Prokurorët e SPAK-ut kanë marrë në dorë dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Ai akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje” në bashkëpunim me Pandeli Kokaveshin. Brenda 10 ditësh, GJKKO do të rivlerësojë masën e sigurisë “arrest në burg”, dhënë më herët nga Gjykata e Vlorës.
Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” sipas Prokurorisë së Vlorës ka dhënë dhe premtuar shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës. Akuza ndaj tij u mbështet në disa filmime dhe përgjime mes tij dhe një i infiltruar. Premtimi ishte 400 Euro për 8 vota.
“50 Euro do të paguaj për çdo person dhe 300 Euro i ke ti. Do i marrë në 14 në darkë ose të nesërmen në mëngjes” i thotë Beleri, personit të infiltruar. Këto biseda, përfshirë momentin kur i infiltruari merr shumën në tualet, sipas prokurorisë janë të regjistruara me audio dhe video.
Në dosje thuhet gjithashtu se paratë nuk u dhanë nga Beleri por nga një person i tretë, i cili takoi shtetasin A.R, në një lokal në Potam të Himarës.
Po ashtu në dosje shkruhet se dhe shkëmbimi i lekëve u dha në tualetin e këtij lokali.
“Më datë 10.05.2023 shtetasi A.R ka komunikuar në telefon me shtetasin Alfred Beleri dhe i ka thënë se listën ia kishte dorëzuar sekretares së tij. Alfredi i ka thënë se do e verifikonte një gjë të tillë dhe do të komunikonin sërish bashkë për t’u takuar. Në vijim të kësaj bisede, sërish në datë 10.05.2023 ata janë takuar në lagjen Potam, jashtë ambienteve të lokalit “Galateria”, ku sipas bisedave të përgjuara, kanë biseduar në mënyrë të përmbledhur lidhur me listën e personave të dorëzuar nga shtetasi A.R dhe shumën monetare që duhej të përfitonte secili prej tyre në këmbim të votës, pro kandidatit Bleri. Në përfundim të bisedës Beleri i ka premtuar shtetasit A.R se do të paguante shumë prej 50 eurosh për çdo person dhe shumë 300 euro për shtetasin A.R, nëse shtetasi do të verifikonte se vota është hedhur pro tij.
Po më datë 11/05.2023 është zhvilluar një takim midis shetasit A.R dhe Belerit jashtë ambienteve të lokalit “Gelateria”, ku kanë biseduar për personat që janë në listën dhe mënyrën se si do jepen shumat e parave.
Në vijim të kësaj bisede gjatë mbasdites së datës 11/05/2023, rreth orës 21:47, A.R ka komunikuar me Belerin në lidhje me një takim me shtetasin me emrin Pandeliu dhe i ka thënë që do ti thotë ta marrë në telefon Pandel. Më pas shtetasi A.R është takuar me tek lokali Galateria. Të dy janë ulur brenda lokalit dhe Pandeliu i ka marrë telefonin shtetasit A.R dhe i ka lënë në banak së bashku me telefonin e tij. Më ata kanë biseduar në lidhje me zgjedhjet dhe listën që shtetasi A.R i kishte dorëzuar Belerit. Më pas Pandeli Kokaveshi i ka kërkuar të shkonte me të dhe së bashku kanë shkuar drejt tualetit dhe i ka dhënë një shumë monetare, prej 40.000 lekë. Shtetasi A.R e ka pyetur si ti ndante, nga 5.000 lekë secili, dhe ai ka pohuar që po”- thuhet në dosjen hetimore.