Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar për arrestimin e kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, për Bashkinë e Himarës, pas akuzës për blerje votash.
“Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona.
Kandidatura e shtetasit shqiptar,Alfred Beleri që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat.
Me respekt, u kërkojmë miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër e me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj, pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve”, shkroi ministrja.
Ministri i jashtëm grek në një deklaratë Dendias u shpreh se nëse s’ka prova që Beleri ka vjedhur vota, kemi të bëjmë me një skandal. Ai tregon se ngjarjen që ndodhi dy ditë para zgjedhjeve, e ka raportuar te përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe te ministri i Jashtëm suedez.
Belerit i është komunikuar urdhri i arrestit dhe akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”. Edhe pse është i arrestuar, ai vijon të jetë kandidat për zgjedhjet e 14 majit, ndërsa duhet një vendim gjykate për ta nxjerrë atë fajtor.