MENU
klinika

“Një gëzim i pazbuluar”

Itinerari 8 ditor i një gazetari të huaj në Shqipëri

16.04.2023 - 13:54

“The Times” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, duke e rekomanduar si vendin që turistët do duhet ta vizitojnë me patjetër në këtë sezon veror, sidomos turistët të cilët pëlqejnë të vizitojnë vende duke përdorur biçikleta.

Gazetari Paul Bloomfield ka rrëfyer turin e tij tetë ditor në Shqipëri, ku ka vizituar qytete të ndryshme, kryesisht në jug të vendit, duke theksuar se në këtë zonë të vendit tonë, çiklizmi është një gëzim i pazbuluar nga personat që e vizitojnë.

Për një ekspeditë çiklizmi në jugun e këtij vendi ballkanik, dikur i mbyllur, mendova një mori me rreziqe rrugës, shoferë të fiksuar, apo asfalt i thyer, por jo. Shumica e shoferëve shqiptarë janë të respektueshëm për biçikletat, madje mirëpritës, kurse gropat e dikurshme që gëlltitnin kamionë, ishin zhdukur.

Pengesat tani ishin më piktoreske: togat me rosa në ecje; fermerë që shalojnë anash rrugës gomerë të ngarkuar me pjepra ose mollë; dhe ndonjë breshkë e pakujdesshme që dremit në asfaltin e ngrohtë.

Turizmi në Shqipëri është si një fraksion i Kroacisë, dhe pjesa më e madhe është përqendruar në qytetet kyçe ose përgjatë bregdetit. Vendi po lavdërohet çdo vit më shumë nga kërkuesit e plazheve elitarë.

Në jugun kryesisht bujqësor të Shqipërisë, çiklizmi është një gëzim – kryesisht i pazbuluar. Turi im tetë-ditor me guidë u krye në qytetet, peizazhet dhe vendet antike magjepsëse të jugut të Shqipërisë. Kam qëndruar në bujtina karakteristike dhe hotele me katër yje; zbulova një vend të jashtëzakonshëm rrethuar nga male, me qyteza që shtrihen përgjatë kodrave.

Operatori im turistik ma bëri turin edhe më të lehtë. Ai më ndiqte kudo me një furgon mbështetës dhe lëvizte valixhet e mia çdo ditë.

E nisëm në Tiranë. Në sheshin e gjerë Skënderbej, statuja kalorësiake e heroit kombëtar të shekullit të 15-të qëndron nën hijen e Muzeut Historik Kombëtar. Në fasadën e tij ballore, punëtorët socialistë krenarë, gratë dhe luftëtarët shohin ashpër këmbësorët nga një mozaik triumfalist. Në anë të sheshit gjendet xhamia elegante e shekullit të 18-të e Et’hem Beut.

Një histori e gjatë pushtimi dhe grindjesh, nga ilirët, te grekët, romakët, bizantinët, venecianët, turqit, italianët, Gjermania naziste dhe regjimi komunist i Enver Hoxhës, i ndjekur nga anarkia e vitit 1997, mund të mos kenë lënë shumë vend për bukuri urbane.

Por kjo histori ka krijuar një kulturë dhe gjuhë të ndërlikuar magjepsëse. Me plot 36 shkronja dhe me një gramatikë që mund ta kuptojnë vetëm ata që e kanë gjuhë amtare, shqipja nuk është punë për fillestarë.

Në mbrëmje isha mirënjohës që udhërrëfyesi vendas Erlisi, më lexoi menunë dhe grumbulloi në tryezën tonë, perime të pjekura, byrek, pasta, topa qoftesh, sallatë me domate të shëndetshme dhe kastraveca, djathra të ngjashme me fetën. Mes tyre një djathë që u shfaq i pjekur me spinaq, në një pjatë balte cicëritëse me speca të kuq dhe qepë! Një fërgesë super e shijshme!

E nesërmja na gjeti duke ‘rrëshqitur” në zbritje nga Qafa e Thanës drejt Liqenit të Ohrit, i cili shkëlqente nën diell. Aty rritet një troftë unike. Në bregun perëndimor, takuam shitësit e qepëve dhe arrave që dukeshin si dalekët me gëzof. Peshkatarët na tundnin kapjet e tyre; fëmijë të qeshur na përshëndetnin me dorë.

