MENU
klinika

Ankimimi i Ahmetajt shqyrtohet më 26 prill

Ahmetaj: Po jetojmë me qira, s’kemi shtëpi tjetër

14.04.2023 - 14:37

Seanca për shqyrtimin e ankimin të ish-ministrit Arben Ahmetaj do të shqyrtohet më 26 prill në orën 11:00. Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Dhimitër Lara në Gjykatën e Apelit të Posaçëm. Në apelimin e sekuestros së pronave që janë në emër të partneres së Ahmetajt, Erjola Hoxha, deputeti socialist shkruan se për shkak të vendimit, janë detyruar që të jetojnë në një banesë me qira së bashkë me fëmijën, pasi nuk kanë shtëpi tjetër.

Më 3 prill, ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj ankimoi në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar masën e sekuestros që SPAK i vuri disa ditë mbi parë mbi dy pasuri të paluajtshme. Dy objektet janë në emër të ish-gruas dhe bashkëjetueses aktuale të Ahmetajt dhe janë sekuestruar nga SPAK pasi Ahmetaj është në hetim për shpërdorim detyre, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Në kërkesën e tij në GJKKO, ish-ministri e quajti masën e sekuestros të paligjshme.

Ç’ka ndodhur me Ahmetajn?

Më 8 mars 2023, oficerët e BKH kontrolluan banesën e Erjola Hoxhës, partneres së Ahmetajt në zonën e Gjirit të Lalzit si dhe sekuestruan telefonin e saj. Ahmetaj dhe Hoxha apeluan në GJKKO duke e konsideruar kontrollin të paligjshëm, por kërkesa u rrëzua. Mbrojtja pretendoi se pavarësisht se shtëpia është në emër të Hoxhës, atje jeton edhe Ahmetaj. Ky i fundit është deputet dhe në cilësinë e një ligjvënësi, fillimisht duhet të ishte pyetur Kuvendi për të bërë kontroll në shtëpi. Por ky fakt sipas tyre u anashkalua ndërsa më tej parashtruan se bashkëjetueses së ish-ministrit nuk iu garantua e drejta për të patur një person të besuar pranë para se të niste kontrolli, ndërsa edhe oficerët kanë bërë pyetje provokuese për sendet që kishin në banesë. Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për veprat penale: “Korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”. SPAK ka sekuestruar disa vila që janë pronë e ish-gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.