MENU
klinika

Ekzekutimi i biznesmenit në Lezhë

Dyshohet se Nikulaj i kishte shpëtuar dy atentateve të tjera

21.04.2023 - 11:38

Ekzekutimi i Ardian Nikulajt, biznesmenit të njohur nga Lezha ishte hera e tretë që personat që i ishin vënë pas planifikonin një atentat për eliminimin e tij.

Gazetari Ervin Leka raporton për Panorama TV se më herët ka pasur dy tentativa të tjera për ekzekutimin e Nikulajt të cilat nuk janë finalizuar.

Në vitin 2019 ai ishte vënë në objektivin e një grupi vrasësish me pagesë. Asokohe lajmi u përhap në radhët e policisë duke bërë që ekzekutorët të tërhiqeshin.

Ndërkohë pak vite më vonë, Nikulaj u vu sërish në shënjestër të një grupi që po planifikonte vrasjen e tij por plani i tyre u dekonspirua pas vetë biznesmeni mori dijeni për rrezikun e rrethonte.

Prej asaj kohe, Nikulaj kishte shtuar ekipin e tij të sigurisë dhe lëvizte me automjet të blinduar. Nuk dihet nëse dy grupet që kishin planifikuar vrasjen e tij më herët janë të njëjtët me ata që kryen ekzekutimin dy ditë më parë në lokalin në pronësi të tij në Shëngjin.

Policia nuk ka ende asnjë gjurmë nga autori që u largua me motor nga dera e pasme e lokalit i pa shqetësuar.

Nikulaj njihej edhe për përfshirjen e tij në politikë. Në vitin 2021 ai garoi për deputet në siglën e PSD-së ndërkohë që këtë vit zgjedhor ishte në listat e të njëjtës parti për këshillin bashkiak të Lezhës.