Vetëm një ditë pasi në Pogradec u pikas një person teksa instalonte në dy mjete pajisje gjurmimi, hidhet një makinë në erë.
Ngjarja e rëndë shënohet në Durrës ndërsa personi që udhëtonte me të ka qenë dy herë me fat, pasi jo vetëm ka shpëtuar vetë pa asnjë lloj rreziku, por madje ai sapo kishte lënë në banesë familjen e tij. Edhe pse Policia nxitoi ta identifikonte shënjestrën si një person me probleme në të shkuarën e tij të afërt, ngjarja është tronditëse për vetë mënyrën se si është sulmuar i riu me anë të një mine të telekomanduar, që sipas të dhënave është aktivizuar nëpërmjet një celulari në distancë.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Durrësit u bë me dije se personi i sulmuar quhet Aldi Mustafa, një emër ky i njohur dhe i lidhur edhe me një grup kriminal, thotë policia. hetimet kanë nisur menjëherë ndërkohë që vetë shënjestra, Aldi Mustafa ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush i ka vënë sasisë e eksplozivit në makinë. “Nuk e di kush e ka bërë”, mësohet të ketë thënë Mustafa.
NGJARJA
Një atentat me eksploziv është regjistruar në orën 13:56 të ditës së djeshme në Shkozet të Durrësit. Objektivi ka qenë Aldi Mustafa, 37 vjeç, një person me precedentë të theksuar kriminalë, pjesë e grupit të ‘Rrumit të Shijakut’. Një sasi e vogël tritoli, e vendosur në gomën e pasme të automjetit tip ‘Golf 6’, ka shpërthyer teksa në mjet po udhëtonte i vetëm Mustafa. 37- vjeçari doli i palënduar nga shpërthimi ndërsa pak minuta para se të ndodhte ngjarja, la në banesë gruan me fëmijën.
Zona në të cilën ka ndodhur ngjarja ka kamera të shumta sigurie të bizneseve që pretendohet se do të bëjë të mundur mbase zbardhjen e shpejtë të ngjarjes. Aldi Mustafa, 37- vjeçar, njihet si një person me precedentë penalë. Ai është arrestuar më 30 gusht të 2021 me dy të tjerë, pasi po planifikonin një vrasje, siç u pretendua aso kohe nga Policia.
Aldi Mustafa, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, rezulton edhe i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani. Ndërkohë, më 30 dhjetor të vitit të kaluar, me vendim të Gjykatës, i është shuar masa e arrestit me kërkesë të tij. Ai ishte dënuar me 2 vjet burgim pas arrestimit në gusht 2021 për mosbindje të urdhrit të Policisë, armëmbajtje pa leje dhe drejtim të parregullt të mjetit.
KUSH ËSHTË SHËNJESTRA
Policia bën me dije se Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa kohët e fundit ka pasur lidhje me Aleksandër Lahon, i njohur si ‘Rrumi’, një personazh i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Nga Policia mësohet se ekspertët xhenierë po hetojnë vendin e ngjarjes dhe po mbledhin kampionë për të përcaktuar llojin e lëndës plasëse si dhe mekanizmin e shpërthimit.
Nga këqyrja paraprake dyshohet se ka qenë një sasi e vogël tritoli e shpërthyer me detonator me celular. Sidoqoftë raporti i ekspertëve do ta saktësojë më mirë mekanizmin r shpërthimit dhe llojin e lëndës plasëse. Pas shpërthimit me tritol të makinës së Aldi Mustafës, ekspertët xhenierë kanë nisur hetimin e vendit të ngjarjes dhe po mbledhin kampionë për të përcaktuar llojin e lëndës plasëse si dhe mekanizmin e shpërthimit që u përdor dje.
Sipas Policisë, fatmirësisht shpërthimi nuk ka arritur të cenojë serbatorin e makinës sepse do të flisnim për të tjera pasoja. Në gusht të vitit 2021 ai u arrestua bashkë me dy persona të tjerë, të cilët ishte të armatosur dhe dyshohet se kishin planifikuar atentat ndaj një personi. Asokohe ai u arrestua bashkë me Uran Zykën dhe Tahir Gjinikën. Në mjetin e tyre Policia gjeti 3 pistoleta me fishekë në fole dhe 1 mitraloz me fishekë në fole, gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro.