Ish-zëvendëskryeministri socialist Arben Ahmetaj po bën të gjitha përpjekjet për t’i shpëtuar arrestimit nga drejtësia për çështjen e inceneratorëve. Dy ditë më parë, ish-nr.2 i qeverisë “Rama 3” ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kontrollet dhe sekuestrimin e vilës në pronësi të partneres së tij, Erjola Hoxha në Hamallaj. Relator i kësaj kërkese është caktuar gjyqtari i GJL, Medi Bici. Kujtojmë që pak ditë më parë, Apeli i GJKKO rrëzoi rekursin e Erjola Hoxhës. Ahmetaj, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave ka kundërshtuar kontrollet në pronat e partneres së tij dhe ish-bashkëshortes Albina Mançka. Sipas Ahmetajt, SPAK dhe BKH shkelën Kushtetuën, pasi duhej autorizim nga Kuvendi për shkak se ka mandat deputeti. Gjithashtu, ish-zv/kryeministri pretendon se ndaj partneres së tij është ushtruar presion psikologjik, përvetësim i të dhënave personale dhe moslejim asistimi nga avokat gjatë kontrolleve. Ahmetaj po ndiqet nga drejtësia shqiptare për 4 vepra penale: shpërdorim detyre, korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe përfitimit të paligjshëm të interesave, për aferën e inceneratorëve. Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai rrezikon të dënohet maksimalisht 33 vite burg.
Ja çfarë pretendonte Ahmetaj në GJKKO për kontrollet e kryera
Në 15 mars, në media u raportua se ish-ministri i Financave kallëzoi SPAK dhe BKH në Apelin e GJKKO për kontrollet e kryera të datës 9 mars në 5 pronat (vila dhe apartamente), të regjistruara në emër të ish-gruas dhe partneres së tij. Ish-nr.2 i qeverisë “Rama 3” arsyetoi në kërkesën e tij se kontrollet janë të paligjshme, sepse që organet kompetente të merrnin autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë. Së dyti, ai pretendoi se partneres së tij, Erjola Hoxha, me detyrë Drejtoreshë e Marketingut Strategjik për Ballkanin Perëndimor në kompaninë “4iG” i kërkuan 4 punonjës të BKH të çkodojë telefonin e saj dhe më pas ia sekuestruan. Për ish-zv/kryeministrin, ky veprim është shkelje e ruajtjes së privatësisë dhe të dhënave personal. Duke shkuar te kontrollet e kryera në vilën e Erjola Hoxhës në Hamallaj, Ahmetaj akuzon BKH dhe SPAK se kanë trysnuar e frikësuar partneren e tij, duke mos e lejuar që ajo të thërrasë avokat apo një punonjës shteti, në mënyrë që të ishte i pranishëm gjatë kontrollit. Madje, ish-ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformës shton se Hoxhaj nuk duhet të kontrollohej pasi nuk është zyrtare publike apo funksionare shtetërore.
Kontrollet dhe sekuestrimet e 2 vilave, u gjetën 30 mijë euro dhe disa dokumente
Pasi Ahmetaj paditi SPAK dhe BKH në Apelin e GJKKO, 9 ditë më pas, në 24 mars, SPAK vendosi nën sekuestro preventive vilën e Mançkës në Palasë dhe atë të Hoxhës në Hamallaj. Ish-gruaja e Ahmetajt hodhi poshtë faktin se vila ku banon në Palasë është në pronësinë e saj. Ajo u justifikua se këtë ndërtesë ia ka lënë një mikeshë e saj që jeton në Zvicër. Gjatë kontrollit, SPAK dhe Policia e Vlorës gjeti sende personale dhe fatura, së bashku me dokumentet e pronësisë së banesës. Në 9 mars, punonjës të SPAK, BKH dhe policisë kryen kontrolle në 5 pronat në emër të ish-bashkëshortes dhe partneres së Ahmetajt: vila e Albina Mançkas, në zonën “Rolling Hills”, apartamenti në emrin e saj në pallatin “Tuborg” në ish-Bllok, vila në Valamar në pronësi të Erjola Hoxhës, një apartament i saj i porositur në kompleksin “Valamar” dhe një vilë në komplesin “Green Coast”. Në vilën në Hamallaj të Hoxhës u gjetën 30 mijë euro dhe disa dokumente, kurse në vilën e Mançkës në Palasë u gjetën vetëm disa dokumente që u sekuestruan.
Ahmetaj u konfliktua me Zoton në Milano
Së fundmi janë bërë publike disa email-e që komprometojnë Ahmetajn, emri i të cilit figuron në disa fatura të paguara për llogari të tij, nga biznesmeni Klodian Zoto në së paku 8 hotele luksoze jashtë vendit. Zoto është një nga tre personat e shpallur në kërkim nga SPAK për vjedhjen e miliona eurove me aferën e inceneratorëve. Për shkak se është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, Arben Ahmetaj ka nisur të lëvizë dhe kohët e fundit ka të dhëna që ka dalë jashtë vendit dhe ajo që bie në sy është se janë shtete që pranojnë dhe azile. Në dy nga vendet që është parë janë Zvicra dhe Italia. Flitet që në Milano, Ahmetaj është përballur dhe me një situatë që e ka tronditur fort. Dyshohet se ish-ministri socialist ka patur përplasje shumë të ashpër me biznesmenin Klodian Zoto. Ngjarja përflitet se ka ndodhur në një nga hotelet më luksoze të Milanos. Sherri ka qenë aq i fortë sa është dashur dhe ndërhyrja e personelit që të qetësohej situata. Madje thuhet se në hotelin luksoz ka shkuar dhe policia. Nuk dihet arsyeja e përplasjes së tyre, por prapaskenat janë edhe më të thella.