MENU
klinika

Nga mikroçipet te municionet

Rusia arriti të kishte akses në tregjet europiane pavarësisht sanksioneve

03.05.2023 - 14:03

Një rrjet i sofistikuar rus spiunazhi arriti të kishte akses në teknologji “të ndjeshme” nga kompanitë europiane për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, edhe pas vendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara dhe liderë të tjerë perëndimorë.

Sipas një hetimi të Financial Times, rrjeti, i krijuar për të siguruar furnizime duke filluar nga mikroçipet deri te municionet, arriti të marrë mjete të ndryshme të makinerive nga Gjermania dhe Finlanda, pavarësisht masave ekonomike të vendosura në mars 2022 .

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara pretendon se ” rrjeti Serniya kreu aktivitete prokurimi shumë të ndjeshme dhe të klasifikuara në emër të agjencisë ruse të spiunazhit FSB, duke përfshirë Drejtorinë e Inteligjencës Shkencore dhe Teknologjike, e njohur si “Drejtoria T”.

Ndër të tjera “klientela” e kompanive europiane përfshin shërbimin e inteligjencës së huaj të Kremlinit të njohur si SVR, grupin shtetëror të mbrojtjes Rostec, Ministrinë e Mbrojtjes dhe kompaninë shtetërore të energjisë atomike Rosatom – përgjegjëse për arsenalin bërthamor të Rusisë.

Sipas FT, një kompani ruse e kontrolluar nga i njëjti person që kontrollon një ent të rrjetit Serniya dhe e përshkruar nga SHBA si “e përfshirë në aktivitete të udhëhequra nga inteligjenca ruse” vazhdoi të blejë produkte kritike nga kompanitë e Bashkimit Europian.

Të dhënat e kompanisë, faturat e importit dhe intervistat zbulojnë se Trading House Treydtuls ka arritur të blejë kryesisht nga BE, materiale me vlerë 900,000 dollarë që nga fillimi i luftës, raporton abcnews.al.

Të dhënat doganore të disponueshme komerciale të parë nga FT tregojnë se Robin Trade bleu mallra me vlerë 12.2 milion dollarë deri në prill 2022, përpara se të ardhurat e saj të binin me 90% pas vendosjes së sanksioneve.

Megjithatë, edhe pse pjesë të tjera të zinxhirit pezulluan aktivitetin e tyre të blerjes pas vendosjes së sanksioneve, Treydtuls filloi të importonte vegla makinerish nga një kompani gjermane.

Të dhënat e kontrollit doganor tregojnë se deri në fund të vitit 2022, Treydtuls kishte blerë 22 tonë pajisje nga Gjermania, me një vlerë të deklaruar prej 553,000 dollarë.

Dokumentet doganore tregojnë se Treydtuls bleu gjithashtu pllaka me qark të printuar në vlerë prej 253,000 dollarësh nga një kompani e vogël në Singapor. Artikujt u prodhuan nga kompanitë gjysmëpërçuese amerikane Analog Devices, Texas Instruments dhe Altera dhe IC-Haus e Gjermanisë, kompani që kishin ndaluar të gjitha eksportet në Rusi.

Aftësia e vazhdueshme e Rusisë për të blerë furnizime nga Europa tregon vështirësitë praktike për qeveritë perëndimore për të bllokuar Moskën nga blerja e teknologjisë kritike ushtarako-industriale, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Financial Times"/ Pekini zhvendos fokusin në Arabinë Saudite

‘Një brez, një rrugë’/ Kina nuk ka investuar më në Rusi

Paralajmërimi i ambasadës ruse në SHBA

“Sanksionet ‘absurde’ do të godasin biznesin e huaj”