Ditën e sotme, në Gjykatën e Vlorës po mbahet seanca për vendosjen e masës paraprake ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri, i cili akuzohet për shitblerje votash.
Teksa Beleri ndodhet para togave të zeza, kryetari i PDDNJ-së, Vangjel Dule ka folur për mediat.
Dule e cilësoi arrestimin e Belerit si një sulm politik, ndërsa kërkoi lirimin e menjëhershëm të tij.
“E kërkon logjika nga çdo optikë qoftë ajo, që të lirohet menjëherë. Avokatët janë njohur dhe qëndrimin zyrtar mund ta shprehin ata. Ishte një vendim i paralajmëruar. Kemi një proces parodi, qëllimi ëhstë një dhe i vetëm të rrëmbejnë përfaqësimin e Himarës”, theksoi Dule.
Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua ditën e djeshme mbi akuzën “Korrupsionin aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, në pranga u vu edhe miku i kandidatit të opozitës Pandeli Kakoveshi.
Ndërkohë, në një reagim zyrtar, KQZ njoftoi dje se sipas Kodit Zgjedhor, Beleri vazhdon të jetë kandidat dhe emri i tij mbetet në fletën e votimit.