MENU
klinika

Analiza

A është bota në pragun e një Lufte të Dytë të Ftohtë?

12.04.2023 - 15:49

Brenda një jave, gazeta amerikane e lajmeve dhe opinioneve mëme ndikim “Foreign Policy” botoi jo më pak se 6 artikuj duke kërkuar nga politikëbërësit e SHBA-së dhe Perëndimit që të përballen më fort me Kinën për çështjet e drejtave të njeriut, transportit detar, financave, ndryshimet klimatike, llogaritjen kuantike dhe mikroçipet.

Njëri prej tyre i bëri thirrje Uashingtonit të krijojë një “këshill të luftës ekonomike”, për t’i shtuar një element financiar qasjes ushtarake kundër Kinës. Një Luftë e re e Ftohtë duket se është gati të nisë, e cila mund të formësojë jetët dhe kombet për dekadat e ardhshme.

Por shumë njerëz në botë janë të papërgatitur dhe të keqinformuar mbi linjat e betejës që po marrin formë. Tashmë elitat anembanë botës po parashikojnë një shekull XXI të karakterizuar nga konflikte ekonomike, të shërbimeve të inteligjencës, diplomatike si dhe ndoshta ushtarake midis dy kampeve.

Pra midis një grupi aleancash dhe partneriteti të udhëhequr nga SHBA-ja, që përfshin NATO-n dhe vendet kryesore të Azisë-Paqësorit, dhe një aleancë të udhëhequr nga Kina, Rusia dhe partnerëve të tyre përkatës, përfshirë Korenë e Veriut, Bjellorusinë dhe Iranin.

Amerika Latine, Lindja e Mesme dhe Afrika duket se dëshirojnë të mbeten të paangazhuara në këtë përplasje që mund të shndërrohej në fushëbetejë midis dy kampeve. Rivaliteti mund të dalë jashtë kontrollit, me dinamikën në Uashington dhe Pekinit që e çon botën në një konfrontim të hapur midis fuqive bërthamore.

A është bota në pragun e një Lufte të Dytë të

Në autokracitë e Euroazisë është i ndaluar çdo lloj debati. Mediat kineze dhe grupet e ekspertëve e njohin mundësinë e një periudhe të gjatë dhe të rrezikshme armiqësie midis dy fuqive më të mëdha të botës. Por ata fajësojnë vetëm SHBA-në për veprimet e saj.

Mendime të rrezikshëm janë shfaqur edhe në Uashington. Republikanët dhe demokratët janë në garë me njëri-tjetrin se kush mban qëndrime më të ashpra ndaj Kinës. Por votuesit dhe qytetarët perëndimorë kanë fuqi dhe zë dhe duhet të përfshihen në diskutime. Edhe në Europë kjo çështje ka nuancat e veta.

Javën e kaluar, presidenti francez Emanuel Makron dhe presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Lejen ishin në Pekin, duke u përpjekur në mënyra të ndryshme të joshin dhe distancojnë Kinën nga ato që Perëndimi dhe shumë vende të Azi-Paqësorit i shohin si sjellje problematike të saj, duke nisur që nga mbështetja diplomatike dhe materiale për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Në mënyrë të parashikueshme, Makron, i shoqëruar nga një delegacion i madh biznesmenësh francezë, u prit nga zyrtarët më të lartë, ndërsa një Von der Leyen më radikale u shpërfill nga protokolli, por edhe në mediat shtetërore kineze si një vasale e amerikanëve.

Kina është realisht një vend problematik. Ajo po përpiqet të eksportojë kudo (ose të paktën të normalizojë) modelin e saj distopian të sundimit autokratik, të mbështetur nga një shtet mbikëqyrës ekstrem. Ajo ka shënjestruar pakicat e veta ujgure dhe tibetiane, duke konsumuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Shpeshherë ajo vepron si një bulliste globale me vendet më të vogla. Pekini e dënon në mënyrë hipokrite imperializmin perëndimor, edhe pse mbështet luftën pushtuese të Vladimir Putin kundër Ukrainës. Ai vazhdon ta kërcënojë Tajvanin, një komb i pavarur, i renditur vazhdimisht si demokracia më e fuqishme e Azisë.

Por aleatët dhe partnerët e SHBA-së kryejnë rregullisht të njëjtin lloj abuzimi me të drejtat e njeriut. Dhe SHBA është ndër bullistët më të mëdhenj të historisë botërore. Harrojeni pushtimin e saj fatkeq të Irakut, të cilin e filloi pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pastaj janë kërcënimet publike ndaj vendeve më të dobëta, si lufta tregtare që nisi kundër Ruandës së varfër, vetëm për t’i penguar eksportuesit amerikanë që të dërgonin rrobat e përdorura në tregjet e saj të tekstilit. Kryeministri i Kinës Xi Jinping është një autokrat i ftohtë dhe llogaritës, por 69-vjeçari nuk është i pavdekshëm.

Koha e tij do të kalojë, dhe qytetërimi i lashtë i Kinës, popullsia e saj gjigante dhe tregjet do të ekzistojnë edhe pas vdekjes së tij. Tani Perëndimi është duke përpjekur për të zhdukur varësinë e tij të thellë ekonomike nga Kina.

Kjo mund të jetë një gjë e mirë, duke i rikthyer vendet e punës industriale në qendrat e vendeve perëndimore, dhe duke eliminuar zinxhirët e furnizimit absurd, në të cilat nafta nga Gjiri Persik dërgohet në fabrikat e plastikës në Kinë për të prodhuar vrasëse mizash për Europën.

Ndërkaq, edhe SHBA-ja duhet të reduktojë varësinë e saj jo të shëndetshme ndaj borxhit aziatik, sepse ajo i detyrohet 1.85 trilionë dollarë të borxhit të saj Kinës dhe Japonisë. Por ndërkohë, SHBA dhe Perëndimi rrezikojnë të bien viktimë e disa zakone të vjetra të këqija.

Në SHBA ka një fanatizëm në rritje ndaj kinezëve dhe amerikano-kinezëve. Edhe pse Perëndimi i dënon abuzimet kundër disidentëve dhe ujgurëve, midis elitave po flitet gjithnjë e më shumë për partneritet dhe ka një justifikim të abuzimeve të shteteve autoritare në Azi-Paqësor në një përpjekje për të frenuar Kinën.

Ashtu siç Perëndimi mbështeti dikur diktaturat militariste të krahut të djathtë në Amerikën Latine dhe Azi në emër të frenimit të ndikimit sovjetik gjatë Luftës së parë të Ftohtë. Aktualisht ka arsye të forta pse në shoqëritë perëndimore duhet të nisë një debat i fuqishëm, nëse Kina është një partner shqetësues si Turqia; një rivale e denjë siç e imagjinonte Perëndimi deri një dekadë më parë; një kërcënim “ekzistencial”, siç paralajmëroi një kongresmen republikan amerikan; apo një kërcënim për “vlerat universale”, siç e përshkroi së fundmi Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinken.

Por rezultati më i keq do të ishte rrëshqitja me dembelizëm në një luftë globale de facto, të promovuar nga të njëjtët kuadro të politikës së jashtme të Uashingtonit që nxitën luftërat katastrofike në Vietnam, Irak dhe luftën globale kundër terrorit.