MENU
klinika

Zonat ku kanë avantazh PS dhe “Bashkë Fitojmë”

Si do jetë ecuria e garës në këto 9 bashki

30.04.2023 - 12:39

Saranda duket e sigurt në duart e Socialistëve

Herën e fundit kur Partia Demokratike shënoi sukses elektoral në qytetin e Sarandës ishte viti 2007. Kandidati i saj, Edmond Gjoka fitoi përballë socialistëve dhe kandidatëve të tjerë me 50% të votave. Katër vjet më vonë, më 2011, sarandiotët e përzunë Gjokën duke i dhënë 60% të votave kandidatit socialist, Stefan Çipa. Në ish-komunën Ksamil, e cila përbën njësinë e vetme administrative që iu bashkëngjit Sarandës pas reformës së vitit 2015, kandidati demokrat humbi gjithashtu në vitin 2011, me rezultat të thellë.

Socialistët dhe aleatët e tyre të asaj kohe, Lëvizja Socialiste për Integrim, e patën të lehtë të fitonin zgjedhjet në vitin 2015 kur morën 53% të votave, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021, kur si PD ashtu edhe PS humbën vota në krahasim me më parë, sërish arritën të sigurojnë me lehtësi një fitore 50 me 42%. Qeverisja e Sarandës prej tyre nuk ka qenë pa telashe. Stefan Çipa nuk u kandidua më 2015 si pasojë e përplasjeve të brendshme për pushtet në PS.

Banorët e Sarandës dhe të Ksamilit janë ftuar më 14 maj të zgjedhin një kryetar të ri bashkie. Socialistët kanë vendosur të mos e rikandidojnë mjekun Adrian Gurma, i cili u zgjodh kryetar më 2019 në zgjedhje pa garë. Në vend të tij, socialistët kërkojnë mandatin e tyre të katërt radhazi me Oltion Çaçin, një administrator biznesi turistik, ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë” synon ta sfidojë me Ardit Çikulin, një ekonomist i arsimuar në Greqi dhe Shqipëri dhe që ka punuar në sektorin financiar në Sarandë. Në garë janë edhe Skënder Muço, një jurist dhe sportist, i cili garon për Partinë Demokratike zyrtare si dhe Gjergji Mërkuri, i cili kandidon si i pavarur dhe po bën fushatë si kandidat antisistem.

Në Sarandë ka 48 mijë votues të regjistruar. Pjesëmarrja në zgjedhjet e shkuara ka rënë nga 58% më 2011 në 50% në 2021. Në garën e 14 majit marrin pjesë gjashtëmbëdhjetë parti, të cilat kërkojnë vende në këshillin bashkiak me 31 anëtarë. Këto parti kanë vendosur në listat e tyre të mbyllura 550 kandidatë. Një në çdo 87 votues është për rrjedhojë edhe kandidat në zgjedhje.




Himara, socialistët në pozicion të fortë përballë kandidatit të PBDNJ, Fredi Beleri
Në vitin 2011, kandidati socialist Jorgo Goro arriti të realizojë një fitore të ngushtë në zgjedhjet e bashkisë së qytetit Himarë, ndërsa kryebashkiaku i mëparshëm, Vasil Bollano, përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, humbi. Goro fitoi 42% të votave ndërsa Bollano 39%. Dy kandidatë të tjerë përfaqësonin koalicionin përreth PD-së dhe partinë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, MEGA.

Në zgjedhjet e vitit 2015, kur qytetit të Himarës iu bashkuan edhe komunat Lukovë dhe Horë-Vranisht, socialistët e patën më të lehtë fitoren. Këtë herë ata ishin në koalicion me LSI-në ndërsa ish-komuna Horë-Vranisht, ku përfshihen disa nga fshatrat mbështetëse historike të komunizmit shqiptar si Kuç dhe Tërbaç, u dha atyre fitore të thellë.

Socialistët arritën ta forcojnë më thellë rezultatin e vet zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur arritën të fitojnë 59% të votave, përkundrejt 37% të opozitës së përbërë nga demokratët dhe LSI. Ata fituan me mbi 50% të votave në të trija njësitë e bashkisë, por në Horë-Vranisht, rezultati për socialistët ishte 82%.

