MENU
klinika

Analiza

Pse NATO kërkon ta fshehë përfshirjen në luftë?

14.04.2023 - 08:30

Dokumentet sekrete amerikane, të bëra publike së fundmi, më shumë se gjithçka duket se kanë nxjerrë zbuluar Perëndimin dhe ndikimin në luftën në Ukrainë. Dosjet e Pentagonit që dolën më 23 mars, treguan se një numër i madh forcave speciale ushtarake nga vendet perëndimore po operojnë brenda Ukrainës. Sipas dokumenteve të zbuluara, Mbretëria e Bashkuar ka kontigjentin më të madh të forcave speciale në Ukrainë (50), e ndjekur nga anëtarët e NATO-s Letonia (17), Franca (15), Shtetet e Bashkuara (14) dhe Holanda (1). “Ky zbulim konfirmon atë që shumë kanë spekuluar që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar”, shkruan BBC. Informacioni për praninë e forcave speciale në Ukrainë me siguri do të përdoret nga Moska, e cila muajt e fundit ka pohuar se nuk është në konflikt vetëm me Ukrainën, por edhe me NATO-n.

Reagimi i Perëndimit

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar nuk komentoi informacionin sekret që u zbulua, por shkroi një njoftim në profilin e saj në Twitter të martën se rrjedhja e informacionit të klasifikuar tregonte një “nivel serioz pasaktësie”. Megjithëse numri i anëtarëve të Forcave Speciale të listuara në dokumentet e Pentagonit është në fakt relativisht i vogël, ata duket se janë shumë efektivë në operacionet e tyre në Ukrainë.

Forcat speciale të huaja po ndihmojnë nga brenda Ukrainën

Qeveria britanike ka një numër njësish elitare që konsiderohen si ndër më të mirat në botë. Ministri spanjoll mohoi gjithashtu praninë e forcave të NATO-s në Ukrainë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se Departamenti i Drejtësisë kishte hapur një hetim penal dhe ishte i vendosur për të gjetur burimin e rrjedhjes. “Ne do të vazhdojmë të hetojmë dhe të lëvizim çdo gur derisa të gjejmë burimin e kësaj,” tha ai. Zyrtarët amerikanë kanë frikë se mund të zbulohen më shumë informacione.

Planet e Ukrainës

Ukraina ka mohuar po ashtu zërat se trupat e NATO-s janë dislokuar në vend, pas publikimit të dokumentave sekrete amerikane. “Informacionet se do të kishte njësi speciale të vendeve të NATO-s në Ukrainë, pas publikimit të dokumenteve tepër sekrete që i atribuohen Pentagonit janë të rreme,” “tha në një konferencë për shtyp në Madrid, ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksyi Reznikov. Megjithatë, qartazi në kontradiktë me deklaratat në publik, thuhet se pas rrjedhjes së dokumenteve sekrete, Ukraina ka vendosur të ndryshojë disa prej planeve të saj ushtarake, përfshirë ato për kundërofensivën e pranverës. Trupat ukrainase janë përballur prej muajsh me një sulm rus në lindje të vendit, të përqendruar rreth qytetit të Bakhmutit. Ukraina shpresonte të niste një kundërofensivë në javët ose muajt e ardhshëm për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia, por nuk dihet se çfarë do të ndodhë tani për shkak të kësaj situate.

Rreziku nga lufta bërthamore

Megjithatë, rreziku  nga përshkallëzimi i luftës tani, më shumë se kurrë, është real. Në Bruksel, NATO ka diskutuar vazhdimisht mbi çështjen e sigurimit të pajisjeve ushtarake për Ukrainën. Sfida, gjatë gjithë kësaj lufte, ka qenë se si t’i jepte Ukrainës mbështetje të mjaftueshme ushtarake, por pa u përfshirë vetë në konflikt me Rusinë. Qeveria ukrainase ka qenë e qartë me kërkesat për ndihmë. Ndër të tjera, Ukraina kërkon tanke, avionë luftarakë, dronë dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore raketore. Por, çfarë po e pengon NATO-n të përmbushë këto kërkesa? Përgjigjja është përshkallëzimi…. Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore taktike nga Rusia ose i përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Ukrainës në një luftë më të gjerë europiane, është vazhdimisht në mendjet e liderëve perëndimorë. Presidenti Putin gjatë kësaj periudhe i ka kujtuar shpeshherë botës se Rusia është një fuqi e armëve bërthamore. Planifikuesit strategjikë të NATO-s shqetësohen se sapo të thyhet “tabuja” bërthamore, atëherë rreziku i përshkallëzimit të një shkëmbimi bërthamor katastrofik midis Rusisë dhe Perëndimit rritet në mënyrë të pashmangshme. Por veç përdorimit të armëve bërthamore, edhe veprimet e NATO-s në Ukrainë, si furnizimet e mëtejshme me armë mund të nxisin një luftë mes tyre dhe Rusisë.