MENU
klinika

Dosja

Vrasja e “Dodës” në Elbasan, si ju zbuluan dy gënjeshtrat “Paçukut”, njeriut të 3 për ekzekutimin e Roland Rexhepit

15.04.2023 - 20:19

Vrasja e Roland Rexhepit, rezulton të jetë surveruar nga ambjentet e brendshme të një furgoni të bardhë, të cilit në pjesën e pasme i kishin hapur një frimë, nga personat pjesëmarës në këtë krim, shikonin garazhin, ku Rexhepi parkonte makinën në zonën e “Banesave” në Elbasan.

Furgoni është blerë në zonën e Maminasit, sipas gazetarit Elton Qyno ne Ora News në 19 korrik 2009, vetëm tre ditë përpara se të kryehej vrasja e Roland Rexhepi. Blerja është kryer nga dy shtetas të paidentifikuar, të cilët e kanë blerë këtë mjet nga S. Gjergji në shumën prej 130.000 lekë të rinj dhe 300 Euro.

Sipas dosjes hetimore, dy personat e paidentifikuar nga S.Gjergji, nuk kanë bërë ndonjë akt-noterial mes tyre për shitjen e mjetit.

Por në 22 korrik 2009, pas kryerjes së vrasjes së Roland Rexhepit në brendësi të furgonit tip “Renault”, i cili ka qenë i parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes në lagjen “Banesa”, është gjetur dhe sekuestruar një send në formën e maskës dhe 12 copë bishta cigaresh.

Në bazë të akteve të ekspertimit nga maska e gjetur në furgon është përftuar një profil gjaku, i cili ka të dhëna identike me profilin e ADN së personit nën hetim, Florind Shabani.

Por Florind Shabani i njohur si “Paçuku”, njeriu i tretë i arrestuar dhe dërguar në gjyq për vrasjen e ish-agjentit të narkotikëve në policinë e Elbasanit, Roland Rexhepit alias “Doda”, ka mbajtur një qëndrim mohues për ngjarjen, duke ngritur një alibi para grupit të hetimit.

Shabani, në dëshminë e dhënë gjatë fazës së hetimit dhe në momentin e komunikimit të akuzës, ka pretenduar se është i pafajshëm, duke dhënë dy alibi.

Shabani, ka pohuar se gjurma e ADN-së, e gjetur nga prokuroria në një bisht cigareje brenda një furgoni të bardhë, është lënë prej tij pasi ai herë pas here konsumonte heroinë dhe kokainë në ambjentet e këtij mjeti.

Për të qënë i besuëshëm,Florind Shabani, ka dhënë tre emra personash me të cilët ai pretendon se ka konsumuar drogë në ambjentet e këtij furgoni të bardhë.

“…jam përdorues i lëndëve narkotike të llojit Kokainë dhe Heroinë dhe si përdorues kam patur shoqëri me Shkëlzen Sh, të cilin e thirrnin “Xen Kauri”, një person me emrin “Lipe” dhe që banon në afërsi të lokalit “Meclaren” dhe me një person të quajtur “Gent Qerosi”. Në shumë raste kkemi blerë drogë dhe konsumuar, në një furgon me ngjyrë të bardhë i cili qëndronte i parkuar në lagjen e “Banesave”. Në këtë vend kam konsumuar drogë për një periudhë prej rreth tre-katër muajsh. Unë nuk e di se kush e kishte parkuar këtë furgon aty dhe i kujt personi ishte…”-ka pretenduar Florind Shabani.

Por gjatë marrjes në pyetje të tre personave të përmendur nga Florind Shabani, prokuroria nuk ka konstatuar asnjë element bindës, që të vërtetonin versionin e të arrestuarit Shabani.

Nga provat rezulton se për Shkëlzen Shkrepin, Filip Thoma dhe Gentjan Tartarin, nuk rezulton ndonjë profil AND-je i gjetur në furgon, i ngjashëm me profilin e këtyre personave.

Nga provat e administruara në dosje, thotë prokuroria bie alibia e pretenduar e të pandehurit Florind Shabani, se në këtë furgon ai së bashku me Shkelzen Shkrepi, Filip Thoma dhe Gebtjan Tartari kanë konsumuar lëndë narkotike së bashku.

Tre personat pranojnë se janë konsumatorë të lëndës narkotike, por nuk kanë konsumuar ndonjëherë drogë me Florind Shabanin. Ky i fundit njihet prej tyre, si një person nga Elbasani, por nuk kanë pasur shoqëri dhe miqësi të përbashkët.

Gjithashtu rezulton se Florind Shabani, gënjen në lidhje me kohën e qëndrimit të furgonit për shumë kohë dhe me dyer të hapura, ku kushdo mund të hynte dhe të qëndronte pa problem.

Nga kqyerja e këtij furgoni ka rezultuar se në anën e pasme të tij, ka një dëmtim sipër xhamit të njërës prej dyerve në formën e një dritareje të vogël, e cila realizon shikimin e personave nga brenda furgonit në drejtim të vendimit ku ka lëvizur viktima dhe më pas është vrarë.

Gjithashtu Florind Shabani, ka ngritur alibinë e dytë, duke i thënë hetuesve se ditën e ngjarjes kur është vrarë Roland Rexhepi, ai ka qenë në punë pranë, shoqërisë “Kurum internacional” Sha, nga ora 14 e mesditës deri në orën 22 të mbrëmjes. Ndërsa vrasja e Rexhepit ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 22 korrikut 2009.

Por nga verifikimi që prokuroria ka bërë në firmën “Kurum”, rëzon alibinë e ngritur nga i pandehuri Florind Shabani. Momentin e ndodhjes së ngjarjes ku është vrarë, Roland Rexhepi, ai nuk ka qenë në punë pranë firmës “Kurum”.

14 vite më parë, në 2009 policia e Elbasanit identifikoi dy prej autorëve pjesëmarrës në këtë krim.

Armand Llakaj dhe Marjus Tafaj, u arrestuan më herët në 2009 dhe dënuan në vitin 2012 nga gjykata e Elbasanit, përkatësisht me 25 dhe 23 vite burgim dhe aktualisht vijojnë të qëndrojnë në burg.

Ndërsa Florind Shabani alias “Paçuku”, për herë të parë është lokalizuar dhe arrestuar në 2021 në burgun “Augsburg-Gabligen” në Gjermani, ku vuante një dënim për akuzën e “Kryerjes së Marëdhënies seksuale me dhunë”.