Jorgo Goro garon në zgjedhjet e 14 majit 2023 për mandatin e tij të katërt. Përballë tij garon Dhionisios Alfred Petro Beleri, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. I njohur shkurtimisht si Fredi Beleri, ky i fundit ka garuar për PBDNJ-në në zgjedhjet e vitit 2015 dhe fitoi 27% të votave.

Numri i votuesve në Himarë ka mbetur pak a shumë në të njëjtat nivele përgjatë dekadës së fundit, por numri i votave të hedhura realisht në kutitë e votimit ka ardhur në rënie të vazhdueshme. Pjesëmarrja ishte 40% në vitin 2011 dhe ra në vetëm 26% në zgjedhjet e vitit 2021, një nga nivelet më të ulëta në vend. Në vlerë absolute, në zgjedhjet e vitit 2015 morën pjesë afro 8700 votues, ndërsa më 2021, ishin vetëm 5900. Një pjesë e rënies mund të jetë shkaktuar nga vendimi i komitetit COVID për të ndaluar të votojnë emigrantët që mund të ktheheshin për të votuar ndërsa efekti i shkëputjes së lidhjeve me vendlindjen të emigrantëve të vjetër apo largimi i mëtejshëm i popullsisë është i vështirë të përcaktohet për shkak të mungesës së censusit të popullsisë dhe banesave.

Në terma absolutë, numri i votave për socialistët ka rënë më pak se sa numri i votave të kandidatëve të tjerë.

Situata gjithsesi duket ndryshe në zgjedhjet e 14 majit. Fredi Beleri është përfaqësues i PBDNJ-së dhe besohet se do të jetë në gjendje të thërrasë mbështetës nga emigrantët në Greqi. Ndonëse socialistët me të vërtetë kanë fituar 59% të votave më 2021, Himara është një bashki e vogël me numra të vegjël. Dhjetë apo njëzet autobuzë nga numri i madh i emigrantëve mund të ndryshojë balancën.

Himara është një bashki bregdetare me burime të konsiderueshme natyrore për turizëm, bujqësi e blegtori e peshkim, si dhe me objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Ajo shtrihet në 572 kilometra katrore dhe, pavarësisht burimeve të lakmueshme natyrore, është një nga zonat më pak të populluara në vend dhe më të goditura nga emigrimi masiv dhe kolapsi demografik. Në censusin e vitit 2011, vetëm 7800 nga mbi 25 mijë banorët e regjistruar u gjendën në shtëpi, gjë që sugjeron se dy në tre banorë kanë emigruar.

Himara është gjithashtu një nga të paktat bashki të vendit që kanë mbërritur sakaq në pikën e rënies demografike natyrore, gjë që do të thotë që prej vitesh, lindjet në këtë bashki janë më të pakëta se sa vdekjet. Dhe tendenca është gjithashtu në përkeqësim. Në vitin 2021, në Himarë pati vetëm 50 lindje ndërsa numri i vdekjeve ishte 183.



Delvina, një grusht votash të përmbysura nga demokratët te socialistët
Rreth 15 mijë votues në bashkinë e vogël të Delvinës janë ftuar të zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë dhe 15 anëtarë të Këshillit Bashkiak më 14 maj, në një zonë që ka ndryshuar nga mbështetja masive për demokratët në mbështetje goxha të lartë për socialistët.

Delvina, ku pjesëmarrja në zgjedhje ka rënë nga 46% në vitin 2015 në 36% në vitin 2021, i dha socialistëve 50% të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit të shkuar ndërsa Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën bashkërisht 43% të votave.

Bashkia e Delvinës u qeveris nga Rigels Balili, i cili ishte kandidat i LSI-së për koalicionin ASHE, ndërsa në zgjedhjet pa garë të vitit 2019 u fitua nga Majlinda Qilimi, me 97.5% të votave (2.5% ishin vota të pavlefshme).

Socialistët kanë ndërruar kandidat këtë vit. Ata garojnë me Besmir Velin, një inxhinjier i Teknologjisë së Informacionit që ka punuar në komisariatin e policisë së Delvinës. Përballë tij, Ilir Mehmeti, kandidat i koalicionit Bashkë Fitojmë, me profesion inxhinier dhe me eksperiencë pune në institucione të ndryshme të Delvinës, përfshirë bashkinë, ku ka shërbyer si nënkryetar nga viti 2009 deri në vitin 2015.

Në zgjedhjet për 15 postet e këshillit bashkiak janë nëntë parti me 146 kandidatë.

