Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është shprehur i gatshëm të bëjë zgjidhje kompromisi për të arritur një marrëveshje me Kosovën ku “serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku”.
Para takimit me kryeministrin Albin Kurti në Ohër më 18 mars, Vuçiç ka thënë se nuk ka rëndësi koha se kur do të arrihet kjo marrëveshje, por siç thotë ai, do të ishte sukses historik nëse do të ndodhte.
Presidenti serb ka këmbëngulur se gjithçka çka është nënshkruar mes Beogradit dhe Prishtinës dhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian duhet të zbatohet. Ai ka thënë se kur është fjala për Asociacionin nën patronatin e BE-së, janë nënshkruar katër marrëveshje.
“Këto janë katër marrëveshje. Ne tashmë kemi nënshkruar gjithçka dhe natyrisht është nënshkruar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe duhet të zbatohet. Dhe ky nuk është qëllimi përfundimtar. Qëllimi përfundimtar është që serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku, të jetojmë shumë më mirë dhe të respektojmë njëri-tjetrin pa hasmëri. Nuk kam në plan të flas për fajin e askujt, nuk ka rëndësi nëse do të ndodhë për tre muaj apo tre vjet, por nëse ia dalim do të jetë sukses historik”, ka thënë Vuçiç për Euronews Serbia.