MENU
klinika

Katër akuzat

SPAK i sekuestroi 2 vilat në Palasë, Arben Ahmetaj ankimon vendimin në Apel

03.04.2023 - 11:48

Pas rrëzimit të ankimit përmes të cilit kundërshtonte kontrollet e banesave, duke i konsideruar të paligjshëm dhe antikushtetues, Arben Ahmetaj nuk i ndalon përpjekjet me drejtësinë. Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi mëson se, ish-zv.kryeministri i është drejtuar me një tjetër kërkesë Apelit të Posaçëm, përmes të cilës kundërshton vendimin e Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive për dy vilat. Ahmetaj kërkon heqjen e sekuestros preventive për vilën në Hamallaj, e bashkëjetueses së tij Eriola Hoxha, po ashtu edhe për vilën tjetër në Palasë në pronësi të ish-gruas Albina Mancka.

Dy javë më parë Arben Ahmetaj i konsideroi të paligjshme kontrollet që janë bërë nga Byroja Kombëtare e Hetimit e SPAK në vilat në pronësi të bashkëjetueses së tij dhe ish gruas. Ai iu drejtua me një ankim Apelit të GJKKO pasi iu ushtrua kontroll në vilën në Hamallaj me argumentin se është i paligjshëm pasi nuk është marrë leje nga Kuvendi duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty. Por, gjykata e rrëzoi ankimimin duke thënë kontrolli ishte i rregullt dhe më pas u vendos edhe sekuestro e dy vilave.

Arben Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për 4 akuza të rënda. Report Tv mësoi ekskluzivisht se Prokuroria e Posaçme ka regjistruar ndaj tij me akuzat e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, pastrimit të parave dhe përftimit të paligjshëm të interesave. Mësohet se SPAK ka bashkuar dy procedime ndarjen e fraksionit për inceneratorin e Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion dhe pastrim parash pas kallëzimit qe i është bërë për vilën në Hamallaj.

Në kuadër të hetimeve, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar për kontroll në disa nga pasuritë në emër të ish-bashkëshortes së Arben Ahmetaj, Albina Mançka dhe të bashkëjetuese Erjola Hoxha. Gjatë kontrollit tek vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh. Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente. Pas këtij kontrolli SPAK ka marrë vendimin për të sekuestruar 2 vila në kuadër të hetimit ndaj ish-zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj. U vendos sekuestro preventive për vilën në Palasë të ish-bashkëshortes së ish-ministrit, Albina Mançka si dhe vilën në Hamallaj në pronësi të bashkëjetueses Erjola Kodra, ku Ahmetaj thotë se jeton. Më herët ish-gruaja e Arben Ahmetaj, ka deklaruar se vila nuk është pronë e saj. Gjatë marrjes në pyetje Maçka, ka pretenduar se vilën në Palasë ja ka lënë një shoqja e saj e cila jeton në Zvicër dhe pretendon se ka vetëm një banesë në ish-Bllok.