MENU
klinika

Nga Igli Tola

Pse s’lind dot ‘e reja’ në politikën tonë?

22.05.2023 - 19:11

PhD (c). Ll.M. Igli Tola

Antonio Gramshi, edhe pse përfaqësonte elitën politiko-filozofike fashiste, një sërë gjykimesh mbi politkbërjen i kishte shumë realiste, njëkohësisht edhe therëse në mënyrën e të përcjellurit; Ai shkruante se kriza është ajo kur e vjetra vdes, ndërsa e reja e ka të vështirë të lindë. Zgjedhjet e 14 majit, në vazhdën e atyre të 25 prillit 2021, e të simotrave të tyre rishtazi kanë përcjellë disa  mësime, jo domosdoshmërisht pozitive dhe jo detyrimisht shpresëdhënëse. Por që një pyetje ngrihet mbi gjithë këtë situatë: Pse nuk lind dot e reja?

E reja qoftë në formë, e më pastaj në përmbajtje. Brenda sistemit, e më pas jashtë tij. Brenda entiteteve ekzistuese politike, e pastaj me forca të tjera. Së pari në koncept të gjësë, e pastaj pse jo edhe në njerëz të rinj në moshë.  E në këtë realitetin tonë, përgjigja më simpliste mund të ishte se e reja nuk lind dot pasi e vjetra nuk arrin të vdesë, ose se e vjetra është kujdesur ta vrasi (ose së paku ta mbaj në vdekje klinike) të renë.

Lindja, afirmimi, konsolidimi dhe derisa të arrihet në votëbesimin e figurave/alternativave të reja politike është një proces me shumë pengesa e ‘stërkëmbësha’.

Së pari, pengesa të natyrës ligjore, që lidhen me specifikimet e kodit zgjedhor. Për analogji, shumë të ngjashme me ‘barrierat e tregut’ në ekonomi. Edhe politika, si çdo ‘treg’ tjetër për ta gjykuar për performancën dhe funksionalitetin e saj, duhet së pari ta ekzaminojmë për nga natyra e konkurrencës brenda industrisë, e cila varet nga struktura themelore e tregut. Sa mund të flasim për konkurrencë në një treg duopol, apo oligopol (2 parti, ku me raste ndonjë e tretë bëhet faktorë) kjo kuptohet qartazi. Ajo që ha më shumë debat janë shkaktarët që favorizojnë këtë duopol. Teoria makroekonomike pohon se barrierat në hyrje (ligjore, tarifore etj) janë ndër shkaktarët që tregjet oligopol/monopol nuk depërtohen dot nga operatorë të rinj ekonomik. Barriera që në tregun politik mund të përktheheshin: burokraci për tu rregjistruar si kandidat, mos-trajtimi me buxhet për të zhvilluar fushatën, mungesa e vëmendjes mediatike, e deri te pabarazia në përkthimin e votave në mandatë përfaqësimi (pragjet elektorale). E të mos shkojmë më tej në elaborimin e komplekseve industriale të politikës, që nuk janë gjë tjetër veçse grupe të ndërlidhura subjektesh që mbështesin këtë duopol, ku mund të listonim: interesa të veçanta, oligarkë, anketues, konsulentë, patronozhistë, gazetarë, lobistë, ambasadorë etj.

Shkopinjtë ligjor dhe ‘extra-ligjor’ që u vendosen rrotave të lëvizjeve të reja, që marrin xhiro të shpejta e entuziaste, sjellin edhe një mosbesim në sytë e votuesit që për nga natyra është pragmatik. Siç edhe pohon psikologu amerikan Marc Hauser, në situatë dilmeash, ne mbështetemi te emocionet. Implusi i errët i vullnetit të emocioneve u paraprin reflektimeve te vetedijshme dhe të kthjellëta. Kështu, afeksioni për tu bërë palë me më të fortin/fituesin, nën motivacionin për ti dhënë zë votës së tyre e mos e çuar atë dëm; bëjnë që të përsërisin tradicionalisht të njëjtat zgjedhje. Psikologjikisht, vota merr më shumë vlerë nëse kryqi vendoset përbri emrave të partive të konsoliduara, se sa në nismat e reja.

Alternativat e reja në fillim priren të përqafohen më së shumti nga votuesit që rëndom quhen “gri”: pa ndonjë lidhje a interes direkt me pushtetin e partitë poltike. Ky votuesi krejt i hapur ndaj të resë e ndryshimit është zhgënjyer në mënyrë sistematike: shpesh nga lideri apo lidershipi i partisë që i lënë në mes të rrugës duke bërë pazare/marrëveshje ngushtësisht personale, rënia e kauzave dhe fshirja nga arena e artikulimit politik menjëherë pas mosarritjes së rezultateve të pritshme në zgjedhjet e para, mos-leximit të vullnetit të tyre duke u tjetërsuar votën etj. Zgënjim ky edhe sepse, kurrsesi një lëvizje e re nuk mund të jetë mbarsur nga krisja e marrëdhënieve personale, siç ka ndodhur kryesisht këtu te ne. Optimalisht, do të nevojiteshin arsye e teza programore dhe ideologjike, për të pasur kredibilitet dhe përcjellë siguri.

Që e reja të lind, qoftë vetëm për të modernizuar strukturën aktuale, apo shembur grehinën aktuale duhet të zbulojë së pari rrugën. Të kapërcejë pengesat, të japë mesazhin e qëndrueshmërisë dhe kalojë barrën e provës së mos-legjitimitetit të së vjetrës.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


ANALIZË EKONOMIKE

Paketa e duhur për Krizën