Bashkia e Delvinës shtrihet në një zonë kodrinore dhe përbëhet nga qyteti i Delvinës me fshatrat përreth dhe ish-komuna Vergo.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 morën pjesë vetëm 5 mijë nga gati 15 mijë zgjedhës në lista, gjë që sugjeron një shkallë të lartë emigrimi.




Kukësi jep më pak vota si për PS-në, ashtu edhe për opozitën
Bashkia e Kukësit është konsideruar një bastion i demokratëve dhe është qeverisur nga socialistët vetëm tre herë gjatë tre dekadave të fundit, përfshi zgjedhjet pa garë të vitit 2019. Por nëse socialistët do të arrijnë ta mbajnë pushtetin në bashki pas zgjedhjeve të 14 majit, kjo duket e vështirë nëse shikohet rezultati i zgjedhjeve më të fundit, zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Bashkia e Kukësit ka votuar demokratët më 2007 në masën 53% dhe socialistët në masën 37% dhe pothuajse njësoj më 2011. Në vitin 2015, kur socialistët garuan me kryebashkiakun demokrat për një mandat të tretë, pasi ky i fundit ndryshoi krah, atyre nuk i mjaftoi aleanca me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndonëse humbja e tyre ishte krahësimisht më e lehtë, 55 me 43%.

Kryebashkiaku aktual Safet Gjici po shpreson të fitojë një mandat të dytë për socialistët në zgjedhjet e 14 majit, përballë kandidatit Admir Sinamati të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Abedin Oruçit, i cili kandidon në emër të Partisë për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë.

Safet Gjici është një ish-oficer policie i cili është marrë me biznes, fillimisht në fushën e sigurisë private dhe më pas në ndërtim. Admir Sinamati është mjek. Abedin Oruçi ka qenë ish-prefekt i qarkut, emëruar nga Edi Rama për vitet 2015-2019. Ai ka qenë në vitin 2019 kandidat për kryetar bashkie në emër të partisë Bindja Demokratike.

Në listat zgjedhore të Kukësit gjenden këtë vit gati 46 mijë zgjedhës, të cilët janë ftuar të votojnë edhe për 31 mandatet e këshillit bashkiak, në një listë votimi shumë të ngjeshur. Plot 28 parti kanë paraqitur lista të mbyllura me 930 kandidatë. Ky është numri më i lartë i kandidatëve për këshill pas Tiranës, ndërsa në raport me votuesit, në Kukës duket se një në çdo 49 votues është edhe vetë kandidat.

Zgjedhjet e shkuara në Kukës tregojnë se popullsia votuese është rritur, por pjesëmarrja në zgjedhje ka rënë, duke reflektuar në këtë mënyrë shkallën e lartë të emigrimit. Në bashkinë Kukës dhe komunat përbërëse të saj në zgjedhjet e vitit 2007 kishte 35 mijë votues, ndërsa në vitin 2023, numri i votuesve në lista është rritur në 46 mijë. Pjesëmarrja në votime ndërkohë ka rënë nga 26 mijë në vitin 2011 në më pak se 23 mijë në vitin 2021.

Të dyja palët kanë humbur elektorat si pasojë e emigrimit, por duket se socialistët kanë humbur edhe më shumë se sa demokratët. Socialistët ishin në gjendje të mblidhnin 11 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2015, kur garonin bashkë me LSI-në, ndërsa votat e tyre ranë në 8,200 në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Votat e demokratëve ranë nga 14,300 në zgjedhjet e vitit 2015, në më pak se 13 mijë në zgjedhjet e vitit 2021.




Tepelena, emigranti i kthyer nga Kanadaja dhe një inxhinier përballë Tërmet Peçit
Hera e fundit kur Partia Demokratike në opozitë pati pushtetin në qytetin e Tepelenës dhe në disa nga komunat përbërëse të bashkisë së re ka qenë viti 2007. Në vitin 2011, Tërmet Peçi, i cili nuk ka një CV të publikuar, fitoi zgjedhjet për bashkinë e qytetit, me 47% të votave, përballë dy kandidatëve, njëri që përfaqësonte koalicionin e PD-së dhe tjetri që përfaqësonte Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, LZHK.

Peçi pati një rrugëtim të lehtë më pas, më 2015, kur garoi në emër të koalicionit PS+LSI, si dhe më 2019, kur garoi vetëm. Në zgjedhjet e vitit 2021, votuesit në territorin e bashkisë Tepelenë i dhanë 57% të votave Partisë Socialiste, ndërsa Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën sëbashku 35% të votave.

