Javier Cercas/
Demokracia është gjithmonë në krizë: fjala krizë do të thotë ndryshim dhe demokracia në vetvete nuk është një sistem statik po një sistema dinamik.
Problemi qëndron në faktin që pas kataklizmit ekonomik të vitit 2008, kataklizëm që përcaktoi shuarjen e optimizmit politik të fundit të shekullit, ndërkohë që pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik, të shumtë ishin ata që mendonin se demokracia ishte e pakthyeshme: ¨E vetmja lojë që mund të luhet¨, e vetmja alternativë (ky ishte thelbi i historisë së famshme të Fukuyama-s, jo që historia kishte mbaruar siç thonë ata që nuk e kanë lexuar Fukuyama-n).
Në Spanjë, ndryshimi u ndje në maj të vitit 2011, me shpërthimin e 15-M (njihet kështu prej protestës së 15 majit të vitit 2011, ku qytetarë të ndryshëm u ngritën në protesta, të indinjuar veçanërisht me sistemin jo-demokratik, por dy partiak që mbizotëronte në Spanjë, ideja e tyre kryesore ishte thellimi i demokracisë, asaj të vërtetës). Lëvizja që ishte aktivizuar më tej nga kriza e skajshme ekonomike, pati njëkoësisht dhe intuitë politike: demokracia spanjolle ishte shëndrruar në një sistem dy partiak.
Të bindur që nuk ka demokraci solide pa parti solide, themeluesit e 15-M, vendosën të krijojnë parti të fuqishme, me qëllim që të shmangnin përsëritjen e gabimeve që e shkatërruan demokracinë e Republikës së dytë; por pas 30 vjetësh partitë janë bërë gjithmonë e më të qëndrueshme, aq sa kanë kolonizuar gjithçka, që nga institucionet shtetërore deri dhe jetën shoqërore dhe ekonomike; më e keqja ishte që partitë ishin shëndrruar në organizime ushtarake e kush guxonte të bënte sipas kokës së tij, nuk konsiderohej më pjesë e grupit.
Në shumë prej pankartave të 15 M shkruhej: ¨Demokraci e vërtetë tani¨, ¨E quajnë demokraci, por nuk është¨, ¨Më pëlqen shumë demokraci por ti sikur mungon¨; disa prej pankartave ishin shumë naive, të tjerat ishin pa pa stil, por të tilla ishin dhe pankartat e majit të vitit 1968 (¨Le të jemi realistë, të kërkojmë të pamundurën¨, ¨Nën kalldrëm, gjendet plazhi¨) por ishin ato pankarta që kontribuan në përmirësimin e gjërave. A i përmirësoi gjërat 15-M? A është demokracia jonë më e mirë se ajo e vitit 2011? A është më i mirë sistemi jonë partiak?
Ka syresh që mendojnë që kemi kaluar nga një sistem i varfër dy partiak në një sistem të pasur shumë partiak ( PSOE, PP, UP, Ciudadanos dhe Vox).
Gjyqi ka një tis optimizmi, prej kohësh sistemi dy partiak ishte shumë imperfekt: PCE dhe IU gjithmonë ishin aty; megjithëse në sistemin e tanishëm shumë partiak, Ciudadanos po zhduket, Vox nuk duhet të ishte shfaqur asnjëherë dhe UP thjesht ka zëvendësuar kulturën e vjetër të PCE – që përpiqet të mbijetojë në sajë të Yolanda Diaz – me një të majtë populiste: nuk e di në kemi fituar ndonjë gjë me ketë ndryshimin, përveç se ndonjë poltron, ka qenë më shumë një implementim i shprehjes ¨ma liro njëçik karrigen¨. Indiciet që partitë e sotshme krahasuar me ato të vitit 2011 janë më të shëndetshme, janë pothuajse in- ekzistente; përkundrazi: partitë duken më hermetike, më ushtarake, më vertikale, më sektare, më cezariste.
Nëse demokracia do të mbijetojë, e vetmja zgjidhje ndaj pasigurive që vijnë bashkë me demokracinë është: më shumë demokraci.
Pra më shumë përfshirje, më shumë kompromis nga qytetarët përmes vendimeve të përbashkëta, më shumë fuqi në duart e popullit, që ishte dhe kuptimi i fjalës demokraci në greqishten e vjetër.
Dhe në Spanjë si në çdo vend tjetër, ky ndryshim është i pa implementueshëm, pa ekzistencën e partive më të hapura e poroze ndaj kërkesave sociale. Siç thotë Orriols, ¨demokracia e brendshme e partive është një instrument për të matur gjendjen shpirtërore të shoqërisë dhe një alert për të dalluar gabimet¨ që ¨lejon parashikimin e ndryshimeve ose gjendes së keqe dhe përshtatjen para se të jetë shumë vonë¨.
E thënë ndryshe ose partive iu duhet të importojnë demokraci ose demokracia do të reshtë së qeni demokraci.
Shënimet e përkthyesit:
PSOE: Partia Socialiste në Spanjë
PP: Partia Popular (e djathtë në Spanjë)
Ciudadanos: Partia me bindje mes të majtës dhe të djathtës
Vox: Partia e djathtë radikale.
UP: Partia e majtë radikale.
PCE: Partia komuniste në Spanjë.
Javier Cercas është romancier spanjoll. Ai jep letërsi spanjolle në universitetin e Gironës. Ka fituar disa çmime, ndër to: Independent Foreign Fiction Prize në 2004, International Dublin Literary Award in 2008, European Book Prize në 2016. Ai kontribuon në të përjavshmen ¨El pais¨ ndërsa librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, ndër to dhe shqip.
Artikulli u përkthye nga Albana Murra.