MENU
klinika

Analiza nga Janusz Bugajski

“Perëndimi, i butë me Beogradin”

09.10.2022 - 16:38

Nga Janusz Bugajski /Sipas perceptimit të përhapur në Ballkan, teksa mundohen të qetësojnë Serbinë, qeveritë perëndimore, në fakt, po kontribuojnë në destabilizimin e rajonit. Edhe pse presidenti Aleksandar Vuçiç ndjek agjendën e “Botës Serbe” dhe ndez armiqësitë ndëretnike, ai po trajtohet si burrështeti konstruktiv, që mund të ndihmojë në arritjen e sigurisë rajonale.

Dy janë arsyet kryesore të kësaj politike perëndimore, njëkohësisht dëmtuese për vetë perëndimin: iluzioni i ndryshimit (të Vuçiç) dhe shmangia e rrezikut.

Udhëheqësit e ShBA dhe të BE-së, me sa duket, vërtet, besojnë se liderët politikë si Vuçiç mund të shndërrohen në demokratë bashkëpunues. Dhe se kjo, me sa duket, do ndodhë përmes pjesëmarrjes në takime dhe negociata të nivelit të lartë, të cilat do të gjenerojnë besim të ndërsjellë. Sipas këtij skenari, edhe një “ish”-nacionalist do e kuptojë se, nëse do që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe të bëhet anëtare konstruktive e bashkësisë ndërkombëtare, atij i duhet të bëjë kompromise.

Problemi është se Beogradi lulëzon prej gjenerimit të konfliktit. Ai ka shfrytëzuar besimin naiv të Perëndimit se po parandalon pasoja të rënda, kur pranon refuzimin e tij për të njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ndërsa angazhohet në negociata të ndërmjetësuara nga BE-ja që nuk sjellin përfundime, Vuçiç kërcënon në mënyrë të përsëritur Kosovën dhe kundërshton me vendosmëri pavarësinë e saj.

Ai shpesh provokon mosmarrëveshje, si tentativë për të diskredituar qeverinë e Prishtinës, në mënyrë që të mund të shtyjë pafundësisht çdo marrëveshje që çon drejt njohjes ndërshtetërore.
Beogradit, gjithashtu, i lejohet të kontribuojë për destabilizimin e Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi pa pasoja të mirëfillta.

Edhe pse Vuçiç dhe lideri i Republikës Serbe (Republika Srpska) Milorad Dodik mund të mos e pëlqejnë njëri-tjetrin, politikat e tyre përforcohen në mënyrë të ndërsjelltë. Dodik e mban Bosnjën të paqëndrueshme, ndihmon në ringjalljen e pretendimeve nacionaliste kroate ndaj Hercegovinës perëndimore dhe ruan marrëdhënie të ngushta me Moskën. Kjo e ndihmon Vuçiçin të ndjekë agjendën e tij “Bota Serbe”, teksa e mban Sarajevën të paqëndrueshme, duke i lënë fajin e Beogradit Banja Lukës.

Një arsye tjetër për qasjen e butë ndaj regjimit të Serbisë është shmangia e rrezikut. Në vend që të ndërmarrin politika më rigoroze, për të arritur objektiva specifike, qeveritë perëndimore preferojnë të ruajnë status quo-në për aq kohë sa gjendja nuk përshkallëzohet në dhunë. Vuçiç po luan me këto frikë dhe deklaron se, pa të, elementët më radikalë mund të ndezin luftë të mirëfilltë në mbarë rajonin.

Paradoksalisht, qasja e dobët perëndimore, me qëllim qetësimin e nacionalizmin ekspansionist, ka më shumë gjasa të rezultojë në përllogaritje të gabuara dhe dhunë, sesa një politikë e fortë për konsolidimin e shtetit në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë, dhe neutralizimin e të gjitha projekteve pan-kombësi.

Për sa kohë Brukseli dhe Uashingtoni nuk vendosin një afat kohor të qartë për njohjen e ndërsjellë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe nuk specifikojnë pasojat ekonomike dhe diplomatike të mosnjohjes, Vuçiç do të vazhdojë të luajë kartën e Kosovës për të unifikuar nacionalistët dhe për të krijuar pasiguri.

Po ashtu në Bosnje, për sa kohë nuk ka një reagim tërësor kundër separatistëve serbë dhe kroatë dhe vendosmëri për të reformuar strukturën shtetërore, vendi do të vazhdojë të jetë i prirur ndaj destabilizimit të brendshëm dhe të jashtëm.

Nëse pan-serbizmi konsiderohet të jetë i pranueshëm nga kryeqytetet kryesore të BE-së, atëherë kjo do të nxisë projekte të tjera irredentiste, përfshi pankroatizmin dhe panshqiptarizmin. Zagrebi po vëren me kujdes se si Beogradi shfrytëzon dobësitë e SHBA-së dhe BE-së dhe po mundohet të imitojë sukseset e tij.

Nëse ankesat lokale shtohen dhe Serbia shihet të ketë dorë të lirë në implementimin e agjendës së saj irredentiste, panshqiptarizmi gjithashtu mund të ringjallet. Në Kosovë, e cila përkundër Serbisë ka ndjekur politika të jashtme në përputhje me atë të Brukselit, ka pakënaqësi të kuptueshme, pasi ajo nuk po trajtohet preferencialisht.

Zhgënjimi i përhapur i popullit prej gjendjes ekonomike si dhe ndaj agjencive ndërkombëtare mund të shfrytëzohet dhe keqpërdoret nga politikanë ambiciozë, që do të premtojnë bashkimin kombëtar si rrugë shpëtimi.

BE-ja po e merr me të mirë Vuçiçin, pavarësisht edhe politikave të tij pro-Kremlin. Një politikë e fuqishme e BE do ndalonte çdo fond të para-anëtarësimit dhe do të pezullonte mundësinë e Serbisë për t’u anëtarësuar, në rast se qeveria serbe nuk respekton konsensusin europian për të sanksionuar Moskën, pas sulmit të saj ushtarak ndaj Ukrainës.

Edhe pse Parlamenti Europian ka ndërmarrë, së fundmi, një iniciativë të tillë, rezultatet mbeten të pasigurta. Serbia po kthehet ne një qendër për tregtinë e Rusisë dhe mosrespektimi i sanksioneve nuk ka asnjë pasojë. Qeveritë perëndimore duken të pandërgjegjshme ndaj këtij kërcënimit në rritje dhe madje mbështesin iniciativa të tilla si “Ballkani i Hapur”, duke besuar se do të nxisë bashkëpunimin rajonal.

Në praktikë, nisma të tilla janë të hartuara për të rritur rëndësinë e rolit të Serbisë në rajon dhe për të mundësuar depërtimin në ekonomi të Moskës, pa sjellë asnjë përfitim për qytetarët e zakonshëm.
Qeveritë perëndimore janë përballë një zgjedhjeje të vështirë për sa i përket trajtimit të nacionalizmit ekspansionist serb në Ballkan. Ata mund të vazhdojnë të besojnë se do t’i shndërrojnë radikalët në të moderuar ose mund të vendosin kushte dhe afate të qarta për ekzekutimin e marrëveshjeve dhe të ndalojnë çdo përfitim financiar dhe ekonomik nëse nuk ka dakordësi.

Në fund të fundit, rrugë të mesme nuk ka. /Dita