Ka qenë një seancë rutinë ajo e sotmja në Gjykatën e Elbasanit për çështjen e Pjerin Xhuvanit. Ndonëse sot ishte planifikuar të merreshin në pyetje 5 dëshmitarë dhe të pandehur të cilët kanë munguar në seancat e mëparshme, asnjëri prej tyre nuk ka qenë prezent.
Sipas informacioneve, bëhet me dije se vetëm njëri prej tyre kishte dërguar raport mjekësor, ndërsa për katër të tjerët nuk ka pasur asnjë lloj informacioni. As sot nuk ka qenë e pranishme në seancë avokatja e familjes Xhuvani, Rezarta Tahiraj e cila nuk paraqitet në gjykatë për të dytën herë me radhë.
Sakaq seanca e radhës është emëruar të mbahet në datë 11 Prill, ku do të kërkohet sërish që dëshmitarët dhe të pandehurit që munguan këtë të martë të dëshmojnë në seancën e radhës. Nëse do të ketë prej tyre që nuk do të paraqiten atëherë dispozita ligjore detyrohet të lexojë dëshmitë fillestare të tyre. Në rastin kur këta individë nuk kanë dhënë dëshmi më herët do ju hiqet emri nga lista.
Kujtojmë se në seancën e kaluar gjykata rrëzoi kërkesën e prokurorisë së Elbasanit për thirrjen e deputetit të PD-së, Gazment Bardhi për të dhënë dëshminë e tij si i pranishëm në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhi vrasja.
Më 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve edhe një punonjëse policie.