MENU
klinika

“Nuk heqim dorë ”

Humbja e thellë në Shkodër, Berisha pyetet a do japë dorëheqjen

16.05.2023 - 13:59

Ish kryeministri Sali Berisha u pyet ditën e sotme në konferencën me gazetarët në lidhje me humbjen e thellë që kandidati i tij pësoi në Shkodër.

Ai u shpreh se Shkodra votoi nën një pushtim të vërtetë dhe shtoi se të gjitha sondazhet e nxirrnin Bardh Spahinë shumë përpara Benet Becit.

“Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Të gjitha pollët e kundërshtarëve tanë dhe tonat e nxirrnin Bardh Spahinë 14-16 pikë përpara. Nëse mendon kushdo se tërhiqet Sali Berisha para krimit.

Shkodra është shembulli më i shëmtuar me të cilin u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra milionë euro dhe unë jam i bindur se qytetarët e Shkodrës, zgjedhën e krimit dhe pushtetin e krimit nuk do ta pranojnë”, tha Berisha.

Ai tha se nuk do të heqin dorë dhe do i përgjigjen në mënyrë më të fuqishme asaj që ai e cilësoi shëmtia më e madhe elektorale.

“Blerja e votës ishte një akt masiv dhe i shëmtuar. Mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës së vërtetë të koalicionit Bashkë Fitojmë që kishte 61 kandidatë ishte një akt tjetër i pabarazisë së madhe. Dhuna, terrori ndaj eksponentëve të opozitës është përdorur gjer në pengmarrje të tyre. Të gjitha këto janë dy konkluzione kryesore.

E para, Edi Rama është një armik i egër, i përbetuar i votës së shqiptarëve. Janë një apel për mbarë popullin opozitar, për çdo shqiptar që beson se shteti ligjor, barazia para ligjit, të gjitha liritë e qytetarit funksionojnë vetëm në rast se shoqëria vepron e lirë. Ata që shohin vendin e tyre të shkretohet me shpejtësi, të cilët të dëshpëruar nga kjo maskaradë zgjedhore, po bëjnë gati valixhet të ikin nga Shqipëria janë të lutur të qëndrojnë për të rivendosur me çdo kusht të drejtën e lirë të votës së shqiptarëve. Partia Demokratike ka në disponim me qindra fakte, dokumente, me të cilat Edi Rama ka ndërhyrë dhe ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Ka me dhjetëra padi në organe të cilat janë kryekëput vegla të partisë shtet. PD do të paraqesë një raport shumë serioz pranë të gjitha autoriteteve që vëzhguan zgjedhjet në Shqipëri për t faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme, dhunim masiv të të drejtës dhe rezultatit të këtyre zgjedhjeve.

Ajo që ne qëndrojmë plotësisht është se në një seri bashkish kandidatët që fituan janë kandidatë të botës së krimit, të drogës dhe votëblerjes. Ajo që ne konstatojmë është se numërimet janë një pazar i turpshëm që vazhdon të bëhet çdo minutë. Kësaj shëmtire elektorale opozita me besimin më të madh do i përgjigjet në mënyrën më të fuqishme. Ne nuk heqim dorë kurrë të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë”, deklaroi ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bashkimi i votave mund të sillte fitoren…

Katër bashkitë ku PD dhe BF ‘vranë’ njëra-tjetrën