MENU
klinika

Kapen me dru të prerë në “Toyota” dhe të fshehur në pyll ilegalisht

Arrestohen dy persona në Pogradec

18.04.2023 - 13:23

Në vijim të kontrolleve të mbështetura nga inteligjenca informative, me fokus parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, kanë goditur një rast tjetër në këtë fushë, për të cilin u arrestuan në flagrancë shtetasit R. K., 39 vjeç dhe S. Sh., 42 vjeç, të dy banues në Pogradec.

Shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin R. K. dhe pasagjer shtetasin S. Sh., dhe gjatë kontrollit të ushtruar në të, kanë gjetur një sasi lënde drusore e dyshuar e prerë nga këta 2 shtetas, në kundërshtim me ligjin, në zonën e mbrojtur të pyjeve të fshatit Peshkëpi.

Në vijim të kontrolleve për këtë rast, në një parcelë të kësaj zone të mbrojtur, u gjet dhe një sasi tjetër lënde drusore, e prerë në kundërshtim me ligjin, nga po këta dy shtetas.

Lënda drusore, së bashku me automjetin me të cilin po transportohej dhe një motorsharrë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Kontrollet në zonat e mbrojtura dhe në të gjithë territorin e qarkut të Korçës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, vijojnë.