MENU
klinika

Prindërit duhet të kenë kujdes

Ja kur shurupi i kollës mund të jetë fatal për fëmijët nën 6 vjeç

20.05.2023 - 09:33

Me afrimin e dimrit, shumë prindër do të përgatiten për sezonin e të ftohtit dhe gripit. Zakonisht fëmijët e vegjël sëmuren rreth 6 herë në vit. Në brezat e shkuar, prindërit mund të kërkonin shurupin e kollës për të lehtësuar një kollë të thatë apo që ka bllokuar kraharorin.

Por tani e dimë se shurupet e kollës, nuk janë shumë efektive në trajtimin e kollës së fëmijëve. Dhe në mesin e provave në rritje të dëmeve nga helmimi dhe vdekjet, shumë vende duke përfshirë Australinë i kanë kufizuar ilaçet kundër kollës. Ndaj ato nuk mund t’u jepen fëmijëve nën moshën 6 vjeç.

Por çfarë përmban ilaçi kundër kollës? Përbërësit aktivë në shurupet e kollës ndryshojnë në varësi të përfitimit të tyre të pretenduar. Ato mund të përmbajnë supresantë të kollës (duke zbutur refleksin e kollës së trupit), ekspektorantë dhe mukolitikë (që të dyja ndihmojnë në pastrimin e këlbazës).

Ilaçet e tjera që rekomandohen për të ftohtin dhe gripin përmbajnë shpesh dekongestantë (për të lehtësuar hundën e bllokuar) dhe antihistaminikë qetësues për të reduktuar teshtitjen, për të ndaluar rrjedhjen e sekrecioneve në hundë dhe për të ndihmuar gjumin.

Barnat më të rrezikshme janë ato me veprim qetësues, si antihistaminat qetësuese ose shtypësit e kollës me bazë opioidet. Ndërsa qetësimi mund të jetë një efekt i dëshiruar për prindërit me një fëmijë që nuk fle, fëmijët e vegjël janë veçanërisht të rrezikuara të dëmtohen seriozisht apo edhe vdesin në raste ekstreme.

Po ashtu, qetësuesit gjithashtu mund të shkaktojnë agjitacion dhe hiperaktivitet. Ndërsa shurupet e kollës që nuk përmbajnë qetësues janë më të sigurt, ka shumë pak studime mbi sigurinë dhe efikasitetin e këtyre produkteve te fëmijët. Janë raportuar jo rrallë ngjarje të padëshiruara, përfshirë agjitacionin dhe psikozën, veçanërisht me përdorimin e tepërt të tyre.

Përdorimi i tepërt mund të rezultojë nga leximi i gabuar i etiketës nga prindërit, mbi dozimi me shpresën se do të funksionojë më mirë, nga dozat shtesë të dhëna pa dashje dhe nga përdorimi i pajisjeve matëse të pasakta si lugët e gjellës.

Fëmijët e vegjël nën 2 vjeç janë më të rrezikuar nga një mbidozë fatale nga shurupet e kollës. Por enti rregullator i barnave në Australi rekomandon të mos përdorni shurupe kundër kollës për çdo fëmijë nën moshën 6 vjeç. Ndaj nuk ka udhëzime dozimi për fëmijët nën 6 vjeç në etiketat e këtyre produkteve.

Studimi ynë i botuar sot në Gazetën Mjekësore të Australisë, tregon se kufizimi i përdorimit të ilaçeve për kollën dhe ftohjen tek fëmijët, sjell një ulje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme të helmimeve.

Studimi ynë shqyrtoi gabimet në dozim, efektet anësore te dozat e duhura dhe “gëlltitjet eksploruese” aksidentale nga ana e fëmijëve. Në vitin 2020, u vendosën paralajmërime për antihistaminat qetësuese duke thënë se ato nuk duhet të përdoren për asnjë arsye te fëmijët nën 2 vjeç.

Kjo solli një përgjysmim të numrit të telefonatave në sallën e urgjencës dhe përgjysmim të shkallës së shtrimeve në spital. Pavarësisht kësaj, qindra telefonata bëhen ende në qendrat australiane të helmimeve në vit në lidhje me këto produkte te fëmijët e vegjël.

Shurupet e kollës mund të përdoren për fëmijët e moshës 6-11 vjeç, megjithatë duhet treguar ende kujdes. Këto produkte duhet të jepen vetëm në konsultim me një mjek, farmacist ose infermier. Disa produkte bimore janë të disponueshme dhe tregtohen për fëmijët si Hedera helix.

Por për fat të keq nuk ka asnjë provë bindëse se këto ilaçe përmirësojnë ndjeshëm simptomat e kollës. Por rreziku i helmimit është i ulët. Shurupet e thjeshta që nuk përmbajnë ilaçe mund të jenë gjithashtu efektive: deri në 85 për qind e efektivitetit të ilaçeve kundër kollës i është nënshtruar “efektit placebo”.

Gjëja më e mirë që mund të bëni për fëmijën tuaj është t’i jepni atij prehje dhe siguri. Antibiotikët do të nevojiten vetëm nëse mjeku i diagnostikon me pneumoni akute bakteriale ose me një kollë kronike për shkak të një infeksioni bakterial, si bronkiti bakterial i zgjatur, kolla e mirë ose abscesi i mushkërive.

Paracetamoli ose ibuprofeni mund të përdoren nëse kanë ethe dhe dhimbje së bashku me kollën. Kontrolloni dozën e saktë në paketim për peshën dhe moshën e fëmijës suaj. Nëse fëmija juaj është më i madh se 12 muajsh dhe ka një kollë të lagësht (duke prodhuar gëlbazë në fyt), merrni parasysh që t’i jepni mjaltë. Ka prova në rritje që mjalti mund të zvogëlojë prodhimin e mukusit dhe për rrjedhojë edhe shpeshtësinë e kollitjes.

Shënim: Rose Cairns, lektore në degën e farmacisë në Universitetin e Sidneit. Nial Wheate, profesor i asociuar i Shkollës së Farmacisë në Universitetin e Sidneit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bashkon 5 përbërësit më të fuqishëm

Shurupi i bërë vetë që lufton kollën dhe gripin

Shumë i thjesht për t'u përgatitur

Lamtumirë kollë me shurupin natyral të rigonit