Ish-presidenti Donald Trump ka mbërritur në zyrën e prokurorit të qarkut të Manhattanit në, ku ai është i arrestuar dhe po qëndron në paraburgim policor përpara se të njihet me akuzën. Ky arrestim është vetëm formal, një procedurë ligjore.
Trump pritet të japë gjurmët e gishtërinjve si pjesë e arrestimit, megjithëse është ende e paqartë nëse do të merret dhe fotografia e tij në profil. Ish-presidenti do të dërgohet më pas në një sallë gjyqi, ku do të gjykohet – një paraqitje që pritet të jetë e shpejtë dhe rutinë, por që përfaqëson një moment surreal në historinë e SHBA.
Trump nuk pritet të prangoset pas arrestimit të tij, pasi ai do të mbetet nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të forcave të rendit.
Mediat nuk do të jenë në gjendje të transmetojnë drejtpërdrejt akuzën, tha një gjykatës të hënën mbrëma, duke hedhur poshtë një kërkesë nga disa organizata mediatike, përfshirë CNN. Megjithatë, pesë fotografë do të lejohen të bëjnë fotografi të Donald Trump dhe sallës së gjyqit përpara se të fillojë seanca.
Aktakuza e kthyer javën e kaluar nga një juri e madhe kundër Trump pritet gjithashtu të zbardhet të martën, duke i dhënë publikut – dhe ekipit ligjor të Trump – detajet e para në lidhje me akuzat specifike me të cilat do të përballet. Hetimi nisi nga një pagesë për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.
Ai akuzohet se ka paguar për të blerë heshtjen e aktores. Republikani Donald Trump do të bëhet ish presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale. Ai është i shoqëruar nga pjesëtarë të Shërbimit Sekret dhe Policia e Manhattanit.
Trump është planifikuar të kthehet në Florida pas paraqitjes së tij në gjykatë dhe do të mbajë një konferencë në Mar-a-Lago të martën në mbrëmje, që i jep kandidatit republikan për president në zgjedhjet e vitit 2024 një shans për t’iu përgjigjur akuzave.