MENU
klinika

Takimi me Kurtin

Escobar: Deri nesër presim marrëveshje

06.06.2023 - 17:28

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe raportet SHBA-Kosovë. Në takimin që zhvilloi sot me gazetarët në Prishtinë tha se presin që nesër të këtë një marrëveshje për qetësim të situatës në veri, duke përmendur edhe tre kushtet që i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, e që janë: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog me Serbinë.

“Duhet të ndodhin hapa tani, dhe ne duhet të shohim se kemi pajtim në këtë aspekt sot e nesër, sepse të premten unë dhe Miroslav Lajcak duhet të raportojmë para eprorëve tanë nëse takimi ynë ishte i suksesshëm apo jo”, u shpreh ai.

Zyrtari i lartë amerikan tha se pavarësisht se SHBA-ja qëndron pas Kosovës, moskoordinimi me ta për çështjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, do të ketë pasoja për Prishtinën. Escobar gjithashtu ka thënë se raporti mes Kosovës dhe SHBA-ve nuk do të ndryshoj pavarësisht rrethanave të krijuara.

Dy zyrtarët kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë dhe Serbi me synimin që të gjejnë një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok. Në këto komuna, që nga 29 maji, serbët lokalë po protestojnë rregullisht për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale, të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.