Ndërsa administrata e Joe Biden dhe Kongresi i SHBA-së po përpiqen të mposhtin sfidën e paraqitur nga Kina sot, ata duhet të reflektojnë mbi mësimet e nxjerra nga suksesi i Amerikës në fitoren e Luftës së Ftohtë ndaj Bashkimit Sovjetik. Vetëm sepse dallimet themelore dhe të pazgjidhshme në vlera dhe interesa i detyrojnë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën të jenë rivalë të egër midis tyre, kjo nuk do të thotë se një luftë e armatosur është një opsion i pashmangshëm.
Si Shtetet e Bashkuara po ashtu edhe Kina zotërojnë arsenale bërthamore që janë të afta ta shkatërrojnë njëra-tjetrën në luftë. Megjithatë, asnjëra nuk mund të nisë një sulm të tillë pa shkaktuar një kundërpërgjigje hakmarrëse që do të shkatërronte edhe veten.
Për këtë arsye, vendet duhet të bashkëpunojnë për të parandaluar incidentet ose aksidentet që i tërheqin ato në luftë. Për më tepër, në një planet të vogël në të cilin prodhimi i gazit serë të secilit vend mund ta bëjë jetën të pamundur për të gjithë, dy emetuesit kryesorë në botë duhet të gjejnë mënyra për të punuar së bashku për të kufizuar emetimet.
Të ngulitur aq shumë në një sistem financiar global që prodhon përfitime të tilla të jashtëzakonshme për qytetarët, sa që çdo qeveri që do të përpiqej të shkëputej prej tij do ta gjente shpejt veten jashtë pushtetit, ato nuk kanë alternativë tjetër veçse të menaxhojnë rreziqet në mënyra që i mbështesin këto përfitime.
Por a munden dy fuqi të mëdha që konkurrojnë për supremaci të bashkëpunojnë njëkohësisht për ndërtimin e një bote më të sigurt? Në fakt kjo gjë ka ndodhur edhe më parë. John F. Kennedy, që në fjalimin inaugurues të vitit vitin 1961 u zotua të “paguante çdo çmim, të mbante çdo barrë …për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”, ishte një luftëtar i përkushtuar i Luftës së Ftohtë.
Dy vjet e gjysmë më vonë, në fjalimin më të rëndësishëm të politikës së jashtme të karrierës së tij – që mbushi 60 vite javën e kaluar – ai u tërhoq disi nga qasja e ashpër duke deklaruar se për dekadat në vijim, prioriteti i SHBA-së në marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik duhet të jetë “të ndihmojë në krijimin e një botës të sigurt për diversitetin”.
Dhe çfarë do të thoshte kjo? Duke marrë shkas nga Kriza e Raketave Kubane e vitit 1962, Kennedy e kuptoi se duhej të ndryshonte strategjia e Amerikës ndaj kundërshtarit të saj më vdekjeprurës.
Ndërsa ai nuk u lëkund asnjëherë në raport me angazhimin e tij thelbësor ndaj një strategjie kontrolli që synonte të parandalonte zgjerimin e ndikimit global të BRSS, argumentoi nga ana tjetër se Shtetet e Bashkuara duhet të jetojnë dhe të lejojnë të tjerët të jetojnë në një botë me sisteme të ndryshme politike me vlera dhe ideologji diametralisht të kundërta.
Sigurisht, rivalët do të konkurronin fuqishëm – por vetëm në mënyrë paqësore – për të demonstruar vlerat e veta, dhe sistemi i qeverisjes mund të përmbushte më së miri nevojat e qytetarëve të tij. Që të mbijetonin, të dyja superfuqitë do të duhej të gjenin mënyra për të kufizuar konkurrencën e tyre, kompromis, madje edhe të bashkëpunonin.
Këto përpjekje filluan me krijimin e një linje telefonike të veçantë midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, për të lejuar një komunikim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm në raste emergjente, si dhe një moratorium të njëanshëm për testet atmosferike të armëve bërthamore.
