Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme bëri me dije se i ka dërguar presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, një draft të ri për asosacionin e komunave me shumicë serbë në Kosovë.
Drafti ndodhet në BE dhe burime diplomatike në Bashkimin Europian për REL, bëjnë me dije se dokumenti i dorëzuar nga Rama po analizohet me kujdes pasi është një test i hartuar me tepër seriozitet.
“Teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë”, bënë me dije burimet për REL.
Por, në pyetjet se a do të merret parasysh ky draft, për të avancuar në dialog, këto burime kanë thënë se “ky tekst shihet si një kontribut në këtë drejtim, sikurse edhe drafte tjera që janë punuar deri me tash nga organizatat e ndryshme joqeveritare“.
“Nuk është aq e rëndësishme se si e trajton BE-ka këtë draft, por si e trajtojnë palët, Prishtina dhe Beogradi. U takon atyre që, në kuadër të dialogut, të avancojnë në drejtim të përmbushjes së këtij obligimi“, ka thënë një diplomat i BE-së.
Dje, Rama në një konferencë urgjente për mediat foli për situatën e krijuar në very të Kosovës. Ai tha se i ka dërguar presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, një draft të ri për asosacionin, i punuar nga ekspertë amerikanë të pavarur dhe i udhëhequr prej tij.
Kryeministri u shpreh se Kosova dhe Serbia duhet të ulen dhe të diskutojnë për të ulur tensionet. Ai tha se Kosova nuk duhet të prishë marrëdhëniet me SHBA dhe BE.