Duke iu afruar kufirit me Maqedoninë e Veriut në skajin jugor të liqenit, një tjetër kulturë u bë e dukshme: bunkerët. Nga vitet 1960, kur Hoxha u ndesh fillimisht me Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën, kërpudhat dhe tunelet e betonit u shumuan. Me vdekjen e tij në 1985, disa mijëra të tilla ishin të shpërndara, në të gjithë vendin.

Ishte gusht dhe vapë; që në orën 10 të mëngjesit, temperatura kaloi përtej 30 gradëve Celsius. Isha mirënjohës që ndërkohë gjendesha në një majë, ku ndjeja flladin dhe kisha përpara një pamje freskuese, me fusha dhe pemishte të ngarkuara me mollë rozë, ndërsa në horizont shtrihej mali i Gramozit.

Kjo ditë e dytë vendosi ritmin që do ndiqnim: Distanca nga 30 në 45 milje, përpara se dielli të godiste me rreze të plotë. Pastaj, ndalesë për kafe dhe drekë të bollshme, përpara se të vijonim destinacione të reja në freskinë e mbrëmjeve.

Në Korçë, brodhëm nëpër pazarin e restauruar. Dy shekuj më parë, qindra dyqane shisnin këtu mallra të ndryshme të perandorisë osmane. Në një restorant, duke ngrënë djathë të pjekur, u magjepsëm nga një këngë popullore melankolike. Vendasit e quajnë Korçën: “Qyteti i Serenatave”. Si kudo ku u ndalëm, edhe këtu, ushqimet dhe pijet vinin me çmime të volitshme.

Dita pasuese na çoi mes majave të mbuluara me ah dhe pisha, ku pamë lapidarë që përkujtonin partizanët e Luftës së Dytë Botërore që luftuan pushtimin gjerman. Atë natë hëngrëm troftë në një bujtinë, përpara se të shtriheshim për fjetje në disa shtëpiza druri.

Thirrja jonë e zgjimit të mëngjesit erdhi nga patat që gagarisnin dhe gjelat që këndonin. Përparuam në një terren alpin më të lartë, ku muri i bardhë gëlqeror i maleve të Nemerckës ngrihej përpara nesh ndërsa pedalonim mbi lumin Vjosa. Kaluam mes vreshtave me rrush të zi për të arritur në Bënjë.

Aty hasëm një urë madhështore osmane dhe u zhytëm në ujërat termale sulfurore – që janë të mira për problemet e veshkave, mëlçisë dhe stomakut. Për ne ishin tejet qetësuese për gjymtyrët e lodhura nga biçikleta.

Duke vazhduar në jug, pemishtet u zëvendësuan me ullinj dhe shegë, përpara se të nisnim ngjitjen tonë përfundimtare në qendrën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Gjirokastër.

Ky bastion i lashtë ofron pamje spektakolare të luginës së Drinos deri në malet e Lunxherisë. Shtëpitë osmane të lagjes së vjetër, kanë çatitë e tyre të veçanta me pllaka guri. Pazaret dhe rrugët me kalldrëm e bëjnë qytetin më tërheqës të Shqipërisë. Dikur ish-tregtarët e pasur ndërtuan pallate impozante si Shtëpia e Skendurit, e cila ende përmban një dhomë martese të pikturuar bukur me lule shege.

Qendra e vërtetë historike e Shqipërisë, megjithatë, shtrihet 25 milje më në jug. Ne përshkuam pemët e portokalleve drejt liqenit të Butrintit, ku një traget me zinxhirë kërcitës na çoi në zonën arkeologjike.

Te “Eneida”, Virgjili shkruan: “Unë pashë para meje Trojën në miniaturë”. Dhe kjo ishte përpara se grekët, romakët, bizantinët, venecianët dhe osmanët të shtonin aty banja, teatro, tempuj, mozaikë, ujësjellësa, kulla dhe mure të fuqishme kështjellorë.

Duke ecur me biçikletë lart mbi breg gjatë dy ditëve në vijim, ne soditëm të befasuar blunë turkeze dhe të kaltrën e ndritshme që rrethon plazhet e shumta, joshëse. Të dukej se ishe në Cefaloni apo Korfuz, ky i fundit, i dukshëm me sy të lirë, përtej ngushticës.

Në Sarandën plot zhurmë, një vendpushim tipik med, me diell, det dhe rërë, hëngrëm ushqime deti të shkëlqyera. Por e preferuara ime, u bë ndalesa jonë e parafundit, Himara – një grup shtëpish dhe hotelesh me ngjyrë rozë oleandri në një liman të qetë, në të cilin dielli shkrihej me një shkëlqim të papërsëritshëm…

“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin