë, pavarësisht se taksapaguesi shqiptar paguan mbi 94 mijë dollarë në ditë qira, dhe kontrata parashikon që për dy vite kompania “Exelerate Energy” dhe “Renco”, që ka fituar tenderin, të fusë në xhep plot 68 milionë dollarë.

Me një këmbëngulje të fortë qeveria shqiptare u investua dimrin e kaluar për të siguruar burime energjetike alternative nga hidrocentralet publike, për të përballuar krizën e çmimeve dhe tharjen e kaskadës së Drinit që në fakt erdhi si pasojë e shfrytëzimit pa kriter nga kesh. Tenderi për TEC-et lundruese u shpall në fillim të 2022 dhe fituesi u shpall në pranverë. Kesh investoi edhe 2.2 milionë euro të tjera për ndërtimin e infrastrukturës së aksesimit dhe ankorimit për TEC-et lundruese në portin e peshkimit Triport-Vlorë.

Vetë termocentralet me emra ekzotikë “Tigri 1” dhe “Tigri 2” mbërritën nga Bangladeshi në Shqipëri shtatorin e kaluar, ndërsa një javë më pas ministrja Balluku do të mburrej para kamerës të zyrës së saj të shtypit për leverdinë e këtij investimi. “Sot, Shqipëria ka mundësinë të ketë dy njësitë gjeneruese të energjisë në një nga momentet më të vështira, ku i gjithë tregu në të gjitha shtetet, kanë lobuar për të pasur njësitë gjeneruese që ka pasur tregu. Këto janë një fat për ne, pasi do të na ofrojnë një energji elektrike që sot, tregtohet përmes bursave, me më shumë se 600 euro për megawat/h”, ka deklaruar Balluku në 26 shtator 2022.

Por tashmë parashikimet e Ballukut për çmimet e energjisë janë rrëzuar, pasi këtë javë në bursën e Hungarisë një megavat orë është tregtuar me rreth 140 euro me bazë ditorë dhe 110 euro me bazë javore, dhe nuk dihet nëse ky investim i kesh ka aktualisht leverdi ekonomike. Qeveria kishte venë si afat fillimin e këtij viti për futjen në operim të TEC-ve, ndërkohë që koha ka kaluar dhe qiraja është paguar pa i vënë centralet në punë. Një hulumtim i faktoje.al, një projekt investigativ gazetaresk që financohet edhe nga USAID, ka zbuluar se arsyet burokratike që TEC-et nuk funksionojnë janë disa:

Së pari, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ende nuk e ka marrë licencën e prodhimit nga Enti Rregullator i Energjisë. Se dyti, KESH-it i mungon edhe sasia e lëndës së parë djegëse që i nevojitet termocentraleve për t’u vënë në punë. Se treti, termocentralet as nuk janë testuar ndonjëherë që nga Shtatori i vitit të kaluar. E fundit, është fakti se tashmë energjia në bursa është më e lirë dhe termocentralet nuk kanë leverdi të vihen në funksionim. E njëjta sasi energjie që do të prodhonin TEC-et lundruese është më pak e kushtueshme nëse blihet.

Mbetet mister arsyeja se përse TEC-et nuk u vunë në funksion që në momentin e parë që mbërritën në Shqipëri, megjithëse paratë për to vazhdojnë të paguhen. Theksojmë se impianti i TEC-eve do të përdorë produkte të naftës si lëndë djegëse për të prodhuar energji, ndërsa qeveria këmbëngul se nuk paraqet rrezik për mjedisin. “Kemi kontrolluar të gjitha parametrat dhe ju sigurojmë që edhe sasia e emetimit është sipas kritereve të konventave ku Shqipëria aderon”, deklaroi në shtator ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Por ekspertë të mjedisit janë dyshues dhe i frikësohen një ndotjeje të mundshme të Gjirit të Vlorës. “Nëse do të ketë një ditë që do të ndizet ai termocentral me naftë të rëndë, do të kemi një situatë shumë të vështirë në qytetin e Vlorës, e kuptueshme për arsye se janë 600 tonë naftë me shumë emetim, më shumë ndotje të madhe, jashtëzakonisht të madhe”, thotë aktivisti mjedisor, Lavdosh Feruni për mediat në vend.

PD: Janë kthyer si inceneratorët
Ish-Kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin se është përfituesi kryesor nga dy TEC-et lundruese. Sipas tij, tani kanë dalë 2 gjeneratorë në det, të cilët nuk kanë prodhuar asnjë kilovat/orë energji, të cilët ministrja e Energjetikës Belinda Balluku i cilëson si “Tigri 1 dhe 2”. Ai vijoi duke thënë se këto gjeneratorë kushtojnë 90 mijë euro në ditë dhe se këto para ndahen nga “Belinda dhe tigrat e vetë”, ndërsa Rama merr pjesën e tij. “As pyet ai për varfërimin në rritje të shqiptarëve.

