Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham, i cili në vazhdimësi reagon lidhur me zhvillimet në kuadër të procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se masat e bëra publike nga Komisioni Evropian kundër Kosovës janë një gabim. Abraham ka thënë se mbyllja e një syri përballë problemit real dhe presioni tek pala më e dobët asnjëherë s’ka funksionuar.
“Masat e shpallura nga Komisioni i BE-së kundër Kosovës janë gabim. Mbyllja e njërit sy ndaj problemit të vërtetë dhe presioni ndaj anës së dobët nuk ka funksionuar kurrë”, ka shkruar Abraham.
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman dje ka thënë se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës. Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.