Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, e prodhoi një rezultat të prekshëm: Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç gjetën gjuhën e përbashkët mbi tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, me të cilin u pajtuan të dy.
Kjo deklaratë pritet të miratohet përfundimisht në takimin e radhës së nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç. Përballja e tyre e radhës është planifikuar të mbahet në fund të prillit, në datë 22, edhe pse nuk është konfirmuar ende.
“Kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termat e përdorur. Nuk kemi pranuar përcaktimin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”, u shpreh Petkoviç pas takimit tre palësh, të zhvilluar në praninë e të dërguarit të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak.
Ndër temat e tjera të diskutimit ishte dhe çështja e riregjistrimit të veturave të serbëve me targa KM dhe shndërrimin e tyre në RKS, e cila përflaku tensionet mes dy vendeve vitin që shkoi, duke sjellë frikën e një konflikti. Bislimi sqaroi se deri në fillimin e muajit mars, ka pasur një ecuri të mirë të situatës. Por pas kërcënimeve dhe djegies së makinave në veri, nuk janë regjistruar më makina të tjera, shtoi kryenegociatori i Kosovës, duke mos e pranuar propozimin e palës serbe që Prishtina të mos marrë masa ndaj atyre që nuk riregjistrojnë veturat me targa RKS.
Ndër të tjera, u prek dhe tema e nxehtë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku u fol më saktësisht mbi atë se çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, e hapi i parë sipas Petkoviç është prezantimi i statutit të Asociacionit.