Telepena është një bashki e vogël e shtrirë në një terren të thyer malor në Shqipërinë e jugut. Bashkia e re përbëhet nga qyteti i Tepelenës si dhe ish-komunat Qendër, Lopës dhe Kurvelesh. Aktiviteti kryesor ekonomik në zonat rurale është blegtoria e imët, ndërsa bashkia vetë numëron 235 të punësuar.

Në garën e 14 majit garojnë përballë kryebashkiakut aktual një kandidat nga koalicioni Bashkë Fitojmë dhe një kandidat nga Partia Demokratike. Bashkë Fitojmë garon me Baftjar Imerin, i cili është kthyer nga Kanadaja pas tre dekadash emigrimi, ndërsa Partia Demokratike garon me Sokol Gugën.

Në garë për 15 poste të Këshillit Bashkiak marrin pjesë dymbëdhjetë parti me 193 kandidatë.

Në Tepelenë gjenden rreth 12,600 votues. Tepelena është një nga të paktat bashki ku numri i votuesve të regjistruar ka filluar të bjerë. Pjesëmarrja në votime ka rënë nga 7300 vetë në zgjedhjet e vitit 2015 në 6,200 në zgjedhjet e vitit 2021, duke reflektuar rënien e përgjithshme të popullsisë.

Tepelena është edhe një nga bashkitë ku ka filluar rënia natyrale e popullsisë. Gjatë vitit 2021, për këtë bashki pati 55 lindje dhe 110 vdekje, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave.




Dibra, bashkia e trazuar nga krimi zgjedhor pret votimet e 14 majit
Bashkia e Dibrës ka një elektorat në rritje dhe pjesëmarrje pothuajse të qëndrueshme, ndërsa zgjedhjet e së shkuarës kanë favorizuar me marzhe të mëdha Partinë Demokratike në opozitë. Megjithatë, bashkia është nën kontrollin e socialistëve që nga viti 2015, pasi u fitua fillimisht nga koalicioni PS+LSI si dhe u rifitua me më shumë vota, por me një shkallë blerjesh masive të dokumentuara në përgjime të prokurorisë në vitin 2016. Në vitin 2019, socialistët arritën ta mbajnë pushtetin falë zgjedhjeve pa garë, duke ruajtur votat që kanë pasur tradicionalisht në këtë qark, ndërsa në vitin 2021, opozita PD dhe LSI arriti të marrë sëbashku mbi 4,500 vota më shumë. Jo vetëm kaq, por socialistët morën në ato zgjedhje parlamentare, praktikisht më pak vota nga sa kanë marrë tradicionalisht në territorin e kësaj bashkie. Për shembull, kandidatët socialistë morën në zgjedhjet e vitit 2011 mbi 13 mijë vota, ndërsa PS mori në zgjedhjet e vitit 2021, 11,500 vota.

Rezultatet e së shkuarës gjithsesi lënë hapësirë për surprizë. Kandidati socialist aktual, Rahim Spahiu, e mori mandatin në zgjedhje të parakohshme të zhvilluara në vitin 2022. Opozita ishte e përçarë dhe dibranëve nuk ua ndjeu të marrin pjesë masivisht në ato votime, ndërsa maxhoranca duket se u angazhua maksimalisht, duke mbledhur edhe më shumë vota nga sa kishte marrë në zgjedhjet parlamentare. Rezultati final, me një pjesëmarrje shumë të ulët prej 42%, socialisti Spahiu mori 59% të votave, ndërsa të dy kandidatët e opozitës, Premtim Kryemadhi nga Partia e Lirisë dhe Luan Haka nga Partia Demokratike, morën të dy bashkë 37% të votave.

Në zgjedhjet e 14 majit, opozita garon sërish e ndarë: koalicioni Bashkë Fitojmë, i cili përbëhet nga mbështetësit e Sali Berishës dhe Ilir Metës, të dy ish-kryeministra dhe ish-presidentë, garon me Ismail Ukën, një avokat, ndërsa Partia Demokratike zyrtare garon me Naim Gazideden. Rruga e socialistëve drejt fitores në këtë qark kalon nga pjesëmarrja e ulët ose përçarja në shkallë të gjerë në vota mes të dy kandidatëve të opozitës.

