MENU
klinika

Ja arsyeja e lëvizjes

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri largohet nga detyra para kohe!

29.06.2023 - 18:50

Ambasadorja e Bashkimit Europian, Christiane Hohmann, do të largohet nga Shqipëria pas vetëm një viti detyrë në vendin tonë.

Nga raporte të ndryshme bëhet me dije se Hohman do të largohet nga vendi ynë më 1 shtator dhe pritet të shkojë në Irak si ambasadore e Gjermanisë.

Deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Delegacioni i Bashkimit Europian lidhur me këtë çështje, mirëpo të kontaktuar nga mediat ata kanë pohuar largimin e ambasadores duke sqaruar se ajo do të rikthehet në Shërbimin e Jashtëm Gjerman për detyrën e saj të ardhshme të lartë.

“Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann do të rikthehet në Shërbimin e Jashtëm Gjerman nga 1 shtatori 2023 për detyrën e saj të ardhshme të lartë. Për pyetje të mëtejshme mbi procesin e emërimit të Ambasadorit të ri të BE-së në Shqipëri, ju lutemi kontaktoni Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian në Bruksel”, thanë ata.

Para se të niste detyrën në Shqipëri, në gusht 2022, Christiane Hohmann ishte ambasadore e Gjermanisë në Estoni. Më parë, ajo ka shërbyer si ambasadore e Berlinit në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet 2016-2019.

Më 2 gusht të vitit 2022 Hohman i paraqiti letrat kredenciale presidentit Bajram Begaj. Në fjalën e parë të mbajtur për shqiptarët Hohmann i dërgoi  atyre një mesazh ku tha se çelja e negociatave është një hap i madh dhe një progres për transformim të vendit tonë.

“Shqipëria sapo ka nisur një kapitull të ri në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Hapja e negociatave na afron më shumë dhe na bën më të fortë. Na ofron mundësi të shkëlqyera për të konsoliduar progresin e arritur dhe thellimin e transformimit të vendit tuaj. Unë mezi po pres të punoj me ju, institucionet shqiptare, forcat politike, shoqërinë civile dhe qytetarët për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian”, tha ajo asoj kohe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN