MENU
klinika

Analiza

Ndihmat për Ukrainën mund të vihen në rrezik

07.05.2023 - 17:30

Në vijat e frontit në Ukrainë nuk ka pasur shumë lëvizje prej se forcat e vendit kanë çliruar qytetin e Hersonit nga ushtria pushtuese ruse, nëntorin e kaluar. Por, presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se ushtria e tij është tani gati të nisë një kundërofensivë të re. Ai nuk ka specifikuar se kur, por ka thënë se nuk mund të zvarritet pafundësisht.

“Ne jemi të aftë t’i japim fund kësaj lufte. Por, jo gjithçka do të ndodhë menjëherë – nesër. Na duhet kohë për t’u stërvitur, por e dimë se si ta bëjmë më shpejt”, ka thënë Zelensky.

Ushtria ukrainase është duke trajnuar dhjetëra mijëra trupa të reja – disa prej tyre në kampe në SHBA dhe në vende të ndryshme të Evropës – që pritet të marrin pjesë në ofensivën e pranverës.

Kievi ka marrë, gjithashtu, grumbuj armësh të prodhimit perëndimor, përfshirë tanke Leopard dhe Challenger. Njësitë e tij, të rregullta dhe të parregullta, do të hyjnë në ofensivë me më shumë se 32 miliardë dollarë armë nga arsenalet e SHBA-së – plus miliarda të tjera nga aleatët evropianë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se “mbi 98 për qind” e automjeteve ushtarake që i janë premtuar Ukrainës, janë dorëzuar.

“Në total, ne kemi trajnuar dhe pajisur më shumë se nëntë brigada të reja ukrainase. Kjo do ta vendosë Ukrainën në një pozicion të fortë, për të vazhduar rimarrjen e territorit të pushtuar”, ka thënë Stoltenberg.

Rusia ka mbledhur gjithashtu forca që do të përpiqen të thyejnë mbrojtjen ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut. Ajo po kryen edhe një fushatë të re rekrutimi, ndërsa ka zgjeruar tashmë linjat e saj mbrojtëse – me fusha të minuara e llogore.

“Thirrja për rekrutim, e cila ka filluar më 1 prill, po zhvillohet sipas planit dhe do të përfundojë më 15 korrik. Deri më tani, 52 mijë qytetarë kanë marrë urdhra dhe më shumë se 50 mijë janë paraqitur në zyrat e regjistrimit ushtarak”, ka thënë udhëheqësi i mobilizimit ushtarak në Rusi, Andrey Biryukov.

Megjithatë, Instituti për Studime të Luftës, me seli në Uashington, e nxjerr Rusinë të dobësuar. Në një hulumtim që ka publikuar më 23 prill thuhet se “ka shumë gjasa” që “shumica e elementëve rusë në Ukrainë të jenë nën kapacitetet e plota, për shkak të humbjeve që kanë pësuar gjatë fazave të mëparshme të luftës”.

“Rusët kanë probleme të mëdha me mbledhjen e forcave”, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, George Barros, një prej autorëve të hulumtimit.

“Kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur mobilizim të pjesshëm shtatorin e kaluar, 700 mijë rusë janë larguar nga vendi, sepse e kanë kuptuar se ushtria ruse ka humbur më shumë pajisje dhe njerëz në Ukrainë brenda një viti, sesa që kanë humbur sovjetikët gjatë një dekade në Afganistan. Pra, është një narrativë shumë e njohur tashmë, se Ukraina është vendi ku të rinjtë dhe të moshuarit rusë shkojnë për të vdekur”, thotë Barros.

Ai shton se një tjetër dallim midis betejave të vitit të kaluar dhe luftimeve sot është se makineria luftarake ruse është, po ashtu, e dobësuar. Nga 20-30 mijë predha në ditë, sa ka hedhur verën e kaluar, ajo sot gjuan rreth 10 mijë.

Mark Cancian, kolonel i pensionuar i ushtrisë amerikane, pajtohet, por shton se nuk duhet minuar kapacitetet e ushtrisë ruse.

“Shumë prej trupave ruse nuk janë të trajnuara mirë dhe nuk janë të motivuara mirë. Megjithatë, duhet qenë i kujdesshëm këtu, sepse rusët janë ende në fushëbetejë, kanë luftuar tash e 14 muaj dhe nuk duket se do të dorëzohen”, thotë Cancian për Exposenë.

Se ku edhe kur do të nisë kundërofensiva, autoritetet në Kiev e mbajnë sekret. Cancian thotë se ajo mund të nisë në Zaporizhja – njërin prej katër rajoneve ukrainase, të cilin presidenti rus, Vladimir Putin, e ka shpallur të aneksuar në shtator të vitit 2022.

Sipas tij, shtyrja e mëtejshme e ofensivës mund t’i japë Rusisë kohë për t’u konsoliduar dhe për t’i forcuar më shumë pozicionet e saj.

