Kryeministri Edi Rama ishte në “Now me Erla Mëhillin” ku komentoi ecurinë e fushatës dhe premtimin për një fushatë modeste pa shumë shpenzime.
Edhe pse sipas Mëhillit, është lënë përshtypja e një organizimi masiv, kryeministri e mohoi duke thënë se nga pikëpamja e kostove ka mbajtur fjalën që ka dhënë.
“Fushata është modeste nga pikëpamja e shpenzimeve, shumë më modeste se në të shkuarën. Ishte e ndarë në dy faza, një fazë e parë pa takime të mëdha, takimet kanë qenë të gjitha shumë spontane. Tani është faza e takimeve përmbyllëse që janë takime të mëdha, por përsëri nuk ka tribuna, ekrane, shpenzime të mëdha, kështu që faktikisht, ajo që e bën mbase të duket shumë e madhe si fushatë është prania e njerëzve, nuk ka asgjë të madhe nga pikëpamja e shpenzimeve,” – u shpreh Rama.
Ndërkaq, kryeministri sqaroi dhe pse është përdorur imazhi i tij në këtë fushatë më shumë se ai i kandidatëve për kryebashkiakë.
“Ky është një dimension i këtyre zgjedhjeve që nuk mund të neglizhohet sepse nuk është thjesht një çështje, do shkojmë aty, do të zgjedhim një kryetar bashkie dhe patjetër kur vjen puna në nivelin e zgjedhjes së kandidatëve, kandidatët bëjnë fushatë çdo ditë në të gjithë cepat e bashkive të tyre, drejtuesit tanë politikë bëjnë fushatë çdo ditë në të gjithë cepat e bashkive të tyre dhe natyrisht flasin shumë për çështjet e komunitetit, por ato zënë pak vend në media,” – u shpreh Rama.