Rënia e euros në kursin e këmbimit me lekun është frenuar në gjysmën e dytë të javës.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të premten euro u këmbye në vlerën e 112.12 lekëve.
Gjatë dy ditëve të fundit, euro ka shënuar me një rritje të lehtë nga niveli minimal historik prej 110.98 lekësh që pati arritur ditën e mërkurë. Sipas agjentëve të tregut, frenimi i rënies së euros mund të ketë ardhur nga një rritje e lehtë e kërkesës, ndoshta e nxitur edhe nga kursi mjaft i favorshëm i monedhës europiane.
Megjithëse rënia e euros për momentin ka ndaluar pranë kufirit të 111 lekëve, pozicioni i monedhës europiane ngelet i dobët dhe perspektivat për rritje të mëtejshme të kursit duken të zbehta, në kushtet kur muajt e ardhshëm pritet të shoqërohen me rritje të ndjeshme të prurjeve valutore nga turizmi.
Sipas ekspertëve, në afatin e shkurtër rënia e mëtejshme e euros mund të frenohet vetëm në rast të ndërhyrjes nga Banka e Shqipërisë, ose, eventualisht edhe nga qeveria, nëpërmjet një strategjie huamarrjeje që mund të tentojë të tërheqë përkohësisht një pjesë të sasisë së madhe të valutës së huaj që qarkullon në ekonominë shqiptare.
Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe në kushte normale Banka e Shqipërisë nuk ndërhyn në tregun valutor. Ndërhyrja e bankës qendrore mund të justifikohet vetëm nga situate të përkohshme destabiliteti apo paniku, që krijojnë pritshmëri të njëanshme dhe kushtëzojnë sjelljen e aktorëve të tregut.
Disa ndërhyrje të tilla kanë ndodhur në vitet e fundit dhe kanë rezultuar të efektshme për ta stabilizuar kursin brenda pak ditësh.
Megjithatë, në situatën aktuale Banka e Shqipërisë ka lënë të kuptohet se nivelet e kursit reflektojnë faktorët themelorë të kërkesës dhe ofertës në treg, ndaj një gjendje e tillë nuk e justifikon ndërhyrjen e bankës qendrore. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor zakonisht bëhen nëpërmjet blerjeve direkte, duke injektuar ose duke tërhequr valutë, në varësi të rrethanave.
Megjithëse në rrethanat aktuale rënia e euros është produkt i forcave të tregut dhe një ndërhyrje në teori nuk duket e justifikuar, zhvlerësimi i ndjeshëm i euros gjatë dy viteve të fundit po bëhet një problem për sektorët eksportues të ekonomisë shqiptare.
Këta sektorë historikisht nuk janë shquar për nivele të larta konkurrueshmërie, ndërsa zhvlerësimi i euros po e kërcënon edhe më shumë këtë konkurrueshmëri.
Një nënçmim me 7.5% i kursit të euros me bazë vjetore nënkupton një rënie në të njëjtën masë të të ardhurave, të shprehura në monedhën vendase. Kjo rënie mund të tkurrë marzhet e fitimit të bizneseve, në kushtet kur reflektimi i kursit të këmbimit në çmimet e shitjes së produkteve nuk është gjithmonë i mundur.
Për këtë arsye, 7 shoqata eksportuese, prodhuese dhe të sektorit të turizmit iu drejtuan këtë javë me një letër Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, ku shprehen se ky zhvlerësim i monedhës euro, ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendase duke drejtuar shumë subjekte drejt falimentimit.