Më tepër se 14 Maji, zgjedhjet vendore apo ato të përgjithshme, Shqipëria ka nevojë urgjente për spastrimin e politikës. Skena politike shqiptare, akoma mban brënda saj, emrat që u futën ndoshta edhe rastësisht 33 vite më parë, dhe po vazhdojnë të tjerrin fijet e saj edhe sot. Nevojë urgjente për vendin sot, (nuk) janë zgjedhjet, pasi edhe pas tyre çdo 4 vjet, shohim të njëjtët emra, të njëjtët kryetarë partish, të njëjtët drejtues që edhe pse kanë 3 dekada e ca, që ç’nuk kanë bërë dhe ç’nuk i kanë marrë politikës, nuk pranojnë të largohen.
Ajo që ka ndodhur, dhe ka gjasa të ndodhë edhe për 3 dekada të tjera në Shqipëri, do të jetë mungesa e qytetërimit dhe europianizimit të klasës politike. Mjafton të bëhesh kryetar partie, mjafton të marrësh postin e lartë drejtues (të dhuruar ose përmes makinacioneve) dhe bëhesh i përjetshëm. Në PD, PR, PAD, PLL, PDK, PDNJ, PDS,(përveç PS ku ka ndodhur rrotacion i rregullt) dhe lloj-lloj partish të tjera, kryetarët janë, dhe do të jenë atje edhe pse pësojnë humbje elektorale, edhe pse nuk kanë ndjekës dhe mbështetës, edhe pse disave nuk u dëgjohet zëri gjëkundi, vetëm kur vjen momenti për të kërkuar para nga qeveria për zgjedhjet. Nevojë urgjente mbetet spastrimi i klasës politike, dhe kjo duhet të shqetësojë klasën intelektuale dhe qytetarët e paangazhuar në politikë.
Mbeten mbi 25 per qind e popullsisë, ata që nuk janë as majtas dhe as djathtas, për faktin sepse duan rinovimin e politikës. E ndërsa nga e majta, mbështetësit janë stoikë, ndryshe ka ndodhur në vitet e fundit nga e djathta. Ajo ka pësuar rrjedhje, çarje, largime masive, dhe ndarje në 2-3 grupime me qëndrime të ndryshme. Në demokraci, e djathta, është pasuri e madhe, dhe luan rolin e veçantë në proceset reformuese në shumicën e vendeve europiane. E por ajo që ndodhi në Shqipëri, mbetet e veçantë në llojin e vet, në një vend postokomunist.
Të djathtën në Shqipëri “e mbërtheu” një ish-komunist, arriti të bëhej kryetar partie, duke investuar gjithçka për të çimentuar rolin dhe postin e tij për afro 33 vjet. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me parti të tjera, të deklaruara “të djathta”. Kryetarët e tyre erdhën me sandalle dhe bluza sporti në ato parti, dhe arritën u bënë kryetarë pa asnjë arritje, kontribut, apo dhe fitore elektorale përgjatë 25 viteve. Kurrë nuk do të mund të arrijë “trenin” e Europës klasa jonë politike, në rast se nuk spastrohet. Dhe kjo duhet të ndodhë me votë nga anëtarësia e tyre, larg presioneve, diktateve, larg trysnive për të ruajtur “rolin dhe emrin e liderit”, apo dhe për ta mbajtur atë përjetësisht kryetar partie.
Proceset demokratike, njohin si qasje të pranueshme, votën e lirë brënda partive politike, ç’ka tregon dhe siguron paprekshmërinë e lirive dhe mendimit të lirë. Kjo natyrisht do të sillte rrotacionin e kryetarëve, duke i krijuar hapësira të rinjve në gara brënda partive. Stopimi i proceseve rinovuese, dhe krijimi i një klime mbytëse shumëvjeçare nga hija dhe autoriteti i “liderit historik”, i ka atrofizuar kryesisht partitë e djatha në Shqipëri.