MENU
klinika

Analiza

“Çelësi” i ofensivës ukrainase do të jetë Krimea

03.05.2023 - 16:05

Ukraina pritet të nisë së shpejti një kundërofensivë, e cila do të synojë rimarrjen e territoreve të saj të pushtuara nga rusët.

Imazhet satelitore tregojnë se forcat ruse kanë ndërtuar një rrjet linjash mbrojtëse përgjatë bregut të Krimesë, duke u përgatitur për një përparim të mundshëm ukrainas drejt gadishullit.

Ekspertët thonë për “Newsweek”, se nga pikëpamja ushtarake është bërë shumë më e volitshme që Ukraina të tentojë të rimarrë gadishullin e Detit të Zi, i cili u aneksua ilegalisht nga presidenti rus Vladimir Putin në 2014.

“Krimeja do të çlirohet. Për ne nuk ka kthim mbrapa”- thotë nga Kievi Tamila Tasheva, përfaqësuesja më e lartë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për gadishullin e Detit të Zi.

Ajo shton se është hartuar dhe miratuar tashmë një plan konkret ne lidhje me masat prioritare që do të zbatohen sapo të çlirohet Krimeja nga rusët.

Komentet e saj bazohen tek pritshmëritë në rritje në Ukrainë dhe në mbarë botën, që Zelensky të mbajë premtimin që bëri verën e vitit të kaluar duke i dhënë fund aneksimittë paligjshëm 9-vjeçar të Krimesë nga Rusia.

Përpara një kundërofensive të pritshme nga Ukraina, dhe më shumë se 14 muaj pasi presidenti rus Vladimir Putin nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë të vendit fqinj, ka pasur një ndryshim të dukshëm të narrativës, se si vendi i shkatërruar nga lufta mund të rimarrë nën kontroll territorin e tij të aneksuar nga Moska.

A helicopter drops water to extinguish fuel tanks ablaze on the Kerch bridge in the Kerch Strait, Crimea, October 8, 2022. REUTERS/Stringer

Tasheva theksoi se Zelensky i ka udhëzuar tashmë zyrtarët se si të veprojnë “menjëherë pas çlirimit të Krimesë”.

Edhe vetë rusët po përgatiten për skenarin kur Krimea mund të jetë së shpejti në vijën e parë të luftës. Kjo është ajo që i tha “Newsweek”, koloneli në pension i Korpusit Detar të SHBA, Mark Cancian, këshilltar i lartë për Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).

Ai thotë se fortifikimet të mëdha janë vënë re javët e fundit përgjatë bregdetit të gadishullit dhe bazës detare ruse të Sevastopolit, ndërsa Rusia po përgatitet për përparimin e Ukrainës.

Çlirimi i Krimesë është i mundur, por nuk do të jetë një arritje e lehtë dhe mund të mos ndodhë aq shpejt sa pritej, thekson Cancian.

Sipas tij Ukraina ka të ngjarë të nisë një seri ofensivash për një periudhë më të gjatë kohore për të rimarrë territoret e saj të pushtuara – Donetsk dhe rajonet e Luhansk, Kherson, Zaporizhzhia dhe Krime. “Nuk do të jetë vetëm një ofensivë e vetme ajo që do t’i dëbojë rusët. Ukrainasit do ta nisin këtë ofensivë së shpejti, do të vazhdojë për 1 muaj, pastaj do të arrijë kulmin”- tha Cancian, duke përdorur një term ushtarak që tregon pikën në të cilën një njësi është shumë e shpërndarë ose e rraskapitur për të vazhduar më tej përparimin e saj.

“Dhe pastaj do të ketë një fazë rindërtimi për të nisur kundërsulmin e radhës, ndoshta në fund të verës. Pra do të shohim një sulm, çlirim të një territor, ndalesë, rindërtim të njësive dhe sërish kundërsulm. Kjo është një dinamikë që e pamë në Luftën Civile Spanjolle, e cila vazhdoi për 2 vjet e gjysmë, dhe pala fituese nisi një seri ofensivash, ku secila solli fitimin e më shumë territoreve”- nënvizon ushtaraku amerikan.

Nga ana tjetër gjenerali në pension i ushtrisë amerikane, Stiven Twitty, ish-zëvendës komandant i Komandës Evropiane të SHBA-së dhe bashkëpunëtor në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), bie dakord me këtë analizë, duke vënë në dukje se midis Rusisë dhe Ukrainës ka afërsisht 1200 km hapësirë ​​kufitare të diskutueshme.

“Unë nuk besoj se ukrainasit do të përpiqen të sulmojnë për të marrë të gjithë hapësirën kufitare prej 1200 km, nga Donbasi, nga Kherson, deri në Krime. Ata do të çlirojnë disa zona të ngushta, siç bënë verën e kaluar dhe pastaj gradualisht të tjera”- thotë ai.

Linja e parë e sulmit të Ukrainës në një përpjekje më të gjerë për të çliruar Krimenë, ka të ngjarë të përfshijë përdorimin e dronëve, tha për “Newsweek” Samuel Bendett, një bashkëpunëtor i lartë dhe këshilltar në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane.

“Dronët do të jenë vala e parë e sulmit dhe rusët janë shumë të shqetësuar për këtë… Ky do të ishte një sulm në shkallë të gjerë, dhe rusët nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të përpiqen të mbrohen kundër këtyre dronëve”- thotë Bendett.