Firmos afera 420 milionë djegësit që nuk ekzistojnë askund. Paratë tuaja kanë përfunduar në llogaritë e tyre off-shore. Vetëm porti i Durrësit kushton 5 miliardë euro që grabiten nga pasuria publike e shqiptarëve. Tani kanë dalë edhe 2 gjeneratorë në det që Belinda i thotë tigri 1 dhe tigri 2. Tigrat e Belindës, të cilët që kur kanë ardhur në ato ujëra gjer sot nuk kanë prodhuar 1 kilovat energji elektrike. Kurse ju paguani qeratë e tyre pa prodhuar asnjë Këh, 90 mijë euro në ditë kushtojnë. 64 milionë euro vetëm ato i vjedhin shqiptarëve, i ndan Belinda me tigrat e vetë dhe Rama merr pjesën e vetë”, tha Berisha. “TEC-et e lundruese të vendosura në gjirin e Vlorës, që kushtojnë 90 mijë euro dita, nuk janë funksionale”. Denoncimi vjen nga selia blu e grupimit të Sali Berishës.

Floriana Garo, zëdhënëse e Partisë Demokratike, deklaron se TEC-et lundruese po kthehen si dy inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, që nuk punojnë. Sipas PD, marrja e TEC-ve duket si një skemë për të ndarë para me ministren që ka firmosur, e ndërsa nuk mungojnë akuzat për SPAK. “Pas mbetjeve në Tiranë, incenerimi imagjinar i të cilave u kushton qytetarëve 80 mijë euro në ditë, po ndodh e njëjta gjë me vjetërsirat që erdhën nga Bangladeshi dhe u ankoruan në një nga gjiret detarë më të bukur të Evropës. “Investitorët amerikanë kanë filluar ta ndiejnë Shqipërinë si vendin e tyre, edhe duke humbur para, se mund t’i çonin këto anije në Gjermani, por e kanë marrë personale ndihmën ndaj Shqipërisë”, ishin fjalët e Belinda Ballukut. Në krah të ministres në Vlorë ishte ambasadorja amerikane Kim, që gjithashtu e shiti këtë investim si ndihmë, jo kontratë biznesi. Kontrata parasheh një pagesë prej 68 milion euro nga qeveria shqiptare vetëm për qiranë. Që do të thotë rreth 90 mijë euro në ditë. Dimri i parë iku dhe kriza e lajmëruar nga Rama nuk i ndezi TEC-et e Ballukut. Kësaj i thonë kontrata për të ndarë para me ministren që ka firmosur.

Burime afër qeverisë njoftojnë se TEC-et e Belindës, “Tigri 1” dhe “Tigri 3” duan kohë që të fillojnë të punojnë. Arsyet burokratike janë disa, por fakti është një. Sipas ekspertëve ata nuk punojnë se energjia në bursa është shumë më e lirë se sa kostoja e prodhimit të saj nga TEC –et, ndaj nuk kanë asnjë leverdi të vihen në punë. E njëjta sasi energjie që do të prodhonin TEC-et lundruese kushton shumë më pak e blerë në bursë. Partia Demokratike e ka theksuar se afera me dy TEC-et është një gjobë 90 mijë euroshe në ditë për shqiptarët. Qeveria është përgjigjur me propagandë. Sa i takon SPAK, ai është kthyer vetë në një rrangallë që as punon dhe as flet”, tha Garo.

Këto TEC-e lundruese erdhën pasi kriza e energjisë që nisi nga fundi i verës 2021 arriti kulmin në vitin 2022 duke ekspozuar Shqipërinë ndaj çmimeve të çmendura në importe. KESH vendosi që të merrte me qira gjenerues termikë energjie dhe në finale pas zhvillimit të procedurave konkurruese u siguruan dy gjenerues termikë lundrues. Anijet janë të vendosura në Triport të Vlorës. Në një skenar për situatën energjetike gjatë 2023 të dhënat zyrtare tregonin se prodhimi i energjisë nga këto njësi do të kushtonte 165 milionë euro. Gjeneruesit parashikohej të prodhonin 884 GËh me një kosto prodhimi prej 185 euro/MWh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ambientalistët kundër, paralajmërojnë pasoja

Dy termocentralet lundrues hedhin spirancat në Gjirin e Vlorës!