Dibra është një zonë e varfër kodrinore dhe malore me territor të gjerë prej 938 kilometrash. Zona është përgjithësisht rurale dhe përbëhet nga 15 njësi administrative: Peshkopi, Tomin, Melan, Kastriot, Lurë, Maqellarë, Muhurr, Luzni, Selishtë, Sllovë, Kala e Dodës, Zall-Dardhë, Zall-Reç, Fushë Çidhën dhe Arras. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Dibrës dhe qarkut të Dibrës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 141 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu.

Qyteti i Peshkopisë ka rreth 26% të banorëve ndërsa pjesa tjetër jetojnë në zonat rurale.

Numri i votuesve të regjistruar në Dibër është rritur nga 48 mijë në vitin 2007 në gati 57 mijë në zgjedhjet e këtij viti. Numri i votuesve ka qëndruar relativisht stabël, 31 mijë në vitin 2007, 30 mijë në vitin 2021. Pjesëmarrja ka rënë nga 65% në vitin 2007, në 53% në vitin 2021, duke reflektuar me gjasë shkallën e emigrimit mes popullsisë së Dibrës.



Garë votë për votë për Kavajën
Bashkia e Kavajës është një nga zonat që ka kaluar nga një bastion i Partisë Demokratike në një thuajse bastion të Partisë Socialiste. Në vitin 2007, kandidati demokrat Refik Rrugeja fitoi zgjedhjet me rezultatin e pabesueshëm prej 84% të votave për bashkinë e qytetit Kavajë. Katër vjet më vonë, Elvis Roshi, në atë kohë 36 vjeç, bëri surprizën e atyre zgjedhjeve, duke mposhtur Rrugenë me 54% të votave.

Roshi, i cili më vonë u bë sinonim i politikës së kriminalizimit të politikës në Shqipëri, fitoi me lehtësi një mandat të dytë më 2015, kur, në bashkinë e Kavajës, tashmë të shtuar me ish-komunat Synej, Luz i Vogël Golem dhe Helmas, mposhti kandidatin demokrat me 62% të votave. Roshit i ngeci fati te procesi i dekriminalizimit. Ai u shkarkua nga detyra dhe në vitin 2017, zgjedhjet e parakohshme për kryetar bashkie i dhanë një fitore të ngushtë Isa Sakes, kandidat i PD-së.

Socialistët e rimorën bashkinë Kavajë në zgjedhjet pa garë të vitit 2019, por numri i votave që ata arritën të mobilizonin në ato zgjedhje nuk ishte shumë i lartë, vetëm 7500. Ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, në territorin e Bashkisë Kavajë socialistët dhe aleatët e tyre aktualë socialdemokratë, morën rreth 10,700 vota, rreth 500 më pak se sa kundërshtarët e tyre, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të marra së bashku.

Numri i votuesve në bashkinë Kavajë është rritur vazhdimisht dhe fort përgjatë viteve të fundit, duke reflektuar rritjen e popullsisë në regjistrin civil, ndërkohë që numri i votave të hedhura dhe pjesëmarrja në zgjedhje, ka rënë, duke reflektuar shkallën e emigrimit. Në vitin 2007, në territorin e bashkisë aktuale kishte 50 mijë votues në lista ndërsa më 2011, numri i votuesve arriti në mbi 66 mijë. Përkundrejt kësaj, numri i votuesve ka rënë, nga 27 mijë më 2011, në 23 mijë më 2021.

Banorët e Kavajës do të zgjedhin mes kryebashkiakut aktual Redjan Krali, i Partisë Socialiste dhe kandidatit të koalicionit opozitar Bashkë Fitojmë Fisnik Qosja. Në garë për 31 ndenjëset e këshillit bashkiak njëmbëdhjetë parti, në listat e mbyllura të së cilave gjenden 352 emra kandidatësh.

Bashkia e Kavajës shtrihet në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë dhe ka një terren fushor dhe bregdetar. Bashkia aktuale përfshin, përveç qytetit të Kavajës, edhe ish-komunat Golem, Synej, Luz i Vogël dhe Helmas.

Njësia administrative e Golemit gjendet në gjirin e Durrësit dhe gjatë dekadave të fundit ka zhvilluar shërbime turistike bregdetare. Komunat Synej dhe Luz i Vogël shtrihen në zonë fushore, ku Synej ka një segment bregdeti të pazhvilluar përgjatë Kepit të Turrës. Komuna Helmas është zonë kodrinore.