Më vonë bisedimet prodhuan Traktatin e Ndalimit të Kufizuar të Testeve të vitit 1963, që ndalonte të gjitha testet e armëve bërthamore në atmosferë, dhe më pas Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore të vitit 1968, i cili përgjatë dekadave e ka kufizuar numrin e shteteve të reja me armë bërthamore.
Së bashku, dy superfuqitë krijuan një kornizë për menaxhimin e krizave që ndihmoi për t’i mbijetuar Luftës së Ftohtë. Aktualisht, marrëdhëniet SHBA-Kinë janë në gjendjen e tyre më të keqe që kur u vendosën zyrtarisht rreth gjysmë shekulli më parë.
Hapi i parë në stabilizimin e marrëdhënieve është “rikthimi tek Bali” – pra ringjallja e dialogut të nivelit të lartë e vendosur midis presidentit amerikan Joe Biden dhe atij kinez
Xi Jinping në samitin e Grupit 20 në Bali nëntorin e vitit të kaluar. Në atë takim, të dy udhëheqësit bënë një listë të veprimeve që mund të ndërmarrin së bashku – në fusha të tilla si ndryshimi i klimës, shëndeti publik, bujqësia dhe siguria ushqimore – për ta ndryshuar këtë prirje rënëse.
Ato plane u ndërprenë kur një balonë spiune kineze u zbulua mbi Shtetet e Bashkuara rreth një javë përpara se Sekretari i Shtetit Antony Blinken të vizitonte Pekinin, një vizitë që mund të ndodhë në fillim të kësaj jave apo javën e ardhshme.
Biden dhe Xi e pranojnë se lufta midis dy kombeve do të ishte vetëvrasëse për të dy. Po ashtu e kuptojnë se pika më e rrezikshme e mosmarrëveshjeve dypalëshe është Tajvani. Ndërsa dallimet e kombeve mbi Tajvanin janë të papajtueshme, kjo s’do të thotë se ato janë të pa menaxhueshme.
Si fillim, që të dyja palët duhet të përsërisin parimet për të cilat kanë rënë dakord tashmë në 3 komunikatat e përbashkëta SHBA-Kinë, të cilat u kanë lejuar qytetarëve në të dyja anët e ngushticës së Tajvanit të shohin rritje më të mëdha në të ardhura, përmirësim të shëndetit dhe mirëqenies së tyre sociale sesa në çdo kohë të historisë së tyre.
Të bashkëjetosh me atë që JFK e quajti “diversitet”, nuk kërkonte tërheqjen nga konkurrenca e pamëshirshme me një regjim, vlerat dhe interesat e të cilit ishin të kundërta me tonat. Por kjo kërkon besim tek vetja në përballjen e gjatë.
Siç argumentoi dikur me paragjykime, George Kennan, autori i doktrinës së frenimit, kontradiktat e natyrshme në shoqërinë komanduese dhe kontrolluese të komunizmit sovjetik – me pak ndihmë nga ana jonë – do ta rrëzonin një ditë Bashkimin Sovjetik. Kjo ndodhi vërtet në vitin 1991 kur u shemb Bashkimi Sovjetik.
Në territorin e asaj që kishte qenë perandoria më e madhe në botë për nga sipërfaqja, u shfaq Rusia dhe 14 shtete të tjera të reja të pavarura, njëra prej të cilëve ishte Ukraina. Ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik, edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë të dënuara të konkurrojnë dhe të bashkëpunojnë.
A mund të gjejnë Biden dhe Xi një mënyrë për të ndërtuar një botë mjaft të sigurt, për të lejuar që konkurrenca midis demokracisë së përqendruar tek liria e Amerikës dhe autokracisë së udhëhequr nga partia-shtet e një kombi tjetër, të vazhdojë paqësisht për aq kohë sa një të triumfojë? Kjo gjë ka ndodhur edhe më parë.
Burimi: Washington Post