Polonia dhe Sllovakia ishin midis shteteve kufitare me Ukrainën që ndaluan importin e mallrave bujqësore të saj të cilat vërshuan drejt Bashkimit Europian pas masave të Brukselit për të ndihmuar Kievin të eksportojë mallra bujqësore, duke përfshirë këtu ‘iniciativën e korsive të solidaritetit’ dhe një liberalizim të përkohshëm të tarifave dhe kuotave.
Të dyja këto vende po përmendin tani edhe shqetësimet shëndetësore, përvec atyre të konkurencës së padrejtë ndaj prodhimit vendas. Autoritetet sllovake thonë se 1500 tonë grurë të importuar nga Ukraina në Sllovaki u zbulua se përmbanin klorpyrifos, një pesticid i ndaluar në BE në vitin 2020.
Gruri, siç thotë Euractiv, nuk kishte për destinacion tregun e brendshëm të Bashkimit Europian, por vendet e treta. Polonia po ashtu ngriti shqetësime fitosanitare, e për këtë arsye tha se ka dhënë disa herë alarmin përmes Sistemit të Sinjalizimit të Shpejtë të BE-së për Ushqimin.
Sipas një zëdhënësi të Komisionit Europian, që nga 1 janari janë bërë gati 28 njoftime nga vende të ndryshme të bllokut në lidhje me dërgesat e produkteve bujqësore nga Ukraina.
Hungaria gjithashtu e zgjeroi pak ditë më parë ndalesën e përkohshme ndaj importeve të produkteve bujqësore ukrainase dhe ka përfshirë mjaltin, verën, bukën, sheqerin dhe një sërë produktesh të mishit dhe perime.
Po në Shqipëri çfarë po vjen?
Gushtin e kaluar në portin e Durrësit mbërriti një anije me 6 tonë grurë nga Ukraina, i cili nuk dihet nëse i është nënshtruar testeve,
Para fillimit të luftës dhe sanksioneve që u vendosën ndaj Rusisë, sipas të dhënave të Instituti të Statistikave (INSTAT), Shqipëria ka importuar mbi 40 për qind të totalit të drithërave nga Rusia, ndërsa 4 për qind nga Ukraina. / Vox News