“[Ukrainasit] janë mjaft gati. Kanë marrë shumë pajisje gjatë 14 muajve të fundit. Kanë bërë trajnime në Evropë, trajnime bazë, trajnime në njësi dhe sigurisht trajnime për pajisjet. Por, ushtritë nuk janë kurrë aq të gatshme sa duan të jenë. Gjithmonë kërkohen më shumë pajisje, më shumë trajnime. Pra, është ajo ndjenja se nuk janë gati, se nuk do të jenë kurrë plotësisht gati. Por, duhet ta keni parasysh se kjo është një garë me rusët, se rusët po përgatiten gjithashtu. Po forcohen, po bëjnë përgatitjet e tyre. Pra, pritja ka shumë rrezik”, thotë Cancian.

Ukraina është nën presion në rritje për të treguar rezultate në fushëbetejë, pasi disa mbështetës të saj perëndimorë kanë nisur të tregojnë shenja mosdurimi. Franca, për shembull, përmend vazhdimisht një lloj armëpushimi ose negociata të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.

Në Britani, udhëheqësi i grupit parlamentar për Ukrainën, Robert Seely, ka thënë se “nëse luftëtarët ukrainas nuk arrijnë të bëjnë përparim deri në fund të verës, zërat në Perëndim që bëjnë thirrje për një zgjidhje të negociuar, ose që argumentojnë kundër mbështetjes për Ukrainën, do të rriten”.

Në Shtetet e Bashkuara, sondazhet e opinionit publik tregojnë, po ashtu, zbehje të entuziazmit për armatosjen e Ukrainës.

Cancian, tani në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se, padyshim, ka lodhje nga lufta. Sipas tij, tani është e rëndësishme që forcat ukrainase të bëjnë përparim në fushëbetejë dhe t’u dëshmojnë aleatëve se janë operacionale.

“Ukrainasit nuk duhet ta fitojnë luftën me këtë ofensivë – do të ishte shumë sikur t’u kërkohej një gjë e tillë – por ata duhet të tregojnë se janë duke bërë përparim. Në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë vende të NATO-s ka shumë frikë se kjo do të jetë një luftë e përjetshme, që do të vazhdojë për shumë vite, me shumë gjakderdhje dhe me kosto të larta”, thotë Cancian.

Edhe Mike Ryan, gjeneral i pensionuar i ushtrisë australiane, ka shkruar në një blog online se ukrainasit duhet të dëshmojnë se janë përdorues efektivë të ndihmës ushtarake.

“Ukrainasit e dinë se ofensivat që do të vijnë, duhet t’i tregojnë popullit të Perëndimit se Ukraina jo vetëm që ia vlen të mbështetet, por me ndihmën e vazhdueshme ushtarake në vitin 2023 dhe më tej, ajo do ta mposhtë pushtimin rus”, ka shkruar Ryan.

Gazeta New York Times ka shkruar se ofensiva pranverore në Ukrainë do të vijë me “rreziqe të mëdha për të ardhmen e luftës”.

“Pa një fitore vendimtare, mbështetja perëndimore për Ukrainën mund të dobësohet dhe Kievi mund të vihet nën presion në rritje, për të hyrë në bisedime serioze të paqes, për t’i dhënë fund ose për ta ngrirë konfliktin”, ka shruar New York Times.

Udhëheqësit ukrainas thonë se duan t’i çlirojnë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia – përfshirë Krimenë dhe territoret e tjera që janë okupuar nga Moska në vitin 2014 – pavarësisht faktit se shumë zyrtarë amerikanë dhe evropianë i konsiderojnë këto ambicie si joreale.

Synimet e Rusisë në Ukrainë, ndërkaq, janë më të paqarta. Putin kërkon, së paku, të fitojë kontrollin e plotë të rajoneve Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson, të cilat i ka shpallur territore ruse, vjeshtën e kaluar. Moska nuk ka hequr dorë as nga instalimi i një regjimi kukull në Kiev – gjë që ka qenë qëllim fillestar i pushtimit.

Të dyja ushtritë do të futen në ofensivën pranverore me një numër të madh të ushtarëve të vrarë, gjatë vitit të kaluar. Asnjëri prej vendeve nuk jep statistika, por, sipas vlerësimeve perëndimore, të dyja palët kanë qindra mijëra ushtarë të vrarë dhe të plagosur.

“Vetëm nga dhjetori, ne vlerësojmë se Rusia ka pësuar më shumë se 100.000 viktima, duke përfshirë mbi 20.000 të vrarë në aksion”, ka thënë këtë javë John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, Perëndimi ka bërë përpjekje që t’i pengojë furnizimet e reja të Rusisë me armë. SHBA-ja dhe BE-ja kanë ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj, si dhe kanë ushtruar presion diplomatik mbi vende të ndryshme, për të refuzuar kërkesat ruse për armë. Por, për nga fuqia ajrore, rusët vazhdojnë të jenë në avantazh kundrejt Ukrainës./REL