MENU
klinika

"Beci, figurë e fortë"

Zgjedhjet lokale, Nazarko: Gara për Shkodrën e vështirë, mund të ndryshojnë preferencat elektorale

12.05.2023 - 20:23

I ftuar në studion e “Tirana Live”, në ABC News, analisti Mentor Nazarko, ka komentuar fushatën e forcave politike në vend dhe ka bërë një lloj parashikimi të tendencave që mund të shihen në të dielën e 14 majit, në zgjedhjet lokale të vendit.

Ai listoi disa nga qëllimet e koalicionit “Bashkë fitojmë”, ndër të cilat përmendi konfirmimin e suksesit në një bashki si Shkodra.

“Aty kemi angazhimin e një artilerie të madhe, jo thjesht propagandistike por edhe interesash, ku oferta e Partisë Socialiste ngjan shumë tërheqëse, edhe për një elektorat që ka treguar se e ka të vështirë të ndërrojë preferencën e vet, siç është elektorati shkodran”, tha Nazarko.

“Mund të kemi ndryshime të preferencës elektorale edhe në bastione, siç është rasti i Shkodrës. Parashikoj që do të jetë një garë e vështirë. Dje edhe Berisha ishte i detyruar të përdorte një gjuhë të përmbajtur ndaj Becit, që është një tregues i qartë, jo se ai është i pakritkueshëm, i pakundërshtueshëm, por tregues i faktit që Beci është dikush, që për shkak të bashkëjetesës së tij si figurë me profil të lartë menaxherial me të dy qeveritë, është një figurë që di shumë rreth marrëdhënieve të qeverisë me atë institucion që ai ka drejtuar, është figurë e paqortueshme, sulmi ndaj të cilës mund të ketë impakt elektoral. Pra, Beci është një figurë e zgjedhur drejt, që reflekton orientimin kah interesave, preferencës elektorale”, tha analisti, duke argumentuar se gara do të jetë e vështirë aty.