Deri në fund të këtij muaji, India do të jetë vendi më i populluar në botë me afro 1.43 miliardë banorë, duke barazuar dhe më pas duke kaluar Kinën, sipa Kombeve të Bashkuara. “Javën e kaluar, raporti vjetor i OKB-së për gjendjen e popullsisë botërore njoftoi se pika e kthesës do të vijë në mesin e vitit 2023, kur India do të ketë 2.9 milionë njerëz më shumë se Kina”, shkruan Al Jazeera.
Qeveria indiane, e cila nuk ka kryer regjistrim të popullsisë që nga viti 2011, dhe për shkak të pandemisë shtyu regjistrimin që duhej të bëhej në vitin 2021, nuk i ka komentuar zyrtarisht këto vlerësime të OKB-së. India dhe Kina kanë një marrëdhënie të ndërlikuar që përfshin lidhje të forta tregtare dhe një mosmarrëveshje kufitare ndër vite. SHBA dhe aleatët e saj e shohin gjithnjë e më shumë Indinë si një “kundërpeshë” ndaj Kinës.
Por interesat e tyre nuk janë gjithmonë në një linjë. India, ndryshe nga pjesa më e madhe e Perëndimit, nuk e ka dënuar aleaten e saj të Luftës së Ftohtë, Rusisë, për luftën në Ukrainë. Ajo ka mbajtur një qëndrim neutral, edhe pse blerjet e naftës ruse nga India janë rritur. Ky moment historik sa i përket popullsisë ngre pyetje nëse India mund të përsërisë suksesin ekonomik që e bëri Kinën një fuqi udhëheqëse globale dhe ekonomike. Lajmi vjen në një kohë kur India po promovon veten si një lojtar ndërkombëtar në zhvillim dhe si mikpritëse e samitit të G20.
Vendi po bëhet gjithashtu një destinacion gjithnjë e më tërheqës për kompanitë shumëkombëshe që kërkojnë të reduktojnë varësinë e tyre nga Kina. Ekspertët thonë se madhësia dhe popullsia e re e Indisë i japin potencialin për të përsëritur rrugëtimin dhe suksesin ekonomik të Kinës.