Kavaja është një qytet me industri të ndryshme. Bashkia e Kavajës numëron rreth 600 të punësuar.



Memaliaj, bashki e kontrolluar nga socialistët prej kohësh
Banorët e mbetur të bashkisë Memaliaj janë thirrur të votojnë më 14 maj 2023 për kryetar bashkie dhe këshill bashkiak, në një palë zgjedhje që zhvillohen ndërsa popullsia në bashki pakësohet. Votuesit e mbetur do të kenë mundësi të zgjedhin mes Gjolek Gucit nga Partia Socialiste, i cili është kryetar aktual i bashkisë, dhe Albert Malajt nga koalicioni Bashkë Fitojmë. Gjolek Guci nuk ka një jetëshkrim të publikuar ndërsa Albert Malaj është një ish-ushtarak profesionist, i cili ka garuar për postin e kryetarit të bashkisë edhe në vitin 2015, në atë rast në emër të Partisë Socialdemokrate. Malaj mori në atë garë 21% të votave dhe u rendit i dyti mes gjashtë kandidatëve. Zgjedhjet në atë rast i fitoi Durim Rroshi, kandidat i koalicionit të përbërë nga

Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim.

Guci u zgjodh kryetar bashkie si kandidat i vetëm në vitin 2019.

Bashkia Tepelenë përbëhet nga gjashtë njësi administrative, Memaliaj, Memaliaj Fshat, Luftinjë, Buz, Krahës dhe Qesarat. Kandidatët e Partisë Demokratike kanë pasur sukses elektoral në komunat përbërëse të bashkisë së re për herë të fundit në vitin 2011. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, socialistët fituan me 54% të votave.

Numri i votuesve në listat zgjedhore ka rënë nga 16,700 në vitin 2011 në 15,600 në vitin 2021, duke reflektuar rënien e përgjithshme të popullsisë.

Pjesëmarrja në zgjedhje ka rënë në 39% në zgjedhjet e vitit 2021.

Bashkia shtrihet përgjatë lumit Vjosa dhe aktiviteti kryesor ekonomik është bujqësia e blegtoria.

Për zgjedhjet e këshillit bashkiak, garojnë 14 parti, të cilat kanë në listat e tyre të mbyllura 225 kandidatë.




Kolonja, bashki e kontrolluar nga socialistët
Bashkia e Kolonjës në cepin juglindor të Shqipërisë shtrihet në një zonë të gjerë malore me sipërfaqe prej 864 kilometrash katrorë dhe një popullsi që ishte vetëm 11 mijë banorë në censusin e vitit 2011. Bashkia qeveriset nga socialistët që nga viti 2015, ndërsa qyteti i Ersekës ka pasur kryetar socialist që nga viti 2011.

Regjistri i votuesve të bashkisë ka aktualisht 15 mijë vetë të regjistruar nga 16 mijë që kishte në vitin 2011, ndërsa votuesit realë kanë rënë nga 9,000 në 7,300 vetë, duke reflektuar shkallën e emigrimit.

Partia Socialiste ka fituar me diferencë të konsiderueshme vazhdimisht me përjashtim të vitit 2011, kur demokratët patën sukses në komunat përbërëse. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, socialistët fituan 51% të votave përkundrejt 42% që morën dy partitë kryesore të koalicionit aktual opozitar, Bashkë Fitojmë.

Erion Isai, një regjisor teatri i njohur edhe si aktor në emisionin Portokalli në Top Channel, u bë kryetar bashkie në zgjedhjet e vitit 2019 për socialistët. Ai do të përballet me Et’hem Lumanin, një mjek që garon për koalicionin Bashkë Fitojmë.

Bashkia e Kolonjës përbëhet nga 8 njësi administrative, të cilat janë: Ersekë, Qendër Ersekë, Leksovik, Qendër Leksovik, Novoselë, Barmash, Mollas dhe Çlirim. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Kolonjës dhe qarkut të Korçës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Ersekë dhe Leskovik) dhe 76 fshatra.

Në zgjedhjet për 15 anëtarët e Këshillit Bashkiak janë 11 parti me 179 kandidatë.



VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Berisha: Ndahemi përfundimisht nga ata që bashkëpunuan me Ramën

Kandidatët e dalë nga “Primaret”, hyjnë në zgjedhjet lokale me koalicion