MENU
klinika

"Konflikti jo për qiranë, por për kontratën"

Vrau pronarin e shtëpisë, familjarët kundër policisë

04.05.2023 - 10:51

Pas negociatave disa orëshe me të afërm të tij që rrinë jashtë vendi ka pranuar të dorëzohet i riu, Lekë Vuksani, personi që i mori jetën Petri Vuksanit tri ditë më parë në banesën e tij.

Ndonëse Policia bën me dije se e kanë arrestuar, në fakt në dorëzimin e tij ka marrë pjesë edhe vëllai i tij, ku u mësua se autori i krimit të rëndë nuk ishte larguar larg vendit të ngjarjes. Ai ishte strehuar në një banesë, ku më pas, sipas të dhënave gruaja e asaj shtëpie pranoi se e kishte detyruar me forcë ta mbante brenda.

Nga sa është mësuar në rrugë jo zyrtare sherri mes dy të njohurve ka nisur për kontratën e qirasë, që nuk dihet ende nëse ka qenë e noterizuar apo ka qenë thjesht marrëveshje mes palëve siç ndodh në përqindjen më të madhe të këtyre marrëdhënieve. Lekë Vuksani, pas dorëzimit ka dëshmuar gjithçka ka ndodhur mes tij dhe viktimës, ku ai ka hedhur pretendimin se në fakt paratë e këstit ia kishte dhënë viktimës, por ai donte ta nxirrte nga shtëpia e për pasojë ka nisur edhe konflikti që përfundoi në përdorimin e armës nga ana e Lekës, përdorim që i mori jetën 51-vjeçarit të sapokthyer nga Anglia.

ARRESTIMI SIPAS POLICISË
Autori i vrasjes së Petrit Vuksanit, Lekë Vuksani është vënë në pranga nga policia e Shkodrës. Pas 21 orësh kërkime, 34-vjeçari u arrestua në bashkëpunim me forcat RENEA i fshehur në një banesë. Pasi kreu krimin, qiraxhiu 34-vjeçar u largua me shpejtësi nga vendngjarja dhe u fsheh në banesën e një gruaje në Shkodër. Ai e kërcënoi që t’i hapte derën dhe mos të tregonte se ishte aty. Shtëpia ku u strehua Lekë Vuksani ishte në rrugën “Pjetër Budi” në Shkodër, aty gjithashtu u gjend dhe u sekuestrua arma e zjarrit automatik që autori përdori për të ekzekutuar pronarin e tij të shtëpisë, Petrit Vuksanin. Ngjarja ndodhi mesditën e së martës rreth orës 12:15 pas një konflikti për qiranë e banesës në pronësi të viktimës.

51-vjeçari Petrit Vuksani i kërkoi qiraxhiut të tij qiranë e banesës ku jetonte, kjo mesa duket ka nxitur konfliktin mes tyre dhe më pas ka përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit automatik nga 34- vjeçari. Në momentet e fundit të jetës së tij, Petrit Vuksani ndodhej në shtëpinë e tij dhe sapo ishte kthyer nga Anglia ndërsa vajzat e tij banojnë në Itali. Policia e Shkodrës dhe forcat speciale RENEA gjetën dhe sekuestruan edhe armën e përdorur nga autori. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. 34-vjeçari Lekë Vuksani u arrestua 21 orë pasi ekzekutoi Petrit Vuksanin në banesën e tij. Qiraxhiu u strehua në banesën e një gruaje të cilën e kërcënonte që të mos tregonte se ishte fshehur aty. Në këtë banesë kishte fshehur edhe armën me të cilën vrau Petrit Vuksanin.

NJOFTIMI I POLICISË
Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së kryer mesditën e djeshme, në lagjen “Tom Kola”. Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se u krye vrasja. 34- vjeçari u lokalizua në një banesë në rrugën “Pjetër Budi”, Shkodër, ku ishte strehuar pasi kishte kërcënuar pronaren e kësaj banese.

Strukturat operacionale të DVP Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, pasi 21 orësh, si rezultat i kërkimeve dhe ndjekjes së pandërprerë policore, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit L. V., 34 vjeç, banues në Shkodër. 34-vjeçari u lokalizua në banesën e një shtetaseje, në rrugën “Pjetër Budi”, Shkodër, banesë në të cilën kishte mundur të strehohej pasi gjatë natës kishte kërcënuar pronaren e kësaj banese për t’i hapur derën dhe për të mos kallëzuar.