Çdo takim që bën bashkë udhëheqësin serb të Bosnjës Milorad Dodik dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, pa dyshim është një “recetë” për luftë, në një rajon historikisht të trazuar. Kështu ka ndodhur edhe së fundmi, pas deklaratave se Republika Sërpska mund të vendosë të shkëputet nga Bosnjë-Hercegovina.Drejtuesit e ministrive kyçe përgjegjëse për sigurinë në vend kanë shkëmbyer fjalë të ashpra dhe kërcënime, duke intensifikuar kështu tensionet e shkaktuara nga grindjet e politikanëve serbë dhe boshnjakë për mosmarrëveshjen për statusin e pronës shtetërore.
Bashkimi me Serbinë
Ministri i Punëve të Brendshme të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Aljoša ?ampara, ka reaguar ashpër ndaj mesazheve nxitëse të dërguara nga presidentët e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Milorad Dodik, të Republikës Sërpska. Ata të dy e shfrytëzuan përkujtimin e viktimave të kampit famëkeq të Jasenovacit, për të dërguar mesazhe se “serbët janë ngopur”, domethënë se RS dhe Serbia do të bashkohen në një shtet sepse është e drejta e tyre. Teksa foli për ngjashmërinë e krimeve të ndodhura gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe atyre në luftën e fundit në Jugosllavi, Dodik, deklaroi se shekulli i kaluar ishte ai i vuajtjes serbe, ndërsa shekulli aktual do të jetë ai i bashkimit të serbëve. “Një ditë ne do të jemi një shtet. Askush nuk do të na ndalojë që ta bëjmë këtë sepse është e drejta jonë dhe historia jonë”, tha Dodik. Ai bëri një sërë akuzash ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në Bosnjë, të cilët ai i quajti “fundërrina”, duke theksuar se ata dëshirojnë të marrin pronat nga serbët në Republikën Sërpska. Po ashtu, Dodik kritikoi përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe diplomatët perëndimorë “për barazimin e krimit në Srebrenicë me vuajtjet në Jasenovac.
Alarm për luftë
Pas këtyre komenteve, Ministri i Punëve të Brendshme të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Aljoša ?ampara, publikoi një deklaratë në të cilën paralajmëroi se forcat e sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, janë të gatshme t’i përgjigjen çdo shkeljeje të rendit kushtetues dhe ligjor të shteti. Ai i tha Dodikut se ai duhet të jetë i vetëdijshëm se askush nuk do të hezitojë të përdorë të gjitha kapacitetet e sigurisë nëse ai përpiqet të shkatërrojë paqen, sepse çdo përpjekje për shkëputje çon në mënyrë të pashmangshme në luftë. “Bashkë me EUFOR dhe NATO kemi kapacitet të mjaftueshëm për të penguar çdo përpjekje për të sulmuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës”, tha ?ampara, i cili është anëtar i Popullit dhe Drejtësisë (NiP), një parti, pjesë e koalicionit qeverisës. Ai e përmbylli deklaratën me një mesazh drejtuar presidentit serb Vuçiç se ai duhet të dijë se boshnjakët nuk do të jenë më të papërgatitur siç ishte në vitin 1992.
Përplasjet e brendshme
Megjithatë, pati kundërpërgjigje edhe për ?ampari-n, nga ministri aktual i Sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë, Nenad Neshiq, i cili është edhe lider i Aleancës Popullore Demokratike (DNS), partner i Dodikut dhe gjithashtu anëtar i koalicionit qeverisës. Neshiq ka thënë se do të parandalohet përpjekja për mobilizimin e organeve të policisë shtetërore, sepse serbët që janë të punësuar në to nuk do ta lejojnë. Aparati i sigurisë në BiH është shumë i decentralizuar dhe tani ka rreth 16 agjenci të ndryshme policore që veprojnë në vend. MUP-i mono-etnik i Republikës Sërpska, i cili mbikëqyret plotësisht nga Dodik dhe me urdhër të të cilit një pjesë e policisë unitare më parë u shndërrua në njësi paraushtarake të armatosur, është gjithashtu e centralizuar. Të gjitha ministritë e tjera, Drejtoria për Koordinimin e Organeve të Policisë dhe Policisë Kufitare si dhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë (OSA) janë të organizuara në bazë etnike. Forcat e armatosura po ashtu. Megjithatë, ministri i mbrojtjes i BiH Zukan Helez është i bindur se ka kapacitete të mjaftueshme për ndërhyrje në rast të një kërcënimi sigurie. Ai njoftoi javën e kaluar se në rast se Dodik ndërmerr hapa konkretë në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, rendi kushtetues dhe juridik do të rivendoset shumë shpejt.