Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, ka folur për çështjen e inceneratorëve dhe Komisionin Hetimor që ngriti Parlamenti në vitin 2022.
Sako kujtoi debatet e zhvilluara në Komisionin Hetimor për inceneratorët, kur ajo u thërrit për plehrat në Porto Romano.
Kryebashkiakja e Durrësit tha në podcastin e kryeministrit Edi Rama se debati ishte i padrejtë dhe se në ato kohë nuk i dilte asnjë pikë gjak edhe po ta shpoje.
“Përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetje, doja të bëja një refleksion të asaj që kam ndier unë të paktën në këtë tre vjeçar për të qenurit pjesë në politikë. Në përgjithësi, edhe nga të rinjtë që janë pritet mbase një lloj agresiviteti për t’u bërë i barabartë me atë medium që është në Shqipëri që të jesh politikan duhet të bësh debat, duhet të jesh i sherrosur gjithë kohës e të tjera me radhë dhe unë kam qenë e kundërta e kësaj sepse këtë formim kam edhe këtë natyrë kam. Në përgjithësi jam e fokusuar te puna dhe te raporti me njerëzit. Ajo është më e rëndësishmja për mua, por kur kam qenë në Komision Hetimor patëm një farë përplasje me grupin e komisionit dhe në fakt, unë isha… po të më shpoje nuk me dilte një pikë gjak në atë debat që patëm aty sepse më dukej i padrejtë.
Më dukej i kërkuar sepse unë isha në një fushatë zgjedhore. Pra, më dukej si një mizanskenë tamam kështu më dukej. Ndërkohë, njerëzit më falenderonin, më thonin bravo për sjelljen, për qëndrimin, për përballjen që kisha bërë dhe nuk arrija t’i besoja syve se mua më dukej një gjë negative ajo që kishte ndodhur atje, ndërsa njerëzit e kërkonin këtë gjë mesa duket dhe kjo unë mendoj se duhet të ndryshojë sepse politika nuk bëhet vetëm nëpërmjet këtij debati kaq të fortë dhe shpesh herë shterpë, por bëhet nëpërmjet fakteve, qëndrimeve, nëpërmjet punës, e të tjera me rradhë siç bëhet në çdo profesion tjetër”, theksoi ajo.