Ukraina e ka analizuar me kujdes për muaj me radhë mbrojtjen ajrore ruse në Krime duke dërguar dronë, thekson eksperti, duke shtuar se Krimea është “në krye të axhendës ukrainase”. Në fakt raportimet për shpërthime në gadishull po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Më 24 prill, Krimea u trondit nga disa shpërthime. Guvernatori i Sevastopolit, i mbështetur nga Moska, Mikhail Razvozhayev, tha në kanalin e tij Telegram se flota ruse e Detit të Zi kishte zmbrapsur një sulm nga dy drone detare. Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet me dron.

Muaj më parë, S.Ergey Aksyonov, politikani rus që vepron si kreu i Krimesë së aneksuar nga Rusia që nga viti 2014, i tha agjencisë ruse të lajmeve “Tass” se dronët ukrainas janë kërcënimi më i madh për gadishullin. “Ukraina ka nisur të furnizohet me dronë ushtarakë me rreze më të gjatë veprimi dhe Rusia është e shqetësuar”- vazhdoi ai.

Anton Gerashchenko, këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, i tha “Newsweek” në shkurt se konflikti i vazhdueshëm është “një luftë dromësh”. “Në këtë luftë ato janë një super-armë”- thotë ai. Dronët, shtoi Gerashchenko, kushtojnë shumë më pak se tanket dhe i japin mundësi Ukrainën të shkatërrojë forcat ruse “në distanca të mëdha pa hyrë në kontakt të drejtpërdrejtë luftarak”.

Cancian vlerësoi se do të ketë një “rrethim të zgjeruar” në një përpjekje të Ukrainës për të rimarrë Krimenë. “Kur mendoj për Krimenë, mendoj se është më i përshtatshëm një rrethim i zgjeruar dhe jo ​​një sulm frontal i menjëhershëm”- tha ai.

Ukraina do të përpiqet të izolojë Krimenë përmes shkatërrimit të urës strategjike të Ngushticës së Kerçit që lidh Rusinë me Krimenë dhe “do ta vazhdojë bllokadën, derisa ta bëjë shumë të kushtueshme për t’u mbajtur nga rusët”. “Do të jetë e vështirë, por jo e pa mundur. Madje është më e mundur tani, sepse ushtria ukrainase ka në dispozicion shumë pajisje, përvojë dhe trajnime”- shprehet Cancian.

Twitty thotë se në një fazë të luftës, Ukrainës do t’i duhet të ndërmarrë veprime për ta penguar Rusinë të ri-furnizojë Krimenë “qoftë me logjistikë apo me trupa”. “Krimea mund të jetë që në fillim në synimet e kundërsulmit të pritshëm të Ukrainës. Ose ajo mund të përpiqet të sulmojnë diku tjetër që është më i cënueshëm. Kjo qasje mund ta vendosë në një pozicion të mirë për të sulmuar Krimenë”- shton ai.

Cancian i bëri jehonë vlerësimit të Twitty, duke thënë se parandalimi i furnizimit rus do të jetë çelësi për çlirimin e gadishullit. “Ata mund të godasin në fillim vijën bregdetare. Sidomos anijet ruse që ri-furnizojnë Krimenë. Më tej do të sulmojnë bazat ushtarake për disa javë ose muaj rresht përpara se të provojnë një sulm tokësor”- thotë Cancian.

Që të mbajë kontrollin e Krimesë, Ukraina duhet të vendosë trupa në terren në të gjithë gadishullin, thotë Twitty. “Nëse nuk e bën këtë, atëherë nuk do të jetë në gjendje që

ta mbajë të çliruar”- thekson ai. Është kjo arsyeja pse ish-zëvendës komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së, beson se Ukraina nuk duhet që ta bëjë rimarrjen e Krimesë si fazën e parë të ofensivës së saj të ardhshme.

“Mendoj se ata do të gabojnë nëse do të synojnë të çlirojnë të parën Krimenë. Sepse për momentin nuk kanë aftësinë e zjarrit me rreze të gjatë për ta izoluar gadishullin dhe aftësia e tyre detare nuk është e ndërtuar në mënyrë të tillë që të mbrojë Krimenë.

Prandaj unë mbroj vazhdimin e operacioneve sulmuese të njëpasnjëshme, derisa të krijohen kushtet, në mënyrë që ata të jenë plotësisht në gjendje të vendosin gjithçka në Krime për t’i shkatërruar rusët dhe për të izoluar dhe çliruar gadishullin”- theksoi Twitty.

Ndërkohë, këshilltari presidencial i Ukrainës, Mikhail është i bindur se trupat e vendit të tij do të jenë në Krime brenda 5 muajsh. “Sigurisht nga pikëpamja historike është një kohë e shkurtër. Por unë them se për 5, 6 apo 7 muaj ne do të jemi në Krime”- deklaroi ai në një intervistë të publikuar më 5 prill nga “Krym. realii”, dega për Krimenë e shërbimit ukrainas të Radio Liberty.

“Ndoshta ky afat është shumë optimist. Por është një optimizëm i verifikuar matematikisht. E them edhe një herë, Rusia nuk ka burime të mjaftueshme për të kontrolluar situatën. Logjika e luftës është absolutisht e qartë… dhe ne patjetër që do të jemi në gjendje të flasim për të ardhmen e Krimesë”- përfundoi Podolyak.