MENU
klinika

Vendimi merret sot

Lefter Alla shtrohet në spital, kërkon lirimin nga qelia

14.04.2023 - 11:35

Ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla është shtruar në spital pasi është ndjerë keq nga ana shëndetësore. Nga shtrati i spitalit, Alla ka apeluar për lirimin e tij nga qelia. Ai është shprehur se ka probleme me zemrën dhe ka kërkuar një masë më të butë sigurie. Sot, në orën 15:00, Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm Aida Dollani do të vendosë nëse do e pranojë kërkesën e Allës.

Alla akuzohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla u vu në pranga rreth 1 muaj më parë. Ndaj tij rëndojnë dy akuza, korrupsion dhe abuzim me tenderat publikë. Bashkë me Allën është vënë në pranga dhe nënkryetarja Enkelejda Lleshi dhe 11 të tjerë që janë identifikuar si: Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja Aqif Konesha, Kastriot Ibrahimaj, Ana Nishku. Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprime të paligjshme në dhënien e një tenderi me vlerë 3 milionë euro për ndërtimin e një Ujësjellësi në qytetin e Bulqizës. Tenderi i bashkisë drejtuar nga Alla, u fitua nga një kompani BOE England e cila mendohet se u favorizua gjatë procedurës. Por punimet, u kryen nga një tjetër kompani, OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.